Udhëheqja parlamentare

E premte, 6 tetor 2017

Fjalimi i Kryetarit Xhaferi në hapjen e „Konferencës ballkanike me rastin e 500-vjetorit të reformimit protestant, 1517-2017“

Të nderuar përfaqësues të institucioneve shkencore, 
Të nderuar përfaqësues të kishës protestante dhepërfaqësues të bashkësive tjera fetare, 
Shkëlqesi, 
Zonja dhe zotëri,
Të nderuar të pranishëm,

Mirëserdhët në shtëpinë ligjvënëse të Republikës së Maqedonisë, në shtëpinë e të gjithë qytetarëve. Që nga fillimi i mandatit tim, e shpreha qartë qëllimin tim që këtë tempull të demokracisë ta hap për të gjitha iniciativat, nevojat dhe hapat pozitive në ndërtimin e një shoqërie më të mirë, më të shëndoshë, më demokratike, në të cilën të gjithë qytetarët do të jenë të njëjtë dhe të barabartë në të drejtat dhe obligimet e tyre. Kjo konferencë me të cilën shënohet 500-vjetori i reformimit protestant është provë pikërisht e kësaj intence time.

Para pesëqind vitesh, më saktë më 31 tetor të vitit 1517, profesori i ri i teologjisë, Martin Luter, në derën e Katedrales së Vitenbergut ka gozhduar një copë letër në të cilën ka pasur 95 teza, duke e thirrur publikun në debat të hapur. Këto nëntëdhjetepesë teza kanë para së gjithash, karakter teologjik, por, gjithashtu kanë të bëjnë edhe me shumë çështje dhe probleme që e përfshijnë edhe sferën shoqërore edhe individin si individ, të drejtat dhe liritë e tij, por edhe përgjegjësinë personale për veten si edhe për bashkësinë më të gjerë. Mos harrojmë, bëhet fjalë për shekullin e 16-të, ku me shfaqjen e protestantizmit, fillon reformimi politik, religjioz, kulturor, arsimor dhe artistik në Evropë a mandej edhe më gjerë.

Për shembull, një nga ithtarët e mëdhenj të Martin Luterit, pedagogu çek Jan Amos Komenski, u angazhua për arsim për secilin, pa dallim në gjini ose në status social edhe atë në gjuhën amtare, edhe pse në atë kohë, arsimi ka qenë privilegj vetëm i shtresave të caktuara shoqërore, ndërsa gjuha latine ka mbisunduar në procesin arsimor në Evropë. Këto janë vlera civilizuese të cilat janë aktuale, ndërsa për fat të keq, edhe sot, në mjedise të caktuara kontestohen, veçanërisht kur bëhet fjala për arsimin në gjuhën amtare. Do e përmend nga ajo periudhë sllovenin Primozh Trubar, prift protestant i cili për herë të parë e shtypi Biblën në gjuhën sllovene, ndërsa në shtypshkronjën e tij shtypen edhe libra me alfabetin cirilik.

Zonja dhe zotëri,
të nderuar miq,

Mësimi i Martin Luterit, respektivisht reformimi protestant në këto hapësira vjen në mënyrë më intensive në shekullin e nëntëmbëdhjetë, nëpërmjet misionarëve amerikan dhe nëpërmjet të të njohurës "Shoqatë biblike britanike dhe e huaj." Të gjithë ne sot e dimë storjen për kidnapimin e misionares amerikane Mis Stoun, më saktë Elen Stoun dhe shoqëruesja e saj Katerina Cillka, nga ana e çetës së Jane Sandanskit. Por, shumë më pak e dimë se Jane Sandanski, mandej Dobri Daskallov, dhe shumë revolucionarë të tjerë, e kanë pranuar mësimin protestant.

Përhapja e mësimit protestant, respektivisht Reformimit ndërmjet Shqiptarëve gjithashtu daton nga shekulli i nëntëmbëdhjetë dhe është ngushtë i lidhur me fytyrën dhe veprën e familjes Qiriazi, më saktë, me Gjerasim Qiriazin, si edhe dy motrat e tij. Familja e tij, shqiptarë ortodoksë, është me origjinë nga Shqipëria Jugore, ndërsa në fillim të shekullit të tetëmbëdhjetë shpërngulet në Manastir. Qirjazi i ri, si djalosh i ri takohet me një grup misionarë amerikan në Manastir. Duke i vërejtur kapacitetet e tij intelektuale, për arsye se Gjerasimi i ri qysh atëherë, përveç gjuhës shqipe, e ka folur shkëlqyer edhe gjuhën maqedonase, greke, turke dhe vllahe, ato e dërgojnë në Samokov, (Bullgari), në Shkollën amerikane teologjike, ku mëson për prift. Pas përfundimit të shkollimit teologjik, është dërguar në Shkup, ku predikon në gjuhën maqedonase, por shpejt pas kësaj e dërgojnë në Korçë. Atje, përveç që ka predikuar, është marrë edhe me përkthimin e letërsisë kishtare në gjuhën shqipe, ndërsa vëmendje të veçantë i ka kushtuar arsimit të të rinjve, a para së gjithash, popullsisë femërore. Bashkë me bashkëshorten e tij, në Korçë, në vitin 1891 e hap shkollën e parë për vajza, ku së shpejti shkollohen 400 nxënës.

Bashkë me një grup të mendimtarëve të vet të njëjtë, e formon shoqatën Vëllazëria ungjillore, e cila përveç përhapjes së fesë, e zhvillon edhe veprimtarinë botuese të fushave të ndryshme në gjuhën shqipe dhe ka për qëllim zhvillimin e sistemit arsimor në Shqipëri dhe ndërmjet shqiptarëve në përgjithësi. Në zhvillimin e sistemit arsimor veçanërisht punojnë edhe dy motrat e tij Parashqevi dhe Sevasti Qirjazi, të cilat para kësaj e mbarojnë Kolegjin amerikan për femra në Stamboll. Gjithsesi, nuk guxon të harrohet edhe roli i tërë familjes Qirjazi në përgatitjen e Kongresit të Manastirit, në të cilin është kodifikuar alfabeti shqip.

Miq të nderuar,

Unë nuk jam teolog, as historian, dhe do të ishte gjë jomodeste të flas shumë për reformimin protestant në përgjithësi, ose për praninë e mësimit të tij në këto hapësira. Përsëri, para së gjithash si njeri, atë që dua ta theksoj është fakti se mësimi i Martin Luterit dhe ithtarëve të tij, kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në civilizimin evropian dhe se shumë nga ato 95 teza të gozhduara në derën e katedrales para pesëqind viteve, sot janë pjesë e principeve evropiane mbi të cilat themelohet Evropa e bashkuar. Mos më keqkuptoni, me këtë, aspak nuk i nënçmoj fetë tjera ose kahet në krishterimin dhe kontributin e tyre në civilizimin evropian dhe botëror. Përkundrazi, dua ta theksoj komplementaritetin e tyre. Sa i takon protestantizmit, gjegjësisht Reformimit në këto treva, pa dallim në përkatësinë etnike ose dallimet fetare, zanafillat e tij janë ngushtë të ndërlidhura me tendencat dhe luftën për liri të çdo populli, pa dallim nëse bëhet fjalë për maqedonasit, shqiptarët dhe popujt tjerë ballkanikë. Besoj se edhe në konferencën tuaj, nëpërmjet hulumtimeve tuaja shumë më solide dhe eksperte, do të vërtetohet pikërisht kjo, dhe në bazë të këtyre fakteve, do të ofrohen ide se si më tutje të gjithë së bashku të ndërtojmë një shoqëri më tolerante, me mirëqenie më të madhe për qytetarët, por edhe me përgjegjësi më të madhe personale të çdo individi.

Ju faleminderit për vëmendjen! 

Click