Udhëheqja parlamentare

E martë, 3 dhjetor 2019 

Fjalimi i Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Konferencën nacionale "Ngritja e kapacitetit mbikëqyrës të Kuvendit nëpërmjet përforcimit të bashkëpunimit me aktorët e jashtëm me rol mbikëqyrës", të organizuar nga Misioni i OSBE-së në Shkup 

I nderuar Ambasador Klemens Koja,  
Të nderuar kolegë deputetë,  
E nderuar Sekretare e përgjithshme Ivanova, 
Të nderuar përfaqësues të organeve të pavarura shtetërore, 
Përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe joqeveritare, 
Zonja dhe zotëri, 

Më lejoni të përshëndes fillimin e kësaj konference të organizuar nga ana e miqve tanë nga OSBE-ja dhe Ambasadorin Klemens Koja, dhe të uroj diskutim të suksesshëm dhe të frytshëm në emrin tim personal dhe në emër të deputetëve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Doemos të them që në fillim se temat e përcaktuara për dy sesionet e sotme janë jashtëzakonisht të rëndësishme, nëse jo edhe esenciale për përmbushjen përkatëse të rolit të gur-themelit të demokracisë përfaqësuese, respektivisht, kryerjes së mbikëqyrjes, bashkë me funksionin ligjvënës dhe përfaqësues. Kuptohet se këto tre funksione themelore janë ngushtë të ndërlidhura ndërmjet veti, plotësohen dhe paraqesin tërësi e cila është indikator për shkallën e pjekurisë të një shoqërie dhe një rregullimi shtetëror. 

Para pothuajse tre muajve kishim një trajnim për komunikimin me qytetarët, po ashtu të organizuar nga Misioni i OSBE-së në Shkup, dhe në të cilin në fakt temë ishte funksioni përfaqësues i Kuvendit, që sot të vazhdojmë me funksionin mbikëqyrës që në fakt është rrjedhë e logjikshme e funksionit ligjvënës të dhomës ligjvënëse. Pse? Sepse ligjet, sado që të jenë bukur dhe korrekt të shkruar në letër, sado që të jenë të harmonizuar me legjislacionin dhe direktivat evropiane, përsëri, ato janë vetëm shkronjë e vdekur në letër dhe ajo që është me rëndësi esenciale është implementimi i tyre, respektimi dhe zbatimi konsekuent në praktikë me çka edhe realisht do të shihet ndikimi i tyre mbi përmirësimin ose mundet vështirësimin e jetës së qytetarëve. Gjithsesi, që të jetë mbikëqyrja efektive, duhet të përmbushen disa parakushte, gjegjësisht, siç është theksuar në Raportin global parlamentar për vitin 2017 - Mbikëqyrja parlamentare e UIP (IPU), nevojitet: mandat i fuqishëm me fuqi qartë të përkufizuara për kërkimin përgjegjësi nga Qeveria; participantë të përkushtuar me vullnet të cilët janë të përgatitur ti shfrytëzojnë fuqitë që i kanë në dispozicion që të kërkojnë përgjegjësi prej Qeverisë dhe kapacitet në Parlament për të treguar dhëmbë këto fuqi, përfshirë edhe burime të pavarura për kërkim dhe analiza dhe shkallë të sanksioneve të mundshme. 

