Pratenichki sostav
 
LEGJISLATURA E DEPUTETËVE

E mërkurë, 17 korrik 2019, Uashington

Fjalimi i Kryetarit Xhaferi në Forumin e Partneritetit Demokratik të Dhomës Përfaqësuese të Kongresit të SHBA 

Të nderuar kryesues të Partneritetit Demokratik të Dhomës Përfaqësuese të Kongresit të SHBA, z. Prajs dhe z. Bjukenen,
Të nderuar liderë kongresi, 
Kolegë pjesëmarrës në këtë Forum,
Të nderuar përfaqësues të NDI dhe IRI, 
Ekspertë të nderuar, 
Zonja dhe zotëri, 

Më paraqet kënaqësi që këto dy ditë kemi mundësi të bisedojmë dhe të këmbejmë njohuri dhe përvoja për tema të cilat si parlamentarë besoj se na interesojnë të gjithëve, na bashkojnë dhe më e rëndësishmja, na motivojnë për punë konkrete dhe aksion. Në fillim, dëshiroj që të falënderohem për ftesën dhe të shpreh respekt ndaj punës së Komisionit për Partneritet Demokratik të Dhomës Përfaqësuese të Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe për përpjekjet e tyre për institucione ligjvënëse efektive, të pavarura dhe të përgjegjshme. Puna e ligjvënësit është me diapazon të gjerë dhe laramani dhe për këtë arsye janë gjithmonë të mirëseardhura njohuri të reja dhe qasje të ndryshme në zgjidhjen e sfidave të përditshme. Përveç tyre, dua të falënderoj edhe Institutin Nacional Demokratik për bashkëpunimin dhe miqësinë e tyre të vazhdueshme me Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Agjencinë për Zhvillim Ndërkombëtar të SHBA-ve (USAID) të cilët përmes projekteve të tyre janë aktivë në shumë sfera të zhvillimit shoqëror të Republikës së Maqedonisë së Veriut si edhe IRI, me të cilin kemi traditë shumëvjeçare të bashkëpunimit të mirë. 

Temat që janë parashikuar për diskutim dhe këmbim të përvojës gjatë këtyre dy ditëve janë me rëndësi të madhe për jetën aktuale politike. Unë në fjalimin tim, do të përqendrohem në temën - "Hapja legjislative dhe transparenca për rritjen e besimit dhe inkuadrimit qytetar”, mirëpo jo më pak rëndësi i kushtoj edhe temave tjera për arsye se të gjithë ato janë pjesë përbërëse e funksionimit të një parlamenti. 

