Aktivitetet

E premte, 15 shtator 2017

Fjalimi i Kryetarit Xhaferi me rastin e Ditës ndërkombëtare të Demokracisë

I nderuar kryetar i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, z. Zoran Zaev,
I nderuar kryetar i parë i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, z. Stojan Andov,
Të nderuar kolegë deputetë aktual dhe të mëparshëm, 
Shkëlqesi, 
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotëri,

Mendime për demokracinë si formë e sundimit dhe formë e rregullimit shtetëror hasim qysh në kohërat antike, te mendimtarët e njohshëm Aristoteli, Sokrati dhe Platoni. Në esencë, qysh në kohërat antike deri tani, demokracia dhe gjithë ajo që nënkuptohet nën këtë ka qenë lëndë e debateve teorike të përkufizimeve politike. Dhe, pasi sot jemi këtu në numër më të madh njerëz nga politika, do të citoj një nga ato përkufizimet politike "Demokracia është forma më e keqe e sundimit, veçse nuk ka më të mirë." Besoj se shumë prej jush e njohën këtë mendim të njërit nga politikanët më të mëdhenj të shekullit të kaluar, Ser Vinston Çerçill. Dhe, mundet pikërisht ky fakt se nuk ka formë më të mirë të sundimit, ishte motiv që principet e demokracisë të hyjnë edhe në Kartën e Kombeve të Bashkuara si edhe në shumë dokumente tjera ndërkombëtare dhe asociacione. Ndërsa në ditën e sotme para 20 viteve, në Kajro, nga ana e Këshillit Interparlamentar është miratuar Deklarata Universale për Demokraci e Unionit Interparlamentar. Në ditën e sotme, para dhjetë viteve, Kombet e Bashkuara e shpallën pesëmbëdhjetë shtatorin si Ditë ndërkombëtare e demokracisë. 

Në qershor të këtij viti, i dërgova letër Sekretarit gjeneral të UIP, me të cilën informova se Kuvendi i Republikës së Maqedonisë do të organizojë eveniment rasti më 15 shtator 2017, në kuadër të të cilit do të pranohen "Principet e përbashkëta për përkrahjen e parlamenteve," dhe qe sot, me kënaqësi të madhe, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë dhe unë personalisht ai Kryetar aktual kemi nderin të jemi mikpritësit e këtij evenimenti të rëndësishëm për demokracinë dhe për parlamentarizmin në përgjithësi, veçanërisht për demokracinë tonë të re. 

Cili është qëllimi ose ideali i demokracisë? Do të rikthehem në Deklaratën Universale të përmendur më herët, në nenin tre ku shkruan, citoj: "Ideal dhe qëllimi kryesor i demokracisë është ruajtja dhe përparimi i dinjitetit dhe të drejtave themelore të individit, për arritjen e drejtësisë sociale, për nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe social të bashkësisë, përforcimi i kohezionit në shoqëri dhe përforcimi i paqes nacionale si edhe krijimi i klimës së preferuar për paqen ndërkombëtare. Si formë sundimi, demokracia është mënyra më e mirë për arritjen e këtyre qëllimeve, gjithashtu, ajo është sistemi i vetëm politik i cili ka kapacitet që të korrigjohet vetë." mbyllje e citatit. 

Dhe tani, natyrisht se parashtrohet pyetja si të realizohen këto ideale? Të drejtat dhe liritë njerëzore dhe respektimi i tyre konsekuent janë ai princip themelor mbi të cilin mund ta praktikojmë demokracinë e vërtetë. Më tutje, pa zgjedhje të lira dhe të drejta në të cilat qytetarët do të munden lirshëm dhe në fshehtësi ti zgjedhin përfaqësuesit e vet, nuk mund të flasim për demokraci. Me këtë vijmë deri te të drejtat e ashtuquajtura politike të cilat nënkuptojnë edhe të drejtën në organizim politik nëpër parti dhe gjithsesi të drejtën e çdo individi të zgjedhë dhe të jetë i zgjedhur kurse në parlamente të munden në mënyrë transparente dhe lirshëm ti shprehin qëndrimet e veta. Kush ta bëjë këtë? Përgjigja është shumë e thjeshtë, Parlamenti, për arsye se ai është me rëndësi thelbësore për mbrojtjen e demokracisë dhe sundimin e të drejtës, respektimin e të drejtave njerëzore, mundësitë e barabarta dhe zhvillimin ekonomik dhe social. Respektivisht, në funksionin e vet ligjvënës, mbikëqyrës dhe reprezentativ, parlamentet kanë përgjegjësi e cila prej kohës së "Agorës" antike deri në parlamentet e sotme bashkëkohore, vazhdimisht është në rritje. Prandaj, sot, në kohën bashkëkohore, parlamentet kanë rëndësi vitale për të gjithë qytetarët. 

