Udhëheqja parlamentare

E mërkurë, 19 korrik 2017

Fjalimi i Kryetarit Xhaferi në Tryezë të rrumbullakët rajonale 

Zonja dhe zotëri,
Të nderuar kolegë deputetë, 
Shkëlqesi, 
Të nderuar të pranishëm

Që në fillim dëshiroj ta shpreh kënaqësinë time për ftesën e sotme të marr pjesë në këtë konferencë me karakter rajonal. E gjithë kjo fut një input shumë më të madh cilësor në proceset e bashkëpunimit, si ndërmjet institucioneve në rajon, ashtu edhe ndërmjet sektorit joqeveritar. Gjithashtu, dua të shpreh mirënjohje ndaj Fondacionit Vestminster me të cilin Kuvendi i Republikës së Maqedonisë tani më në mënyrë tradicionale ka bashkëpunim lartë të zhvilluar. Bashkëpunim nga i cili dolën shumë projekte të përbashkëta dhe të cilat kanë kontributin e vetë në zhvillimin e funksioneve të Kuvendit, duke filluar prej procesit ligjvënës, rolit mbikëqyrës, transparencës dhe hapjes së Kuvendit, kapacitetit të administratës së Kuvendit dhe të tjera. Ose, thënë me një fjalë, përforcimin e demokracisë parlamentare te ne. Besoj se të gjithë do të pajtohemi se kur përmendet demokracia parlamentare, mendohet për punën dhe funksionimin e Kuvendit. Mirëpo, gjithashtu besoj se të gjithë do të pajtohemi se demokracia parlamentare është proces i pandashëm dhe doemos duhet të jetë i gjithëpranishëm, si në të gjitha degët e pushtetit, ashtu edhe në shoqërinë në tërësi. Respektivisht, nuk mund të flasim për demokracinë në Kuvend, nëse kemi, thënë butë, pushtet ekzekutiv të tjetërsuar. Në të njëjtën kohë, nuk mund të flasim për demokracinë parlamentare nëse nuk kemi sundim të të drejtës, shtet juridik funksional dhe gjithsesi, transparencë dhe llogaridhënie. Dhe më në fund, nuk mund të flasim për demokraci parlamentare pa përfshirjen e sektorit joqeveritar, publikut ekspert dhe qytetarit si individ. 

Të nderuar,

Dy vitet e fundit, edhe si shtet, edhe si shoqëri gjendeshim në krizë serioze politike. Dhe, kur është krizë, është e njohur se viktima e parë është e vërteta dhe parimet e demokracisë parlamentare. Shumica parlamentare aktuale së shpejti do të shënojë 100 ditë të punës dhe funksionimit të vet. Dua të theksoj këtu para jush se kjo shumicë parlamentare, së bashku me mua si i pari ndër të barabartit, duke u nisur nga të drejtat dhe obligimet e mia kushtetuese dhe me rregullore, sinqerisht dhe me përgjegjësi punon në kthimin e demokracisë parlamentare në Kuvend si institucion. Si Kryetar i Kuvendit disa herë kam theksuar se një nga detyrat e mia prioritare do të jetë pikërisht përforcimi i transparencës së punës së Parlamentit, të deputetëve dhe të administratës së Kuvendit. Tani më  janë bërë edhe disa hapa konkrete, mundet në shikim të parë hapa të vogla, siç është shembulli me mundësinë e qytetarëve të jenë të pranishëm dhe ti përcjellin seancat parlamentare. Gjithashtu, kemi në plan të vendosim një dimension të ri më cilësor të Kanalit të Kuvendit. Mandej, edhe në ueb faqen tonë, e cila edhe sot, ashtu siç është, paraqet vegël të rëndësishme për informimin e qytetarëve a e shfrytëzojnë edhe gazetarët dhe mediumet për nevojat e tyre. Gjithsesi, nuk duhet të harrohet edhe teknologjia dhe pajisja teknologjike e Kuvendit, duke e marrë parasysh zhvillimin e shpejtë të asaj që quhet teknologji dhe pajisje komunikuese.

Zonja dhe zotëri,

Realizimi i transparencës dhe llogaridhënies, si një nga parimet themelore të demokracisë parlamentare, gjithsesi se varet prej rregullimit normativ dhe pajisjes teknologjike, mirëpo, sipas mendimit tim, më së shumti varet prej vullnetit politik dhe përgjegjësisë, para së gjithash, të shumicës parlamentare aktuale por edhe përgjegjësisë së opozitës. Gjithashtu, funksionimi i demokracisë parlamentare në të gjitha aspektet e saj varet edhe nga aktivitetet e sektorit joqeveritar dhe në përgjithësi nivelit të kulturës politike që mbisundon në shoqëri. Besoj se të gjithë duam të jetojmë në shtet funksional ku ka sundim të të drejtës. Besoj se të gjithë dëshirojmë të jemi të informuar për atë çfarë dhe si punon Kuvendi, Qeveria, si harxhohen paratë tona etj. Pyetja është, sa janë këto vlera te elitat politike vetëm deklarative, a sa janë përcaktime dhe vlera të vërteta dhe të sinqerta? Unë, personalisht kam ndjenjën se te shumica parlamentare aktuale mbisundon sinqeriteti dhe përgjegjësia për këto vlera dhe parime. Por sërish, dua të jem i sinqertë deri në fund, nuk arrihet shumë vetëm me ndjenja. Dhe, pikërisht këtu e shoh edhe rolin e sektorit joqeveritar, të opinionit ekspert dhe atij akademik, të mediumeve të cilët me anë të veprimit të vet do të fusin ide të reja, propozime dhe zgjidhje cilësore. Në të njëjtën kohë, do të jenë kritik të ashpër dhe objektiv, a në momente edhe gardianë të vërtetë të demokracisë parlamentare.

Prandaj, jam i bindur se kjo konferencë e sotme e ka pikërisht atë qëllim, dhe se përfundimet e saj, thënë në mënyrë metaforike, do të jenë vetëm një guralec në mozaikun e bukur të quajtur demokraci parlamentare i cili sipas rregullit kurrë nuk do të përfundohet por, te ne a edhe te shtetet e rajonit, është akoma në fillim. Mendoj se është koha e fundit  që zhvillimin e demokracisë parlamentare ta vëmë në rrugën e vërtetë dhe me dinamikën e vërtetë edhe ta zhvillojmë. Kjo është përgjegjësia jonë, edhe si politikanë, edhe si sektor joqeveritar, edhe si qytetar individë.

Ju faleminderit 

Click