Aktivitetet

E enjte, 20 korrik 2017 

Grubi-Maasikas: Estonia të mbështesë rekomandim të pakushtëzuar 

Kryetari i Komisioni për Çështje Evropiane i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë z. Artan Grubi, bashkë me anëtarët dhe zëvendësanëtarët e Komisionit, u takua me zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Estonisë për Çështje Evropiane, z. Mati Maasikas. 

Zëvendësministri Masikas informoi për Programin dhe prioritetet e kryesimit estonez me Këshillin e BE-së në gjysmë vjetorin e dytë të këtij viti. Në atë kontekst, theksoi se Estonia edhe më tutje është mbështetëse e fuqishme e procesit të zgjerimit të BE-së me vendet e reja anëtare, me ç'rast e mbështet përkushtimin e Qeverisë për proceset eurointegruese. Ai theksoi se nevojitet që vendi t'i realizojë reformat e nevojshme të BE-së, me qëllim përmirësimin e kushteve jetësore dhe të rinjtë të mos e shohin ardhmërinë e tyre jashtë Maqedonisë. 

Kryetari i Komisionit, z. Grubi, mysafirit të Estonisë i dëshiroi kryesim të suksesshëm me BE-në dhe realizim të qëllimeve dhe prioriteteve të vendosura. Ai shprehu falënderim për mbështetjen e deritanishme nga ana e këtij vendi miqësor, me ç'rast përkujtoi letrën nga viti 2012 në të cilën Estonia bashkë me Lituaninë dhe Letoninë, kërkuan nga BE-ja fillim të negociatave paraaderuese të BE-së me Maqedoninë gjatë kryesimit të Danimarkës me BE-në, me propozim që ato të zhvillohen veçmas nga negociatat për zgjidhje të kontestit bilateral me Greqinë. 

Grubi informoi se në vend ekziston konsensus për integrimet euroatlantike në BE dhe NATO dhe se konsensusi i tillë ekziston edhe në Komisionin për Çështje Evropiane, për të cilën dëshmi është Deklarata e miratuar njëzëri për përshpejtimin e proceseve reformuese dhe integruese për anëtarësim të Republikës së Maqedonisë në BE. 

Në takimin fjalim mbajtën edhe anëtarët e Komisionit: Nikolla Popovski, Petar Atanasov dhe Vesel Memedi, me ç'rast u potencua angazhimi dhe përcaktimi edhe i partisë në pushtet edhe i opozitës në vend, për anëtarësim sa më të shpejtë në BE. Në atë kontekst u theksua edhe nevoja për tejkalimin e pengesave në rrugën drejt BE-së, me theks të veçantë në çështjen e hapur me Greqinë për përdorimin e emrit kushtetues të vendit, si dhe nevoja për përmirësimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore me Bulgarinë. 

Gjithashtu, i përbashkët ishte konstatimi se vendi duhet të punojë në realizimin e priopriteve urgjente të reformës, para se gjithash në përmirësimin e gjendjeve në sundimin e së drejtës, në reformat sistemore, barazinë ndërmjet qytetarëve në pajtim me Marrëveshjen e Ohrit, me qëllim të heqjes së kushtëzimit të rekomandimit për fillim të negociatave për anëtarësim nga ana e Komisionit Evropian.   

Click