Gjithsesi, këtu është edhe shteti i cili doemos duhet të sigurojë implementim dhe gëzim të të drejtave njerëzore politike, ekonomike dhe sociale për të gjithë qytetarët. Për këtë arsye, pa qeveri të ndershme dhe transparente e cila është zgjedhur lirshëm dhe është përgjegjëse për sundimin e vet dhe për menaxhimin e çështjeve publike, nuk mund të flitet për demokraci. Për këtë nevojiten institucione dhe administratë shtetërore e lartë profesionale dhe e pavarur. Në të njëjtën kohë, institucionet, në proceset e demokracisë, sidomos në shoqëritë heterogjene, respektivisht plurale siç është shoqëria jonë, me anë të inkuadrimit të njerëzve doemos duhet ti sigurojnë diversitetin dhe pluralizmin, pa dallim nëse bëhet fjalë për karakteristikë etnike, fetare ose cilado karakteristikë tjetër. 

Zonja dhe zotëri, 

Këtu, veçanërisht dua ta theksoj rolin që e ka sektori joqeveritar, gjegjësisht shoqëria civile. Respektivisht, shoqëria civile nëpërmjet organizatave joqeveritare në njërën anë mobilizojnë një rreth shumë më të gjerë të qytetarëve të cilët dëshirojnë të marrin pjesë në krijimin dhe në udhëheqjen e politikave publike ku janë inkorporuar interesat e tyre. Më tutje, vetë organizatat joqeveritare janë shumë më mobile dhe nuk e kanë atë organizim klasik partiak i cili në shoqëritë demokratike të pazhvilluara në masë të mjaftueshme e ngufasin marrjen e iniciativës, nëse dëshironi edhe kreativitetin e anëtarësisë në llogari të elitave të tjetërsuara politike. Në të njëjtën kohë, shoqëria civile në demokracitë bashkëkohore dhe lartë të zhvilluara, gjithnjë e më shumë bëhet gardian shumë serioz dhe efikas i të drejtave dhe lirive njerëzore, a në të njëjtën kohë edhe korrektues në praktikimin e sundimit nga ana e elitave politike. 

Është krejtësisht e natyrshme që sot kur shënojmë njëzet vite nga miratimi i Deklaratës universale nga ana e UIP dhe kur e shënojmë Ditën ndërkombëtare të demokracisë, ta pyesim veten se deri ku jemi me demokracinë në shoqërinë tonë? Në cilin nivel është parlamentarizmi ynë dhe sa kemi te ne shtet vërtetë juridik dhe sundim të të drejtës, a në ato suaza, para së gjithash, respektimin e të drejtave dhe lirive themelore njerëzore. Ku është sektori ynë joqeveritar? 

Për gjithë këto pyetje dhe dilema nuk mund të jepet një përgjigje e vetme. Mirëpo, mund të japim një emërues të përbashkët dhe ky është se akoma i kalojmë sëmundjet fëmijërore të demokracisë parlamentare. Ajo që mua personalisht më inkurajon është fakti se mundemi në mënyrë transparente dhe të argumentuar të flasim dhe të jemi kritik për realitetin tonë. Kjo tregon se në këto 26 vite pavarësi, është krijuar një sistem politik i cili di ti shqyrtojë dobësitë e veta, ose nëse preferoni edhe paqartësi dhe di vetë të korrigjohet. Është fakt se në ato procese të korrigjimit pranojmë ndihmë nga miqtë tanë ndërkombëtarë dhe prandaj, me këtë rast, si i pari ndër të barabartit dhe si kryetar i Kuvendit, dua të shpreh falënderim ndaj të gjitha organizatat ndërkombëtare dhe asociacionet të cilat në mënyrë aktive morën pjesë ose po akoma marrin pjesë në zhvillimin e mëtutjeshëm të demokracisë dhe parlamentarizmit në Republikën e Maqedonisë. Me këtë, besoj se jemi në rrugë të mirë për ti realizuar edhe përcaktimet tona strategjike, dhe kjo është anëtarësimi ynë në BE dhe NATO. 

Në fund, dua të theksoj se shumica aktuale parlamentare ka vullnet politik të shprehur qartë për të vazhduar me një dinamikë më të madhe në zhvillimin e mëtutjeshëm të demokracisë, sundimin e vërtetë të të drejtës dhe funksionimin e shtetit juridik, përforcimin e rolit të Kuvendit mirëpo edhe përgjegjësisë, para së gjithash e shumicës parlamentare por edhe opozitës. Respektivisht, mbet fakti se në mungesë të një parlamenti të fuqishëm dhe efektiv, shteti e humb legjitimitetin e vet. Dhe, ajo që mundet është më e rëndësishme është fakti se këto përcaktime dhe angazhime, qytetarët i dallojnë dhe i përkrahin qartë. Le të mos harrojmë se demokracia, qysh prej antikës e këndej, është proces i cili vazhdimisht është mbindërtuar dhe zhvilluar. Kjo detyrë dhe kjo përgjegjësi është e të gjithë neve që në këtë moment shoqëror jemi në politikë mirëpo, përgjegjësi ka edhe sektori joqeveritar, si edhe çdo qytetar. 

Ju faleminderit!

Click