Pratenichki sostav
 
LEGJISLATURA E DEPUTETËVE

E premte, 6 shtator 2019 

Fjalimi i Kryetarit Xhaferi me rastin e shënimit të 8 shtatorit - Ditës së pavarësisë 

I nderuar President i Republikës së Maqedonisë së Veriut,
I nderuar Kryetar i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut,
Të nderuar ministra,
Të nderuar kolegë të përbërjes aktuale dhe përbërjeve të mëparshme të Kuvendit,
Të nderuar përfaqësues të pushtetit gjyqësor, përfaqësues akademikë,
Të nderuar përfaqësues të pushtetit lokal, Përfaqësues të bashkësive fetare, 
Përfaqësues të korit diplomatik në Republikën e Maqedonisë së Veriut, 
Përfaqësues të mediumeve, 
Mysafirë të nderuar, 
Zonja dhe zotëri,

Mirëserdhët në shënimin e kësaj dite jashtëzakonisht të rëndësishme historike. Kam nderin që sot jam mikpritës i këtij evenimenti, siç është në fakt edhe rregulli, duke e marrë parasysh atë se pikërisht këtu, në dhomën ligjvënëse, në shtëpinë e qytetarëve, para saktë njëzetetetë viteve, kolegët tanë të asaj përbërjeje parlamentare, e vunë në letër dhe në jetë vendimin e qytetarëve nga referendumi i zbatuar më 8 shtator të vitit 1991 kur ëndrra shekullore, dëshira shekullore për shtet të lirë, të pavarur, sovran u realizua për arsye se qytetarët u përcaktuan për shtet të atillë të pavarur, sovran, postulatet themelore të të cilit për zhvillimin e shoqërisë civile ishin shënuar edhe në aktin më të lartë ligjvënës - në Kushtetutën e shtetit. Përveç kësaj, u determinuan edhe qëllimet strategjike me rëndësi thelbësore për përparimin e shtetit, qëllime për të cilat kishim dhe akoma ndajmë përcaktim të përbashkët shumica e qytetarëve prej vetë fillimit të pavarësisë, dhe këto janë anëtarësimi i plotfuqishëm dhe integrimi në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

Të nderuar të pranishëm,

Shumë ujëra kanë rrjedhur prej asaj dite, shumë ngjarje të  bukura por edhe jo aq të bukura. Rriteshim, i kalonim sëmundjet fëmijërore, disa më shpejtë, disa akoma zgjasin, por udhës edhe mësonim dhe nxirrnim leksione, si edhe çdo i porsalindur, apo jo? A jemi tani mjaftueshëm të maturuar, mjaftueshëm të mençur dhe të avancuar nuk dua të konstatoj por megjithatë, një gjë e di, koha do të dëshmojë. Koha është indikatori më i mirë për atë sa kemi qenë, jemi ose mendojmë të jemi të kujdesshëm me atë që e kemi. A do të dimë ta kultivojmë të rritet, të zhvillohet dhe të bëhet shembull ndaj të cilit do e kthejë gishtin rajoni dhe bota dhe nëse kjo do të jetë për të mirë apo për të keqe.

Zonja dhe zotëri,

Në këto 28 vite të pavarësisë, të gjithë që ishin pjesë e marrjes, zbatimit dhe të jetuarit me vendimet e marra prej këtij apo atij faktori politik, punuan shumë në planin e brendshëm mirëpo edhe në planin e jashtëm që sot, Republika e Maqedonisë së Veriut të jetë shtet i qytetarëve të barabartë, shtet në të cilin respektohen të drejtat e njeriut, si ato individuale, ashtu edhe ato kolektive. Shoqëri e cila funksionon në mënyrë muiltietnike, multikulturore dhe multikonfesionale dhe si e atillë paraqet shembull pozitiv për rajonin dhe botën. 

