Udhëheqja parlamentare

E mërkurë, 21 qershor 2017

Fjalimi i Kryetarit Xhaferi me rastin e mbrojtjes së Rajonit të Ohrit 

Qytetarë të nderuar, 

Më paraqet kënaqësi të veçantë që sot në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë mbahet një eveniment që ka të bëjë me nismën e sektorit civil për mbrojtjen e Rajonit të Ohrit si rajon i vetëm në Republikën e Maqedonisë i mbrojtur nga UNESKO-ja.

Sot, sërish konfirmojmë se Kuvendi me të vërtetë hapet ndaj qytetarëve, ndaj sektorit joqeveritar dhe ndaj mediumeve. Me hapjen e seancave të Kuvendit për qytetarët, e lehtësuam qasjen e qytetarëve te deputetët në kuadër të objektit të Kuvendit. Do të angazhohemi edhe për bashkëpunim më të madh dhe më të afërt me sektorin joqeveritar në tërësi. 

Dhe pikërisht për këtë arsye, nëpërmjet këtij evenimenti, në ditën e Liqenit të Ohrit, mundësojmë të shihet dhe të dëgjohet për nismën e Shoqatës Ekologjike të qytetarëve "Front 21/42", nismë për mbrojtjen e rajonit të Ohrit si rajon i vetëm te ne nën kapelën e UNESKO-s.  

Të nderuar,

Mbrojtja e mjedisit njerëzor është një nga sfidat më të mëdha të shekullit njëzet e një. Ky aktivitet i rëndësishëm qytetar është vetëm një hallkë në zinxhirin e aktiviteteve në fushën e ekologjisë dhe e reflekton devizën "Mendo globalisht, vepro lokalisht." Besoj se kjo nismë do të hasë në përkrahje edhe më të gjerë të qytetarëve dhe do të kontribuojë në ndryshimin e vetëdijes sonë ndaj mjedisit njerëzor, raportin tonë ndaj margaritarit tonë, si trashëgimi botërore natyrale dhe pasuri e Republikës së Maqedonisë, si edhe ngritjen e vetëdijes ekologjike. 

Më gëzon fakti që këtë nismë e përkrahin deputetë të më shumë partive parlamentare që formuan grup joformal të emërtuar "Miqtë e UNESKO-s".  

Me këtë rast, dëshiroj ta përshëndes inkuadrimin e partnerëve ndërkombëtarë, sidomos Institutin Nacional Demokratik, që japin kontribut të rëndësishëm në realizimin e aktiviteteve në lidhje me këtë nismë. 

Ju uroj suksese të mëtutjeshme në realizimin e këtyre nismave dhe qëllimeve lidhur me mbrojtjen e ambientit jetësor. 

Në fund, kisha dashur që edhe me këtë rast edhe njëherë ta përsëris qëndrimin tim dhe bi9ndjen time se do të angazhohem për kthimin e integritetit institucional të Kuvendit në sistemin kushtetues të Republikës së Maqedonisë, si organ ligjvënës i zgjedhur nga qytetarët, a nëpërmjet kësaj edhe përforcimin e besimit të qytetarëve në këtë institucion,

Ju faleminderit. 

Click