Të nderuar, 

Roli i Kuvendit është multidimensional, gjegjësisht, në të njëjtën kohë është zëri i qytetarëve, i mbron interesat e tyre me atë që nëpërmjet mbikëqyrjes kërkon përgjegjësi prej ekzekutivit për zbatimin e politikave dhe vendimeve të cilat ndikojnë në mënyrë direke mbi jetën e tyre, me ç'rast mban llogari për qëllimet fondamentale, respektivisht promovimin e lirive të qytetarëve, mirëqenien e tyre dhe në të njëjtën kohë e përmirëson edhe udhëheqjen. Shkurtimisht, kujdeset për sigurimin e baraspeshës së fuqisë e cila në rast se është e pakufizuar, pa mbikëqyrje dhe kontroll, rrezikon ti tejkalojë kornizat e veta, ta çrregullojë balancën dhe të shkaktojë dëme të pakthyeshme ndaj shtetit juridik, ndaj besimit të qytetarëve në drejtësinë dhe përgjegjësinë e institucioneve dhe kuptohet, ndaj mirëqenies së përgjithshme të të gjithëve. Realisht, nuk e di sa e kuptojnë të gjithë fuqinë e dhomës ligjvënëse mirëpo, jam  fortë i vendosur dhe mendoj se për këtë e kam mbështetjen e të gjithë deputetëve që Kuvendi të jetë ajo që është me Kushtetutë, fener i demokracisë, me ç'rast krahas vullnetit të deputetëve, që është i pakontestueshëm i kemi ose i krijojmë parakushtet tjera të duhura. Gjegjësisht, në drejtim të funksionit mbikëqyrës, kemi bërë ndryshime ligjore me qëllim që trupat e përhershëm të Kuvendit nga fusha e të drejtave dhe lirive njerëzore konstatimet e të cilave janë bazë për ngritjen e procedurës për përcaktimin e përgjegjësisë të bartësve të funksioneve publike, ose po Komisioni për Mbikëqyrjen e Punës së Agjencisë për Siguri Nacionale dhe Agjencisë për Kundërzbulim dhe Komisionit për Mbikëqyrjen e Zbatimit të Masave për Ndjekjen e Komunikimeve, të jenë faktorë aktivë të cilët në të njëjtën kohë mbajnë llogari edhe për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të qytetarëve. Gjithsesi se jemi të hapur për bashkëpunim me faktorët e jashtëm si Avokati i Popullit, mirëpo edhe ndaj organeve të pavarura shtetërore, siç janë institucionet e revizionit, komisionet dhe agjencitë e ndryshme, institucionet nacionale dhe gjithsesi sektori joqeveritar, dhe kjo është kështu për arsye se ne nuk pretendojmë se jemi njohësit më të mirë të gjitha fushave, por, jemi të hapur për bashkëpunim me qëllim që të sigurohen kushtet më të mira për jetën dhe standardin optimal të qytetarëve. Në këtë kontekst, patjetër të theksoj se bashkëpunimi me organizatë të afirmuar ndërkombëtare siç është OSBE-ja mirëpo edhe një sërë miq tanë besnikë dhe partnerë strategjikë është me rëndësi të paçmuar. Mundësojnë mendime eksperte, informim apo vendosje të praktikave më të mira të vërtetuara dhe të mundshme dhe gjithsesi, posedojnë kapacitet dhe resurse të cilat i kemi në dispozicion. Prej nesh varet se sa do e vëmë dhomën ligjvënëse në piedestalin që e ka të garantuar me Kushtetutë dhe sa ajo fuqi do të jetë e orientuar kah avancimi dhe zhvillimi i shtetit në kahun e vërtetë. 

Zonja dhe zotëri, 

Jemi të vetëdijshëm se për të pasur Kuvend vërtetë funksional, kryesore është të kemi Kuvend të pavarur në aspektin financiar, dhe natyrisht, shërbim të pavarur të Kuvendit, shërbim profesional, të depolitizuar, maksimalisht të përkushtuar dhe të përgatitur të përgjigjet ndaj nevojave speciale dhe të paparashikueshme të Kuvendit. Dhe, kur jemi te parashikimi i punës së Kuvendit, e dini se bëjmë përpjekje në drejtim të asaj të kemi kalendar të Kuvendit, sado që të jetë kjo e pamundur me zhvillimin dinamik të ngjarjeve te ne. Kemi fat që kemi mbështetje pa rezervë nga miqtë tanë ndërkombëtarë të cilët janë pranë nesh tani kur i ndërmarrim këto hapa jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe unë jam mirënjohës për gjithë mbështetjen që e pranojmë prej tyre. Kemi projekte të përbashkëta, mirëpo edhe procese siç është Dialogu Zhan Mone i cili është unik për atë se mundëson debat të drejtpërdrejtë, të pangarkuar dhe konstruktiv ndërmjet pjesëtarëve të të gjitha grupeve parlamentare të cilët janë të bashkuar në drejtim të asaj se çfarë Kuvendi duam të kemi, jo vetëm për këtë përbërje parlamentare, por për çdo legjislaturë të ardhshme, që do të mund të mbështetet në shërbim të pavarur të Kuvendit. 

Të dashur miq, 

Uroj të ketë diskutime konstruktive dhe të dobishme ndërmjet të gjithë participantëve në drejtim të ballafaqimit me sfidat që e presin dhomën tonë legjislative.

Faleminderit për vëmendjen!

Click