Dhoma ligjvënëse, vendi ku zhvillohet debati dhe ku nxirren ligjet e propozuara për zbatimin e reformave të duhura, dhe ku në fakt thyhen shtizat, ishte dhe është tregues i vërtetë për atë se sa kemi maturuar, sa kemi mësuar të dëgjojmë njëri tjetrin, të respektohemi në mënyrë të ndërsjellë, të kemi mirëkuptim për mendimin ndryshe dhe të kemi sens për propozimet konstruktive dhe qëllimmira. Me një fjalë, sa e kemi arritur nivelin demokracisë së vërtetë parlamentare dhe të kulturës politike. Do të jem i sinqertë, edhe pse dokushdo e marrë këtë si jomodest, por përsëri, jam krenar sepse Kuvendi jonë, dhe këtë e konfirmon e dhe Raporti për përparimin i Komisionit Evropian, është kuvendi i vetëm me të vërtetë funksional në rajon në të cilin pjesëmarrje aktive kanë të gjitha forcat politike, edhe pushteti, edhe opozita. Udhëheqim dialog politik transparent i cili zhvillohet para syve të publikut. Në të njëjtën kohë, jemi të hapur për bashkëpunim me institucionet vendore, të jashtme, me sektorin civil dhe të tjerë. Marrim pjesë aktive në të gjitha evenimentet rajonale dhe ndërkombëtare për arsye se duam që në mënyrë aktive të participojmë në ndërtimin e marrëdhënieve vërtetë të relaksuara në rajon dhe më gjerë. Për arsye se besojmë se dialogu është zgjidhje për secilën mosmarrëveshje, dhe vetëm nëpërmjet qasjes së sinqertë dhe transparente ndaj secilit problem do të vijmë deri te zgjidhja e përbashkët më e mirë e pranueshme.

Të nderuar,

Unë jam i bindur se edhe përskaj sfidave të mëdha nëpër të cilat kaluam, kemi fuqi, kemi vullnet, vendosmëri dhe vizion për atë se ku duam ta shohim Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe çfarë shtëpie dëshirojmë dhe ndërtojmë për qytetarët tanë të nderuar dhe sot jemi shumë afër realizimit të përcaktimeve tona strategjike - anëtarësimi i plotfuqishëm në BE dhe NATO. Të gjitha institucionet, sektori joqeveritar, të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut janë unanimisht dhe pa lëkundje të përkushtuar në përmbushjen e kushteve të nevojshme për anëtarësim të plotfuqishëm në këto aleanca ndërkombëtare dhe me plotë të drejtë të gjithë presim që të bëhemi pjesë e NATO-s dhe BE-së. Në raport me NATO-n, e dini se dinamika e ratifikimit të Protokollit zhvillohet me shpejtësi të paparë deri tani. Prej 29 vendeve anëtare të NATO-s, 21 veç më e kanë ratifikuar Protokollin ndërsa në katër është në procedurë, që na jep të drejtë të besojmë se procesi do të rrumbullakohet deri në Samitin e NATO-s në Londër në dhjetor të këtij viti, kur ne edhe përfundimisht do të bëhemi vendi i 30-të anëtar i plotfuqishëm i kësaj aleance të fuqishme politike dhe ushtarake. Punojmë paralelisht në arritjen e qëllimit të dytë strategjik për të cilin në tetor, besojmë se Këshilli i Bashkimit Evropian  do e marrë vendimin e shumëpritur me datë konkrete për fillimin e negociatave.

Miq të dashur,

Anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe në NATO nënkupton sundimin e të drejtës dhe të rregullit juridik në shtet, pa diskriminim, respektim të të drejtave dhe lirive të të gjithë qytetarëve në mënyrë të njëjtë, pa dallim në përkatësinë e tyre etnike, fetare, racore, politike dhe gjinore. Anëtarësimi do të thotë standarde evropiane për jetë dinjitoze, kushte konkurrente për punë dhe biznes, mundësi për arsim cilësor dhe kërkime shkencore për qytetarët tanë. 

Kemi një shtet të përbashkët dhe të gjithë jemi përgjegjës ta ruajmë dhe zhvillojmë, për ne dhe për gjeneratat e ardhshme. Të ndërtojmë shtet të atillë qytetar, shoqëri të atillë në të cilën të gjithë ne, tani dhe në të ardhmëri, do të ndjehemi të barabartë, të respektuar, të njëjtë para ligjit dhe drejtësisë, thjesht, të gjithë do të ndjehen tonët në tonën, tonët në shtëpinë tonë, për shkak se të gjithë meritojnë të jetojnë, të rriten, të arsimohen dhe të krijojnë në shtet në të cilin respektimi i të drejtave dhe lirive të njeriut është pa precedent, për shkak se është e drejtë e natyrshme dhe universale, pa dallim në përkatësinë etnike, fetare, sociale, partiake ose cilado përkatësi tjetër.

Të gjithë bashkë, qytetarë evropianë në Republikën evropiane të Maqedonisë së Veriut! 

Ju faleminderit për vëmendjen dhe edhe njëherë, urime Ditën e pavarësisë!

 
a

Na ndiqni në: