Aktivitete

E mërkurë, 7 mars 2018

Fjalimi i kryetarit Xhaferi në Shënimin e 15-vjetorit të formimit të Klubit të deputeteve - Rritja e pjesëmarrjes politike të grave 

Zonja të nderuara, 
Të nderuara kolege deputete, 
Mysafirë të nderuar, 
Të nderuara mediume 

Në ditën e sotme para 15 viteve, në vigjilje të Ditës ndërkombëtare të gruas, 8 marsi, në suazat e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë u formua Klubi i deputeteve, si një grup joformal, i përbërë prej të gjitha deputeteve, pavarësisht nga ajo se cilit grup parlamentar i takojnë. A, mos harrojmë se ne akoma jetojmë në të ashtuquajturën "botë mashkullore", ndërsa në shoqërinë në Maqedoni për fat të keq, akoma janë të pranishme shumë paragjykime dhe stereotipa kur bëhet fjalë për barazinë gjinore dhe për vendin dhe rolin e gruas në shoqëri.  

Në 15 vitet e kaluara, Klubi i deputeteve vepronte bashkërisht dhe me një qëllim të vetëm, e ky është inicimi i zgjidhjeve ligjore për arritjen e barazisë gjinore dhe për përparimin e të drejtave të grave, të përfshirjes së tyre aktive në procesin e vendimmarrjes në shtet, si edhe përforcimin e përhapjes së demokracisë në të gjitha fushat e shoqërisë së Maqedonisë. Një nga nismat tuaja të para e cila arriti rezultat të konsiderueshëm, ishte ndryshimi i Kodit zgjedhor, respektivisht, miratimi i dispozitës ligjore për sigurimin që së paku një vend në secilin pozicion të tretë në listat zgjedhore të kandidatëve ti takojë gjinisë më pak të përfaqësuar. Me këtë, në zgjedhjet në vitin 2006, për herë të parë janë zgjedhur 37 deputete në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, gjegjësisht, pothuajse 31%, me çka pozicionohemi në majën evropiane. 

Më tutje, me nismën tuaj është përpiluar dhe miratuar Ligji për mundësi të njëjta të grave dhe burrave. Me nismën dhe me përkrahjen tuaj, në Ligjin për familjen është futur një Kapitull i veçantë për mbrojtjen e viktimave nga dhuna familjare, ndërsa ju ishit iniciatorë për formimin e fondit të veçantë për luftë kundër dhunës familjare. Kjo është vetëm një pjesë e vogël e angazhimit tuaj altruist dhe rezultateve të arritura pikërisht në fushën e barazisë gjinore, kuptuar në kuptimin më të gjerë të fjalës. 

Të nderuara kolege deputete, 

Besoj se ju, me veprimin tuaj edhe më tutje do të punoni në drejtim të përforcimit të mëtutjeshëm të barazisë gjinore dhe, edhe më tutje do të jeni ai zë i fuqishëm kundër dhunës familjare dhe mbrojtës së fuqishme të viktimave të dhunës familjare. Besoj se edhe më tutje do të bashkëpunoni ngushtë me sektorin joqeveritar dhe në përgjithësi me qytetarët, me çka jepni kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e demokracisë parlamentare te ne.

Ndërsa unë, sipas shembullit të Rigstagut (Parlamentit suedez) dhe Mbretërisë së Suedisë, si vendi me përqindjen më të lartë të përfaqësimit të grave në politikë dhe në jetën publike, si kryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, me rastin e Ditës ndërkombëtare të gruas dhe 15 vite të funksionimit të Klubit të deputeteve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, do të filloj me realizimin e projektit për ruajtjen dhe promovimin e kontributit të grave deputete dhe bartëse të funksioneve në Kuvend dhe në trupat punues të Kuvendit. Ky do të jetë një kontribut modest por i rëndësishëm për dhënien e mirënjohjes për rolin e grave politikane në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë dhe kjo do të mundësojë memorie institucionale për gjeneratat e ardhshme. Dhe, mos e zgjas shumë, që të mos dalë se përsëri ne burrat bëhemi diçka të mençur, më lejoni që të gjitha juve kolege të mia, dhe të gjitha grave në Republikën e Maqedonisë, t'ua uroj 8 marsin, Ditën ndërkombëtare të gruas, t'ju uroj jetë të bukur dhe të plotësuar, me shumë respekt dhe dashuri nga të afërmit ndërsa neve burrave, na uroj që sa më shpejt të kuptojmë se bota e ashtuquajtur "mashkullore", ngadalë por sigurt shkon në histori. 

Ju faleminderit për vëmendjen, ju uroj ditë të shkëlqyer!

 
a

Na ndiqni në: