Aktivitetet

E premte, 16 mars 2018

TERRORIZMI ËSHTË KRIM I PËRBASHKËT DHE BASHKËRISHT DUHET TË FITOHET 

Komisioni për Mbrojtje dhe Siguri i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë realizoi takim me delegacionin e lartë të Bashkimit Evropian, të udhëhequr nga z. Pedro Serano, zëvendëssekretar i përgjithshëm për siguri të përbashkët dhe politikë mbrojtëse, në fokus të të cilit ishte përforcimi i bashkëpunimit në luftë me krimin global - terrorizmi dhe radikalizmi. 

Në takimin morën pjesë kryetari i Komisionit për Mbrojtje dhe Siguri, z.  Hari Llokvenec; zëvendëskryetari, z.  Ilija Nikollovski; anëtarët:  z.  Goran Misovski, znj. Frosina Tashevska-Remenski, z.  Xhevad Ademi, z.  Ivan Ivanov dhe z.  Rexhep Memedi, si dhe deputeti z.  Agim Murtezanov.  

Në fillim të takimit, kryetari Llokvenec dha një retrospektivë për bashkëpunimin e frytshëm ndërmjet Republikës së Maqedonisë dhe Bashkimit Evropian, për takimet, mbledhjet, programet, strategjitë, planet, aktivitetet e realizuara, gjë që ishte hyrje në një diskutim cilësor për një çështje të tillë si mbrojtja dhe siguria. 

Mysafirët e lartë pozitivisht i vlerësuan proceset reformuese, njëkohësisht duke shprehur falënderim për pjesëmarrjen e Republikës së Maqedonisë në misionet paqësore, si dhe për kontributin në ballafaqimin me krizën e emigrantëve. 

Në fushën e mbrojtjes, sigurisë dhe stabilitetit, vendi ynë sillet sikur është pjesë e BE-së dhe NATO-s dhe ashtu do të vazhdojë edhe në të ardhmen, sepse paqja globale është në interes të përbashkët. 

Mbështetja e vazhdueshme e BE-së është me rëndësi të veçantë për ne, si vend i vogël, me resurse dhe kapacitete të pamjaftueshme. Meqë ndikimi është i fuqishëm, paraqitet nevoja për përforcimin e kapaciteteve, për mekanizma më të rrepta, financa më të mëdha në sferën e mbrojtjes dhe sigurisë, vëmendje të zmadhuar në kufijtë dhe t'u kushtohet vëmendje më shumë luftëtarëve lokalë, ato që nuk janë të lidhur, as të inspiruar, si dhe financimit që arrin për grupe të tilla përmes kanaleve të ndryshme. Investimi në arsimin dhe kulturën është me rëndësi kryesore, gjithashtu edhe punësimi. 

U potencua rëndësia e rolit të Parlamentit në miratimin dhe implementimin e ligjeve dhe roli i tij mbikëqyrës. 

Republika e Maqedonisë i ndjek të gjitha direktivat e BE-së - rekomandimet, masat, proceset, rezolutat. Në Kuvendin ekziston pajtim për miratimin e akteve ligjore kundër çdo lloji të dhunës. Të gjithë deputetët, pa dallim se cilës parti i përkasin, janë pjesë e këtij fronti kundër ekstremizmit, terrorizmit dhe radikalizmit dhe bashkërisht me BE-në kjo betejë duhet të fitohet. Terrorizmi nuk njeh kufij, religjione, kultura, ai është krim i përbashkët dhe prandaj duhet ta fitojmë bashkërisht. 

Click