Собраниско раководство

E mërkurë, 11 nëntor 2018

Takim i kryetarit Xhaferi me kryetarin e Qeverisë së Republikës së Maltës, Jozef Muskat 

Takimi i sotëm i kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi me kryeministrin e Republikës së Maltës, Jozef Muskat i cili është në vizitë të parë zyrtare në Republikën e Maqedonisë, kaloi në atmosferë miqësore dhe konstruktive dhe në të njëjtën u këmbyen më shumë informata dhe mendime rreth bashkëpunimit të ardhshëm të dy vendeve, si në planin politik, ashtu edhe në atë ekonomik. 

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, duke i uruar mirëseardhje mysafirit të vet, shprehu shpresë se takimet në nivel të lartë ndërmjet dy vendeve në periudhën e ardhshme do të intensifikohen dhe kjo do të paraqesë mundësi për thellimin e bashkëpunimit të përgjithshëm në të gjitha fushat. Kryetari Xhaferi theksoi se Republika e Maqedonisë dhe Republika e Maltës nuk kanë çështje të hapura dhe marrëdhëniet janë korrekte dhe miqësore, por në të ardhmen duhet bashkërisht të punohet në përforcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar, për arsye se ekzistojnë të gjitha parakushtet dhe potenciali për këtë. Në vazhdim, ai shprehu mirënjohje për mbështetjen e deritanishme nga ana e Maltës për proceset tona eurointegruese dhe nënvizoi se për ne është e mirëseardhur ndihma dhe përvoja që mund ta fitojmë nga Republika e Maltës. Kryetari e informoi mysafirin për përcaktimin e fuqishëm të shtetit tonë për zhvillimin e bashkëpunimit dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore me rrethimin tonë dhe në këtë drejtim, shprehu shpresë se më së voni deri në mesin e muajit janar të vitit 2019 do të përfundohen procedurat kuvendare rreth amendamenteve kushtetuese dhe me këtë do të rrumbullakohet edhe ky proces i hapjes së dyerve kah NATO-ja dhe BE-ja. 

Kryetari i Qeverisë së Maltës, Jozef Muskat shprehu kënaqësi për pranimin e ngrohtë dhe miqësorë në të cilin hasi në Republikën e Maqedonisë dhe shprehu shpresë se marrëdhëniet e mira dhe miqësore do të vazhdojnë të zhvillohen edhe në të ardhme. Gjithashtu, kryeministri i Maltës shprehu gatishmërinë e vendit të tij për ti dhënë mbështetje Republikës së Maqedonisë në planin e integrimit në BE edhe atë me programe dhe plane konkrete, në rast se kjo kërkohet prej tyre, si në planin teknik ashtu edhe në atë administrativ. 

Në fund të takimit, kryetari Xhaferi e shfrytëzoi rastin që edhe njëherë të drejtojë me anë të mysafirit ftesë për kryetarin e Parlamentit të Maltës ta vizitojë Republikën e Maqedonisë dhe njëkohësisht i ftoi parlamentarët e dy vendeve ta intensifikojnë dhe përforcojnë komunikimin dhe bashkëpunimin e tyre. Të dy bashkëbiseduesit u pajtuan se do të japin kontribut maksimal për thellimin e bashkëpunimit të ardhshëm në çdo plan.                                                                                                                 

Click