Aktivitetet

E diel, 2 gusht 2020, Meçkin Kamen, Krushevë

Fjalimi i nënkryetarit Misovski në shënimin solemn të 2 Gushtit - Ditës së Republikës 

E nderuar nënkryetare e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, z-nja Shekerinska,
Të nderuar anëtarë të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut,
Të nderuar deputetë,
Të nderuar përfaqësues të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtatmadhorisë së Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut,
Të nderuar përfaqësues të Kabinetit të Presidentit të Republikës,
Të nderuar përfaqësues të Këshillit Kryesor të Lidhjes së Luftëtarëve të UAÇPM dhe qytetarëve vazhdues,
Të nderuar përfaqësues të vetëqeverisjes lokale,
Të nderuar përfaqësues të partive politike, Të nderuar Shkëlqesi, përfaqësues të përfaqësive diplomatike-konsullore në Republikën e Maqedonisë së Veriut,
Të nderuar përfaqësues të mjeteve të informimit publik,
Të nderuar qytetarë të Republikës së Maqedonisë së Veriut,
Zonja dhe zotërinj,

Më lejoni që në emër të Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, i nderuari Talat Xhaferi, i cili për shkak të arsyeve shëndetësore nuk është në mundësi të drejtohet këtu para jush dhe të cilit unë i uroj rikuperim sa më të shpejtë, në emrin tim personal dhe në emër të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, të gjithë qytetarëve tanë brenda dhe jashtë kufijve të shtetit,  t'ju uroj Ditën e Republikës nga Meçkin Kamen-i i famshëm, i cili është një nga përmendoret e Republikës së Krushevës dhe dëshmi për një kryengritje heroike.

Shënimi i sotëm, siç jeni edhe vetë dëshmitarë, është i pazakonshëm krahasuar me të gjitha kremtimet e mëparshme, dhe përsëri, si duket shndërrohet në të zakonshëm dhe gjithsesi jashtëzakonisht i domosdoshëm, nëse e marrim parasysh aktualitetin dhe kanosjen nën të cilën jetojmë ne mirëpo edhe gjithë bota pothuajse prej fillimit të muajit mars të këtij viti.

Jam i bindur se kemi mirëkuptimin e plotë nga të gjithë ju, por edhe nga qytetarët të cilët sot nuk kanë mundësi të jenë këtu dhe shënimin e kësaj dite të rëndësishme historike e përcjellin prej para ekraneve televizivë, për shkak se shëndeti është mbi të gjitha!

Besoni se dhe unë sot kisha dashur më së shumti se gjithçka para vetes të kem pamjen të cilën jemi mësuar ta shohim çdo vit gjatë shënimit të kësaj date historike jashtëzakonisht të rëndësishme për ne dhe për qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut, kudo që të gjenden anembanë botës.

Mirëpo, jemi të vetëdijshëm se sot, edhe ne, si edhe të gjitha shtetet, jemi të drejtuar para rrezikut të quajtur KOVID-19 që është kanosje globale për shëndetin e njerëzve, test i rëndë për sistemet shëndetësore dhe sfidë tejet e madhe për ekonominë botërore.

Prandaj, do të jemi të disiplinuar, do i respektojmë rekomandimet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe masat e ndërmarra nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Dhe, do e tejkalojmë këtë, do e mposhtim edhe pandeminë, me të gjitha pasojat e saj negative. Do të dalim më të fuqishëm, të bashkuar dhe gjithsesi më të mençur dhe më të pasur për një përvojë, për një vlerë të cilën si duket gjithmonë e anashkalojmë dhe ky është shëndeti dhe vlerat morale siç janë solidariteti, humanizmi dhe sakrifica e punëtorëve tanë shëndetësorë.

Së këndejmi, shpreh respekt dhe falënderim për profesionalizimin e jashtëzakonshëm, përkushtimin dhe vetëmohimin që punëtorët tanë shëndetësorë treguan gjatë kësaj periudhe të kaluar.

Të nderuar mysafirë dhe qytetarë të dashur,

Prej 2 Gushtit të kaluar deri në këtë 2 Gusht, kaloi vetëm një vit, mirëpo, besoj se edhe Ju e ndani mendimin tim se ky është vit të cilin do e mbajmë mend për njërën nga datat më të rëndësishme për vendin tonë.

Respektivisht, më 11 shkurt, në Kuvend u ratifikua Protokolli për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në aleancën ushtarake-politike NATO, qëllim strategjik i cili ishte vendosur qysh në vitin 1993, menjëherë pas pavarësisë së vendit, që në vitin 1995 të fitojmë statusin e kandidatit.

Punuam zellshëm, të gjithë, prej të gjitha proveniencave politike, që të mund të bëhemi pjesë e familjes së madhe të aleancës NATO, me përmbushjen e të gjitha parakushteve të domosdoshme për të ndërtuar shtet stabil, të sigurt, modern dhe ekonomikisht të zhvilluar.

Siguruam sigurinë e integritetit territorial dhe sigurinë e kufirit tonë dhe tani më në fund mund të themi se kemi vënë edhe një gurë përforcimi në themelet e shtëpisë sonë të përbashkët, shtetit tonë.

Për shkak se, të jesh nën ombrellën e NATO-s do të thotë siguri kolektive, do të thotë një për të gjithë, gjithë për një, si familje, si mbrojtës.

Të jemi të sinqertë, Republika e Maqedonisë së Veriut, edhe pse e vogël sipas territorit, u bë shembull në rajon dhe në botë, me qasjen e vet të hapur dhe dialogun e sinqertë me të gjithë fqinjët, duke promovuar politikë fqinjësore të mirë të bashkëpunimit dhe mirëkuptimit. Për arsye se, ne dimë si.

Ne na ka mësuar jeta, ne çdoherë kemi qenë mjedis multietnik, multikonfesional, në të cilin secili e ka gjetur qiellin e vet të kaltër, diellin e vet të ngrohtë, paqen e vet shpirtërore dhe copë buke për familjen e vet dhe ka ndarë edhe të mirën edhe të keqen me fqinjin, me të afërmin dhe më të largëtin.

Bile më shumë në momentet e vështira, për arsye se pikëllimi ka mbijetuar kohë të gjatë në këtë nënqiell. Duket sikur shfrytëzimi i dallimeve ka qenë një truall i menjëhershëm dhe shumë virulent për nxehjen e shpejtë të armiqësive dhe konflikteve.

Mirëpo, ishim të mençur, u ngritëm mbi ato botëkuptime anakrone dhe nxorëm mësim: gjithë është kur ka gjithçka! Gjithë është kur të gjithë janë qytetarë të lumtur, të kënaqur, të barabartë, kur secili është juridikisht i mbrojtur dhe i gëzon të drejtat dhe liritë e njëjta, është njësoj konkurrent në tregun e punës dhe është njësoj i vlerësuar për punën dhe kontributin e vet.

Sepse, ky është një vend i shkëlqyeshëm, zemërgjerë, në të ka vend për çdo qëllimmirë, për secilin që i ka tejkaluar interesat e ngushtë dhe egoistë dhe që e sheh pikturën e madhe, të përbashkët në të cilën ekziston respekt i ndërsjellë dhe mirëkuptim për veçoritë që na dallojnë a që në fakt prodhojnë mozaikun më të bukur të njerëzimit.

Të nderuar qytetarë,

Kemi pasur dhe me siguri do të kemi edhe më tutje sfida në rrugën e përforcimit dhe përparimit të demokratizimit dhe të përparimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Megjithatë, një gjë është e sigurt dhe kjo është se, të gjithë deri te i fundit, pa dallim në proveniencën politike, besojmë në perspektivën evropiane të vendit tonë dhe rajonit dhe të gjithë deri te i fundit synojmë të përmbushim edhe qëllimin e dytë strategjik prej pavarësisë së shtetit, dhe ky është të bëhemi pjesë e familjes së madhe evropiane.

Në këtë kontekst, na nevojiten institucione funksionale dhe të përgjegjshme të cilat  do të mund të japin rezultate të dukshme dhe efektive, të cilat  do të jenë në linjë me kornizën e negociatave nga Komisioni Evropian, që të mund të hapim kapitujt për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Duke e pasur parasysh se para do kohe kishim zgjedhje të parakohshme parlamentare, dhe jemi në pritje të Seancës Konstitutive, apeloj te të gjithë faktorët politikë, pa dallim nëse janë pushtet apo pozitë, të gjithë që kemi pranuar përgjegjësinë për të udhëhequr shtetin, të besuar nga qytetarët, me vizion dhe mençuri të arsyetojmë besimin e tyre dhe ti përmbushim premtimet dhe zotimet e dhëna para tyre.

Qytetarët, me të drejtë presin përparim dhe zhvillim të shpejtë, mbrojtje dhe siguri që do të mundësojnë që të ardhmen e tyre ta shohin dhe ta ndërtojnë në shtëpi, në vendet e tyre të lindjes, në atdheun tonë të përbashkët.

Sepse Ju të nderuar qytetarë, pa dallim në vështirësitë dhe krizat, pa dallim në diferencat, nuk lejuat të çrregullohet fryma e bashkësisë, e bashkëjetesës dhe tolerancës dhe Ju, pikërisht Ju keni kontribut shumë të madh në mbajtjen e këtij ritmi dhe të orientimit përparimtar dhe ne jemi njëlloj përgjegjës për suksesin dhe ngecjen në zhvillimin e shtetit.

Dhe prandaj sot, kur i shënojmë të dy Ilindenët dhe kur shprehim respektin dhe mirënjohjen të pafund ndaj të gjithë ilindenasve, shpreh admirim për guximin e tyre, mençurinë, vizionin dhe sakrificën e tyre.

Kishin një ëndërr për shtet të lirë, të pavarur, të përbashkët në të cilin respektimi i të drejtave dhe lirive të njeriut është e drejtë fondamentale e gjithë qytetarëve të saj, pa dallim në përkatësinë etnike, fetare ose cilado përkatësi tjetër dhe pa u kursyer u investuan në këtë.

Dhe të gjithë ne jemi pasardhës të Ilindenit, sepse besojmë se kjo edhe në të ardhme do të jetë koncepti më i mirë dhe i vërtetë i cili i përfshin vlerat e përbashkëta të cilat i kremtojmë të gjithë, i festojmë, vlera që na bashkojnë dhe ndërlidhin, na bëjnë qytetarë krenarë dhe të bashkuar të shtetit tonë të përbashkët.

Kemi përgjegjësi që këtë koncept, të ruajmë dhe zhvillojmë, për ne dhe për gjeneratat e ardhshme. Kemi obligim të ndërtojmë shtet të atillë qytetar, shoqëri të atillë të gjithë qytetarëve në të cilën fëmijët tanë, nipërit dhe të gjitha gjeneratat e ardhshme do të ndjehen evropian, botëror, a përsëri në shtëpi, të vetit në shtëpinë e vetë, në Republikën bashkëkohore dhe të prosperuar të Maqedonisë së Veriut!

Gëzuar dhe i përhershëm qoftë 2 Gushti - Dita e Republikës!

Ju faleminderit për vëmendjen, uroj ditë të bukur festive! 

Click