KUVENDI I REPUBLIKËS SË MAQEDONISË SË VERIUT

E mërkurë, 20 dhjetor 2017

Takimi i deputetit Grubi me ambasadorin bullgar Petkov 

Sot kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, z. Artan Grubi, realizoi takim me ambasadorin e Republikës së Bulgarisë në Republikën e Maqedonisë, z. Ivan Velikov Petkov.

Në takimin i cili kaloi në frymën e miqësisë dhe konstruktivitetit, z. Grubi shprehu bindje se mbështetja e Bulgarisë për anëtarësimin e Maqedonisë në BE dhe NATO është e fortë, dhe në këtë kuptim, para se gjithash, me ndihmën e Sofjes do të hiqet rekomandimi i kushtëzuar për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE, në kuadër të kryesimit të ardhshëm gjashtëmujor të Bulgarisë me BE-në, i cili do të fillojë prej janarit të vitit të ardhshëm.

Grubi e theksoi rëndësinë e marrëdhënieve të mira fqinjësore me Bulgarinë, me ç'rast shprehu mbështetje të plotë në Marrëveshjen e arritur për marrëdhënie të mira fqinjësore me Bulgarinë dhe pret që kjo të ratifikohet në afatin më të shkurtër të mundshëm.

Grubi theksoi se angazhohet që deri në fund të vitit të zgjidhet çështja e prokurorit të ri, Ligji për verifikimin e fakteve dhe Ligji për këshillin gjyqësor me shpresë se edhe opozita do të vazhdojë të veprojë në Kuvend, do t'i mbështesë dhe do të bëhet pjesë e zgjidhjeve reformuese me çka do të dërgohen rezultate të dukshme në Bruksel, me qëllim të marrjes së rekomandimit të pastër dhe datës për fillim të negociatave me Bashkimin Evropian. 

Ambasadori Petkov, duke e theksuar mbështetjen bullgare për Republikën e Maqedonisë në rrugën drejt NATO-s dhe BE-së, informoi se, Bulgaria është mbështetëse e fuqishme në procesin e zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe se në kuadër të kryesimit të tyre, njëri ndër prioritetet kryesore të Bulgarisë do të jetë pikërisht ky proces.

Në takimin u morën vesh se më 15 janar 2018, në mbledhje të veçantë tematike, në organizim të Komisionit për Çështje Evropiane, ambasadori Petkov do të ketë prezantim të Programit dhe Prioriteteve të kryesimit të ardhshëm të Republikës së Bulgarisë me Bashkimin Evropian. 

Gjithashtu, ambasadori Petkov informoi për të gjitha aktivitetet e parapara në kuadër të Kryesimit, siç është Samiti i Kryeministrave i përkushtuar vendeve të Ballkanit Perëndimor i cili do të mbahet më 17 maj në Sofje, si dhe për vizitën zyrtare në Republikën e Maqedonisë të z. Ivan Radev, President i Republikës së Bulgarisë.

a

Na ndiqni në:

Click