Udhëheqja parlamentare

E mërkurë, 31 gusht 2016, Varshavë 

Komentimi i kryetarit Veljanoski me temë: "Kontributi i parlamenteve nacionale në bashkëpunimin multilateral në Evropën Lindore dhe Qendrore"

"Fakti se sot jemi këtu dhe debatojmë në më tepër tema flet për rolin, rëndësinë dhe përgjegjësinë e parlamenteve nacionale në zhvillimin e marrëdhënieve bilaterale, por gjithnjë e më tepër të marrëdhënieve multilaterale, si në nivelin e bashkëpunimit rajonal, ashtu edhe në nivelin e Bashkimit Evropian dhe më gjerë. Sot të gjitha organizatat dhe asociacionet e rëndësishme ndërkombëtare në strukturën e tyre përfshijnë edhe asamble parlamentare si segment të rëndësishëm institucional në punën e tyre.

Republika e Maqedonisë është anëtare e më tepër asociacioneve rajonale dhe pa modesti të rrejshme duhet të theksoj se në kornizat e mundësive tona japim kontribut maksimal në realizimin e qëllimeve, detyrave dhe politikës së përgjithshme të këtyre asociacioneve rajonale. Në këtë mënyrë, përmes një sinergjie pozitive, përmes dialogut konstruktiv dhe përmes respektimit të argumenteve të tjetrit do të gjenden zgjidhjet më të mira që do të jenë të dobishme për secilin shtet, posaçërisht edhe për rajonin në tërësi.

Si shembull, në iniciativën e Parlamentit të Hungarisë si kryetarë të parlamenteve të shteteve të rajonit të Ballkanit Perëndimor, rregullisht takohemi në Budapest, ku debatohet për shumë çështje të rëndësishme lidhur me rajonin, por edhe perspektivën e tij euroatlantike. 

Më tutje, më lejoni të përkujtoj se paradokohe shënuam njëzet vjet nga ekzistimi i Asamblesë Parlamentare të Evropës Juglindore. Asociacioni rajonal i formuar në vitin 1996 i cili përmes punës së tij përgjigjet në shumë sfida me të cilat ballafaqohemi, sikurse për rajonin, ashtu edhe për secilin vend-anëtar. Ajo që sipas meje është ndoshta arritja më e madhe është fakti se ngadalë, por sigurt kthehet besimi ndërmjet shteteve-anëtare në rajon. Te ne ka një fjalë të urtë që thotë: "Nëse ariu hyn në oborrin e fqinjit, shko dhe ndihmoji, sepse nesër do të hyjë edhe në oborrin tënd". Sot kur jetojmë në botën ku proceset e globalizimit zhvillohen shumë shpejt nuk besoj se secili shtet mund vet t'u përgjigjet këtyre proceseve. Andaj, nevojitet ky bashkëpunim në nivel bilateral, por edhe më me rëndësi në nivelin multilateral. Në këtë mënyrë, shumë më shpejtë do të zbatohen trendet pozitive që i sjell globalizimi. Por, po aq me rëndësi është përmes këtij bashkëpunimi rajonal, përkatësisht multilateral t'u përgjigjet këtyre dukurive negative që i ndjekin proceset e globalizimit. Të përkujtoj në problemin me krizën e refugjatëve. Ju e dini se Maqedonia ishte zonë transite për këta njerëz të cilët mundimi dhe luftërat i detyruan t'i lëshojnë shtëpitë e tyre.

Për fat të keq, në fillim të krizës bashkëpunimi në nivel bilateral dhe multilateral nuk ishte përkatës, kurse nuk guxon të injorohet fakti se ne si shtet i vogël kemi shumë resurse të kufizuara. Vetëm si ilustrim të problemit do të përmend se Maqedonia ka 2 milionë banorë, kurse nëpër shtetin tonë tranzituan thuajse një milionë refugjatë. Më vonë ky bashkëpunim multilateral filloi të funksionojë dhe ishte i dobishëm për tërë rajonin, përkatësisht për të gjitha shtetet nga ajo rutë e refugjatëve, por edhe për vetë emigrantët.

Dhe në këtë rast dua të apeloj te të gjithë pjesëmarrësit në kornizat e kompetencave dhe autorizimeve të tyre çdoherë në kornizat e parlamenteve të tyre nacionale dhe institucioneve tjera nacionale ta nxisin bashkëpunimin multilateral përmes formave të ndryshme. Mendoj se në periudhën e kaluar morëm mjaft përvojë dhe njohuri se si të gjithë së bashku të ndërtojmë ardhmëri më të mirë, sikurse në shtëpi në shtetet tona, ashtu edhe në nivel të rajoneve, e me të edhe në nivel të Evropës së bashkuar."     

Click