Të nderuar, demokracia nuk vjen menjëherë, ajo është proces i ndryshimit të të menduarit, transformimit kah më e mira, kah një shoqëri e cila do të kujdeset dhe institucione të cilat do të jenë të drejta njëlloj për të gjithë. Atëherë qytetarët do i ndjejnë si të veta dhe atëherë besimi i tyre në institucionet do të jetë i padyshimtë. Që kjo të jetë kështu, nevojitet që institucionet, konkretisht shtëpia ligjvënëse, të jetë inkluzive dhe  e hapur ndaj publikut. Do të jem i sinqertë dhe do të them se, në vitin 2017 kur e mora këtë funksion të përgjegjshëm, gjegjësisht Kryetar i shtëpisë ligjvënëse, u ballafaqova me një situatë jo të natyrshme, respektivisht Kuvendi, shtëpia e qytetarëve, vendi ku lind dhe zhvillohet demokracia, ishte i mbyllur ndaj qytetarëve, gjegjësisht ishte temë e cila nuk ishte “temë” për qytetarët. Qytetarët kishin parafytyrim se pas dyerve ndodh konspiracion i fshehtë larg syve dhe veshëve të tyre. Bashkë me kryesinë e Kuvendit vendosëm që ta ndryshojmë, në fakt reformojmë mënyrën e funksionimit të shtëpisë ligjvënëse. I hapëm dyert për qytetarët të munden me paralajmërim dhe paraprakisht me paraqitje elektronike ta vizitojnë dhe të kenë shëtitje të Kuvendit. Çdo të premte kemi ditë të hapur, nëpër korridoret dhe sallat dëgjohet zhurmë e këndshme e fëmijëve kureshtarë, nxënësve, studentëve dhe qytetarëve. Miratuam ndryshime në Ligjin për Kuvendin sipas të cilit në punën e komisioneve të Kuvendit thirren ekspertë të fushave të ndryshme të cilët e japin kontributin e vet profesional për sferën përkatëse për të cilën janë ftuar. Në faqen e Kuvendit qytetarët kanë mundësi të parashtrojnë pyetje ndaj deputetëve të njësive të tyre zgjedhore dhe të japin propozime dhe ide të veta. Përveç kësaj, i hapëm dyert për nisma të ndryshme dhe projekte që vijnë nga institute dhe organizata ndërkombëtare, organizata dhe lëvizje joqeveritare vendore dhe e intensifikuam dhe thelluam edhe bashkëpunimin ndërkombëtar, me parlamentet në fqinjësi, në rajon dhe në botë. Por, edhe ne dolëm në “terren”, (në thonjëza), gjegjësisht, deputetët e Kuvendit tonë kanë zyra për kontakt me qytetarët e njësive të veta zgjedhore dhe prandaj përpiqem që çdo e premte të jetë ditë pa aktivitete kuvendare, me qëllim që të mund të realizohet ky aktivitet në mënyrën më produktive. Poenta ime është se, edhe pse veprojmë në mënyrë globale, duhet të mbesim të ndërlidhur edhe lokalisht për arsye se vetëm atëherë kur do të jemi pjesë e përditshmërisë së qytetarëve tanë, do të mundemi burimisht ti kuptojmë problemet që i mundojnë, çka i shkakton ato, dhe informatat tona do të mund ti shndërrojmë në zgjidhje ligjore të përshtatura ndaj gjendjeve aktuale dhe vetëm atëherë qytetarët do të fitojnë besim në ne dhe në funksionalitetin e institucioneve që i përfaqësojmë dhe do të jenë të sigurt se interesat e tyre dhe mirëqenia do të jenë prioritet. Unë, i udhëhequr nga përvoja ime paraprake shumëvjeçare në pushtetin ligjvënës dhe ekzekutiv, që në fillim i parashtrova vetes një qëllim të qartë dhe të padyshimtë – kurrë nuk do të lejoj të kemi Kuvend jofunksional dhe nuk do të lejoj që interesat partiake apo tjera të jenë para interesit të qytetarëve. Që kjo të jetë kështu, është me rëndësi esenciale të ketë interaksion të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve dhe qytetarëve. Puna e Parlamenteve dhe Kuvendeve anembanë botës nuk është aspak e lehtë.  Ajo është komplekse, mirëpo në të njëjtën kohë edhe sfidë, dhe ne duhet vazhdimisht tu përshtatemi nevojave të qytetarëve dhe rrjedhave botërore të cilat ndryshojnë vazhdimisht. Është përgjegjësi tejet e madhe por në të njëjtë kohë edhe privilegj i madh. Sipas meje, a në këtë janë fokusuar edhe reformat në shtëpinë tonë ligjvënëse, nevojitet që parlamentet të kenë pavarësi financiare, shërbim të pavarur dhe të mësuar nga ndodhitë e pakëndshme në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut më 27 prill, sigurimin e vet të pavarur. Prej kësaj do të varet fuqia e integritetit të institucionit, deputetëve, fuqia me të cilën qëndrojnë pas qëndrimeve të veta. Gjithsesi që, që të jetë kështu, duhet të jenë edhe mirë të informuar dhe të përgatitur nga një shërbim profesional mirë i trajnuar i cili në vazhdimësi mbindërtohet dhe zhvillohet. Vetëm kështu do të kemi parlamente të fuqishme të cilat do të jenë të pavarura në ndërtimin e shoqërive demokratike me qytetarë të inkuadruar në mënyrë aktive dhe sundim efektiv të të drejtës dhe respektim të drejtave dhe lirive të çdo individi. 

Të nderuar, ne e kemi shansin dhe privilegjin të jemi pjesë e krijimit të historisë. A do të na mbajë mend historia për krijimin e një bote më të mirë për të gjithë apo për destruktivizmin dhe egoizmin, është zgjedhje të cilën e bëjmë vetë çdo ditë dhe zgjedhje me të cilën po ashtu do të jetojmë vetë çdo ditë.

Në fund, dua të falënderoj përfaqësuesit e Dhomës Përfaqësuese të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për organizimin e këtij forumi, në të cilin kemi mundësi për këmbimin e mendimeve dhe njohurive me kolegët tanë të çmuar dhe respektuar, dhe kjo është gjithnjë e mirëseardhur dhe unë personalisht i kushtoj rëndësi shumë të madhe diplomacisë parlamentare. Po ashtu, dua të falënderoj edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe popullin amerikan për ndihmën dhe mbështetjen që ia japin Republikës së Maqedonisë së Veriut prej shpalljes së pavarësisë, nëpër vitet e përforcimit të demokracisë së saj të re, deri në arritjen përfundimtare të qëllimeve tona strategjike, për të cilat jeni të gjithë të vetëdijshëm, respektivisht anëtarësimin e plotfuqishëm në NATO dhe në BE. Ju jeni partnerë strategjikë të vërtetë dhe miq të vërtetuar të vendit tonë!

Ju faleminderit për vëmendjen! 

 
a

Na ndiqni në: