Udhëheqja parlamentare

E dielë, 7 prill 2019, Doha, Katar

Fjalimi i Kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut në Asamblenë e 140. të Unionit Interparlamentar në temën „Parlamentet si platforma për rritjen e edukimit për paqe, siguri dhe sundim të të drejtës"

I nderuar kryesues, 
Kolegë të nderuar, 
Shkëlqesi,
Zonja dhe zotëri,

Arsimi në historinë njerëzore është një nga vlerat më të vjetra të civilizimit. Shumë gjatë, arsimi ka qenë privilegj vetëm për një shtresë të ngushtë të njerëzve, a në të njëjtën kohë edhe vegël e shkëlqyer për sundimin mbi masat e gjera, të paarsimuara, respektivisht njerëzit analfabetë, pa dallim nëse bëhet fjalë për shoqëritë skllavopronare, feudale apo tip tjetër i rregullimit shoqëror. Pas luftës së dytë botërore dhe formimit të Kombeve të Bashkuara, arsimi, përveç vlerës së civilizimit, bëhet edhe pjesë e të drejtave individuale të njeriut. Sot, në kuadër të Kombeve të Bashkuara, mandej Këshillit të Evropës si edhe në asociacionin tonë, kemi shumë konventa, rezoluta dhe akte të tjera të cilat e definojnë arsimin si një nga të drejtat dhe liritë themelore të njeriut. Me këtë, arsimi sot është pjesë e të drejtës ndërkombëtare dhe si i atillë është i pranishëm në legjislacionet nacionale të çdo shteti i cili i respekton të drejtat njerëzore. Gjegjësisht, çdo shtet është i obliguar që tu sigurojë qytetarëve të vet qasje dhe arsim cilësor. Por, kjo është vetëm njëra anë e medaljes. Arsimi në proceset e sotme të globalizimit të cilët në vete bartin shumë sfida, nuk guxon të kufizohet vetëm në njohuri dhe shkathtësi konkrete. Sot kemi nevojë për njerëz të cilët e kuptojnë shumë më mirë botën bashkëkohore dhe të gjitha sfidat që paraqiten. Nëpër procesin arsimor doemos duhet të formohet personalitet i cili do i respektojë të drejtat dhe liritë njerëzore, i cili di ta pranojë tjetrin, të ndryshmin, pa dallim nëse bëhet fjalë për racë, gjini, religjion, përkatësi etnike, status social apo cilindo dallim tjetër. Nëse ne nuk ua mësojmë këto vlera dhe standarde, fatkeqësisht, dikush tjetër do e shfrytëzojë këtë dhe do i mësojë të urrejnë gjithçka që është ndryshe prej tyre.

Zonja dhe zotëri,

Në këto procese globale të sistemit arsimor, gjithsesi se parlamentet nacionale kanë rol të madh. Çfarë sistemi arsimor kemi në nivel të shteteve nacionale varet në masë të madhe nga parlamenti, nëpërmjet procesit të nxjerrjes së ligjeve të cilët në mënyrë të drejtpërdrejtë apo tërthortë e mbulojnë apo determinojnë procesin edukativ. Por, nuk përfundon këtu roli dhe përgjegjësia jonë. Parlamentet kanë edhe funksion mbikëqyrës i cili është vegël shumë e rëndësishme me të cilën bëhet mbikëqyrje dhe kontroll se si zbatohen ligjet konkrete, ku paraqiten dobësi, paqartësi, dhe në bazë të këtyre njohurive të ndërmerren masa konkrete. Në të njëjtën kohë, përmes të ashtuquajturës diplomaci parlamentare, si në nivelin bilateral ashtu edhe bashkëpunimi multilateral, mundemi ndërmjet veti të këmbejmë përvoja dhe njohuri, respektivisht, të mësojmë prej njëri tjetrit.

Më lejoni në vazhdim shkurtimisht të përqendrohem në gjendjen me sistemin edukativ në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Te ne, sipas ligjit, arsimi deri në nivelin e arsimit të mesëm është i obligueshëm dhe gjithsesi, falas. Duke e pasur parasysh se ne jemi shoqëri multietnike, për bashkësitë më të mëdha etnike, atë maqedonase dhe shqiptare, kemi siguruar proces të tërësishëm arsimor në gjuhën amtare. Sa i takon bashkësive më të vogla etnike, siç janë për shembull ajo rome, turke, serbe, vllahe dhe tjera, shteti siguron që nxënësit ta ndjekin minimum arsimin fillor në gjuhën amtare, a në raste të caktuara kemi siguruar edhe arsim të mesëm në gjuhën amtare. Intenca është që përmes procesit arsimor, të rinjtë, përveç kulturës, gjuhës dhe traditës së vet, të njoftohen edhe me kulturat e tjerëve, gjegjësisht, siç themi te ne, bashkë ndërtojmë një shoqëri për të gjithë, por jo nëpërmjet procesit të asimilimit por, përmes një sistemi bashkëkohor edukativ. Dëshiroj të theksoj edhe një dimension. Në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ku përveç tjerave gjendet edhe Republika e Maqedonisë së Veriut, në të kaluarën kemi pasur periudha shumë të stuhishme, për fat të keq edhe konflikte ushtarake, të cilat në masë të madhe bazoheshin pikërisht mbi mosrespektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut, mbi shumë paragjykime dhe stereotipa, për fat të keq të pranishme edhe në proceset arsimore. Sot, bashkë me fqinjët tanë, nëpërmjet komisioneve të përbashkëta punojmë në atë që ato paragjykime, stereotipa dhe veprime të shtrembëruara historike ti mënjanojmë nga tekstet shkollore dhe nga procesi arsimor. Mendoj se kjo do të jetë mirë, jo vetëm për rajonin por edhe më gjerë, a edhe këtu parlamentet nacionale mund të kenë qasje shumë pozitive dhe konstruktive. Në këtë mënyrë, të gjithë së bashku japim kontribut të vërtetë, procesi arsimor në nivelin rajonal a edhe në nivelin global të jetë ajo që bashkon dhe do të jetë mbrojtësi i vërtetë para dukurive të ndryshme të radikalizmit të këtillë apo atillë. A, jam i bindur se kjo konferencë dhe përfundimet që do i miratojmë do të jenë në atë drejtim dhe do të jenë edhe obligimi ynë në nivel të shteteve që përmes parlamenteve ti zbatojmë në përditshmërinë.

Ju faleminderit për vëmendjen!

Click