Aktivitetet

11 mars 2018

Fjalimi i kryetarit Xhaferi me rastin e 75 vjetorit nga holokausti i hebrenjve të Maqedonisë - deportimi i 7.144 hebrenjve maqedonas në llogoren e vdekjes Treblinka  

Të nderuara zonja dhe zotëri,
I nderuar zëvendësministër i Mbrojtjes i Izraelit, 
E nderuara kryetare e komunës së Manastirit, 
Të nderuar përfaqësues të Bashkësisë hebraike në Maqedoni, 
Shkëlqesi, 
Miq të dashur, 
Mediume,

Një nga periudhat më të errëta të shekullit të kaluar, a unë kisha thënë edhe në përgjithësi të civilizimit njerëzor është holokausti, kur në llogoret naziste të vdekjes u likuiduan në mënyrën më brutale mbi gjashtë milionë burra, gra, fëmijë dhe pleq, edhe atë vetëm për arsye se ishin hebrenj. Ndër ato 6 milionë ishin edhe 7.144 hebrenj nga territori i Republikës së Maqedonisë së sotme, të cilët saktë para shtatëdhjetepesë viteve nga ana e autoriteteve okupatore i ishin dorëzuar nazistëve, ishin deportuar në llogoren e vdekjes në Treblinkë dhe të gjithë ishin likuiduar në mënyrë brutale. Gjegjësisht, mbi 98 përqind të popullatës hebraike në Maqedoni, ndër të cilët mbi njëmijë fëmijë, përfunduan në mënyrë tragjike në këtë llogore naziste të vdekjes.

Të nderuar të pranishëm,

Republika e Maqedonisë dhe qytetarët e saj, çdo vit në këtë ditë të sotme e rikujtojnë këtë ngjarje tragjike, me qëllim që të nderohen këta bashkëqytetarë tanë, por edhe të gjithë hebrenjtë, viktima të holokaustit. Mirëpo, në të njëjtën kohë, të themi qartë dhe zëshëm se kurrë nuk do ta harrojmë holokaustin dhe kurrë nuk do të lejojmë shtrembërim të fakteve historike në kuptim të mohimit të holokaustit. Nuk do të lejojmë asnjë shfaqje të antisemitizmit, të gjuhës së urrejtjes, të jotolerancës, ksenofobisë dhe çfarëdo dukurish tjera të cilat paraqesin shkelje të të drejtave të njeriut. Pikërisht për këtë arsye, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë, në seancën plenare më 5 mars të këtij viti, miratoi Deklaratë të veçantë në shenjë kujtimi të këtyre bashkëqytetarëve tanë por edhe si vërtetim të këtij përcaktimi tonë. Edhe pse për fat të keq, më duhet patjetër të them se e gjithë kjo është përsëri e pranishme në Evropë, a edhe më gjerë.

Miq të dashur,

Sot në Maqedoni, edhe pse kryesisht në Shkup, jeton një bashkësi e vogël hebraike e cila me aktivitetet e veta në të gjitha fushat jep kontribut të dalluar dhe të konsiderueshëm në zhvillimin e përgjithshëm shoqëror - ekonomik dhe kulturor të vendit.

Dëshiroj të theksoj se Republika e Maqedonisë, me Ligjin për denacionalizim, ia ktheu bashkësisë hebraike pronën e tërësishme që e ka pasur qysh prej para Luftës së Dytë Botërore, si edhe pronat e bashkëqytetarëve tanë hebrenj të cilët ishin likuiduar në Treblinkë a nuk kanë trashëgimtarë juridikë. Pikërisht kjo ishte, nëse mund të them kështu, pikënisja për ndërtimin e Qendrës Memoriale të Holokaustit të Hebrenjve nga Maqedonia. Në punën e vet, Qendra Memoriale jep kontribut shumë të madh në planin e kujtimit, mësimit dhe hulumtimit për holokaustin. Në të njëjtën kohë, kjo qendër e promovon bashkësinë, tolerancën dhe dialogun, jo vetëm ndërmjet qytetarëve të Maqedonisë, por edhe në gjithë rajonin. Vallë vet lokacioni i Qendrës memoriale në vetë qendrën e qytetit, si edhe fakti që në njërën anë gjendet kisha ndërsa në tjetrën xhamia, në mënyrë simbolike nuk e konfirmon tolerancën dhe hapjen shekullore të të gjitha bashkësive etnike që jetojnë në Republikën e Maqedonisë? Prandaj, dhe me të drejtë, si qytetarë të Republikës së Maqedonisë, kërkojmë të mos harrohet dhe kurrë mos përsëritet holokausti. Duam më shumë dialog, tolerancë dhe mirëkuptim, si për zgjidhjen e problemeve globale, ashtu edhe për çështjet rajonale dhe bilaterale. Ky është obligimi ynë ndaj atyre 6 milionë hebrenjve që e humbën jetën në llogoret e vdekjes, është obligimi ynë ndaj gjeneratave të sotme dhe të gjitha gjeneratave të ardhshme. Ky është obligim i njerëzimit.

Ju faleminderit për vëmendjen.

Click