Aktivitetet

E premte, 2 mars 2018

Fjalimi i kryetarit Xhaferi në takimin e dytë ndërmjet Komisionit për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive dhe përfaqësuesve të organeve dhe institucioneve të cilat dërgojnë raporte vjetore në Kuvendin 

Të nderuar kolegë deputetë, 
Zonja dhe zotëri,
Shkëlqesi, 
Të nderuara mediume  

Mund të tingëllojë e pazakontë që në vetë fillimin e seancës së sotme të Komisionit për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, para gjithë nesh do e parashtroj pyetjen, ose nëse doni dilemën, nëse Kuvendi i Republikës së Maqedonisë lëviz në drejtim i cili siguron realizim të tërësishëm të parimeve të parlamentarizmit bashkëkohor dhe të demokracisë parlamentare? Gjithsesi, dilema ose pyetja ka të bëjë para së gjithash me realizimin e rolit mbikëqyrës të Kuvendit mbi pushtetin ekzekutiv. Sipas meje, jam i bindur se si Kuvend jemi në rrugën e duhur, edhe pse akoma ecim me hapa të vogla kah ai qëllim. Dhe, të qartësoj se këtë e mendoj fillimisht si deputet, e mandej si kryetar i Kuvendit. 

T'ju rikujtoj se këtë muaj, nëpërmjet formave dhe evenimenteve të ndryshme, pikërisht roli mbikëqyrës i Kuvendit është në fokusin e angazhimit tonë si deputetë. Me këtë rast, duhet patjetër ta theksojmë rolin dhe ndihmën e përzemërt që e pranojmë nga miqtë tanë ndërkombëtarë. Gjegjësisht, në Villton Park, theks i veçantë ju vu pikërisht debatit për funksionin mbikëqyrës të Kuvendit. Javën e kaluar, te ne u mbajt Konferenca interparlamentare e Komisioneve të Financës dhe Buxhetit nga parlamentet e shteteve në rajon, me prezencën e deputetëve dhe ekspertëve nga Parlamenti Evropian, në të cilën debatohej pikërisht për kontrollin e Kuvendit mbi buxhetin, edhe atë prej fazës së mbushjes së tij, deri në kontrollin mbi harxhimin e buxhetit. 

Kolegë të nderuar,

Komisioni për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, diku në nëntor të vitit 2017, mori përfundim me të cilin e përcaktoi nevojën për standardizimin e raporteve të organeve dhe institucioneve të cilat kanë bazë ligjore të dërgojnë raporte në Kuvend, a të cilat janë në kompetencë të Komisionit për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive dhe të tilla janë 12 institucione. Gjithsesi se qëllimi i këtij përfundimi është që përmes formës së standardizuar të raporteve të rritet efikasiteti në punën e institucioneve të pavarura por, në të njëjtën kohë edhe efikasiteti i Kuvendit dhe trupave të tij punues, konkretisht Komisionit për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive. Jam i bindur se me këtë bëjmë disa hapa cilësore përpara. Kjo, jo vetëm që do të ndikojë mbi institucionet, por do të kontribuojë edhe për llogaridhënie më cilësore, a përmes kësaj edhe deri në kuptim më të mirë dhe besim të zmadhuar të publikut në punën e institucioneve të pavarura. Natyrisht se kjo do të ketë ndikim pozitiv edhe mbi përforcimin e mëtutjeshëm të funksionit mbikëqyrës të Kuvendit mbi këto institucione. 

Në gjithë këtë proces të standardizimit të raporteve të institucioneve të pavarura si edhe përforcimit të funksionit mbikëqyrës të Kuvendit, në mënyrë aktive është i inkuadruar edhe Misioni i OSBE-së në Shkup i cili, nëse mund të them ashtu, është partneri jonë tradicional dhe përkrahës i këtij por edhe i shumë projekteve tjera dhe proceseve të cilat çojnë kah përforcimi i kapacitetit demokratik të Kuvendit. 

Dhe, të rikthehem në fillimin e elaborimit tim dhe në pyetjen e parashtruar, respektivisht, a jemi në rrugën e drejtë? Personalisht, besoj se kjo shumicë parlamentare ka vullnet politik dhe kapacitet për përforcimin e mëtutjeshëm të demokracisë parlamentare te ne. Me këtë rast, rolin kryesor por edhe përgjegjësi e ka Kuvendi, përmes realizimit të tri funksioneve të veta, funksionit ligjvënës, përfaqësues dhe mbikëqyrës, gjegjësisht kontrollit mbi pushtetin ekzekutiv. Dua të besoj se edhe opozita po ashtu dëshiron para së gjithash, parlament të pavarur, me funksion të fuqishëm mbikëqyrës mbi pushtetin ekzekutiv. Në fakt, në atë mënyrë opozita do të mund të jetë komponentë aktive në kontrollin mbi pushtetin ekzekutiv a në të njëjtën kohë, në mënyrë shumë më efikase do të mund ti artikulojë interesat dhe angazhimet e veta programore, për çka edhe ka fituar vota nga trupi votues. Por, në të njëjtën kohë, si opozitë parlamentare, do të duhet të ndërmarrë edhe një pjesë të përgjegjësisë për proceset e përgjithshme demokratike në shtet, dhe për sfidat që qëndrojnë para kësaj përbërjeje parlamentare. 

Prandaj, edhe seancën e sotme të Komisionit për Sistem Politik unë e shoh si një kontribut mundet në shikim të parë të vogël por, gjithsesi, kontribut cilësor në përforcimin e mëtutjeshëm të kapacitetit demokratik të Kuvendit, pa dallim nëse jemi pjesë e shumicës ose po pjesë e opozitës. Përveç kësaj, kjo paraqet shembull të praktikës e cila duhet të ndiqet edhe nga trupat tjerë punues në Kuvend. Jam i bindur se siç ka qenë praktikë edhe deri tani, edhe prej tani, misioni i OSBE-së dhe të gjithë miqtë tanë tjerë ndërkombëtarë do na ndihmojnë në mënyrë të pashtershme.

Ju faleminderit për vëmendjen! 

Click