Udhëheqja parlamentare

E mërkurë, 28 shtator 2016

Fjalimi e Kryetarit Veljanoski me rastin e shënimit të Ditës ndërkombëtare të të drejtës së qasjes në Informatat me karakter publik dhe 10 vjetorit të ekzistimit të Komisionit 

I nderuar kryetar i Komisionit,
Ekselenca juaj,
Zonja dhe zotërinj,

Në fillim dëshiroj t'jua uroj jubileun, përkatësisht dhjetë vjetorin e formimit të Komisionit për Mbrojtje të të Drejtës për Qasje të Lirë në Informatat me Karakter Publik, e njëkohësisht të gjithë bashkërisht ta shënojmë edhe Ditën ndërkombëtare të qasjes në informata me karakter publik.

Të gjithë e dimë këtë thënie të vjetër se ai i cili i posedon informatat, ai e sundon botën.  Andaj, e drejta e qasjes së lirë në informatat me karakter publik, sot, përbën një prej shtyllave kryesore të demokracisë, e njëkohësisht edhe vegël e rëndësishme me të cilën opinioni mund ta ushtrojë kontrollin mbi pushtetin. Përcaktimi ynë strategjik është anëtarësimi në NATO dhe BE, ndërsa realizimi i këtyre përcaktimeve tona strategjike e imponon qasjen e lirë në informatat me karakter publik si një prej kritereve kryesore për anëtarësim të plotfuqishëm.

Të nderuar miq,

Republika e Maqedonisë në këto 25 vite arriti që t'i inkorporojë principet e demokracisë parlamentare, sundimin e të drejtës, përkatësisht standarde dhe principe me të cilat Republika e Maqedonisë e fitoi statusin e shtetit kandidat për anëtarësim në BE, e gjithashtu, u përmbushën edhe kushtet për anëtarësim të plotfuqishëm në NATO.   Megjithatë, edhe më tutje duhet të vazhdojmë të punojmë në forcimin e mëtutjeshëm të të gjitha proceseve që shpijnë në demokraci më të madhe, në funksionalizëm më të mirë të shtetit dhe institucioneve, e gjithë kjo është në dobi të qytetarëve.

Komisioni për Mbrojtje të të Drejtës për Qasje të Lirë në Informatat me Karakter Publik në dhjetë vitet e fundit bëri një hap cilësor në realizimin e një nga principet themelore demokratike, e kjo është qasja e lirë në informatat me karakter publik. Atë që dëshiroj ta theksoj në veçanti është fakti që del nga raportet tona të rregullta, se që nga viti i kaluar rritet numri i qytetarëve të cilët si individ kanë parashtruar ankesë për shkeljen e të drejtës së tyre për qasje të lirë në informatat me karakter publik.

Kjo tregon forcim të vetëdijes së qytetarëve si individ për të drejtën individuale, por edhe obligim për të qenë i informuar. Njëkohësisht, tregon se ju si institucion jeni të njohur në shoqëri si organ i pavarur përmes të cilit qytetarët mund të ankohen nëse ndonjë institucion ua shkurton këtë të drejtë.

Zonja dhe zotërinj,

Gjithmonë gjatë shënimit të përvjetorëve të tillë parashtrohet pyetja vallë është bërë mjaftueshëm, përkatësisht vallë ka pasur gjasa për të bërë më shumë. Mendoj se Komisioni për Mbrojtje të të Drejtës për Qasje të Lirë në Informatat me Karakter Publik, si organ i pavarur shtetëror, realizoi më shumë dimensione komplementare të asaj që në kuptimin më të gjerë të fjalës e emërojmë si demokraci. Dimensionin e parë tashmë e përmenda, e ky është trendi pozitiv i qytetarëve të cilët si individë ankohen se ndonjë institucion ua shkurton të drejtën për të qenë të informuar, përkatësisht të kenë qasje në informatat me karakter publik. Por, gjithashtu, është e rëndësishme që në këto dhjetë vite ju arritët të tejkaloni një grumbull barrierash institucionale. Gjithashtu, dëshiroj t'i theksoj trajnimet tuaja me personat që janë të ngarkuar për dhënie të informatave me karakter publik, si dhe personat udhëheqës nga institucionet, me çka e ndryshoni vetëdijen burokratike.

Të nderuar të pranishëm,

Dëshiroj që edhe njëherë juve si Komision dhe shërbimeve tuaj profesionale t'jua uroj jubileun dhe t'ju dëshiroj punë të suksesshme. Në këtë eveniment të bukur dëshiroj t'u bëj thirrje të gjithë institucioneve, përfshirë edhe Kuvendin, për respektim konsekuent të obligimeve të veta kur bëhet fjalë për qasje të lirë në informatat me karakter publik, që dalin nga ligji i cili e rregullon këtë problematikë të rëndësishme. Gjithashtu, dëshiroj të përmend se, si deri më tani, ashtu edhe në të ardhmen, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë, në kuadër të kompetencave dhe obligimeve të veta, do të hapet për të gjitha iniciativat tuaja që do të shpijnë në qasje më cilësore në informatat me karakter publik.

Ju faleminderit për vëmendjen. 

Click