Udhëheqja parlamentare

E enjte, 21 shkurt 2019

Fjalimi i Kryetarit Xhaferi në Tryezën e rrumbullakët “Përforcimi i vlerësimit dhe monitorimi i kapaciteteve – Prezantimi i veglës së monitorimit 

Të nderuar kolegë,
Shkëlqesia Juaj, Ambasadori Plomp,
I nderuar drejtor Hartog,
I nderuar z. Van Hojte, 
E nderuar Sekretare e përgjithshme Ivanova, 
Zonja dhe zotëri, 

Më vjen mirë që pas nënshkrimit të Memorandumit për bashkëpunim me Qendrën për Studime Evropiane të Sigurisë të Holandës, që në fakt paraqet vazhdimësi të bashkëpunimit të Kuvendit me Qendrën për Studime Evropiane të Sigurisë nga Holanda, u mbajtën një sërë punëtorish në të cilat ishin përfshirë përfaqësues të administratës së Kuvendit dhe deputetë, me një qëllim të përcaktuar paraprakisht, dhe ky është zhvillimi i parlamentarizmit te ne nëpërmjet përforcimit të funksionit ligjvënës dhe mbikëqyrës të Kuvendit. Memorandumi i definoi detyrat dhe obligimet konkrete të të dyja palëve, dhe me të vërtetë më paraqet kënaqësi që këtu me ne është edhe drejtori i Qendrës për Studime Evropiane të Sigurisë nga Holanda, zotëri Merjan Hartog dhe zotëri Piter Van Hojte, i cili është mirë i njohur në vendin tonë si lehtësues profesional dhe miku jonë dhe sot, konkretisht në punëtorinë e sotme përkushtuar Përforcimit të vlerësimit dhe prezantimit të veglës së re të monitorimit, do të mund të jemi dëshmitarë të prezantimit të rezultatit nga të gjitha punëtoritë e deritanishme dhe gjithë mundin e investuar të të gjithëve që ishin pjesë e këtij bashkëpunimi. 

Zonja dhe zotëri,
miq të nderuar,

Në periudhën e kaluar, punuam me përkushtim dhe guximshëm. T’ju rikujtoj, fillimisht u nënshkrua Marrëveshja për miqësi me Bullgarinë fqinje. Vitin e kaluar e nënshkruam Marrëveshjen me Republikën e Greqisë, marrëveshje me të cilën u vendos kornizë juridike – ndërkombëtare për zgjidhjen e kontestit pothuajse të gjatë tre dekada, ndërmjet dy vendeve fqinje. Me këtë marrëveshje, u debllokua procesi i integrimit tonë në NATO dhe BE. Nuk do të bëj një retrospektivë të ngjarjeve që vijonin pas nënshkrimit të Marrëveshje së Prespës për arsye se i dimë të gjithë, por mund të them me krenari se Republika e Maqedonisë së Veriut i kalon hapat e fundit të anëtarësimit të plotfuqishëm në NATO. Në rrjedhë është procesi i ratifikimit të protokollit të NATO-s në parlamentet nacionale të njëzet e nëntë vendeve anëtare. Siç e dini, e para këtë protokoll e ratifikoi Greqia, mandej Sllovenia, Shqipëria, dje Bullgaria, është paralajmëruar edhe në Mal të Zi dhe unë jam i bindur se deri në fund të vitit ky formalitet do të përfundohet dhe Republika e Maqedonisë së Veriut do të bëhet anëtare e plotfuqishme e tridhjetë e aleancës së NATO-s, me të gjitha të drejtat dhe obligimet. Gjithsesi se pas këtij hapi të madh qëndrojnë të gjitha forcat e guximshme dhe forca progresive në shtet, gjithsesi edhe opozita, por ajo që është më e rëndësishme është se qëndrojnë qytetarët, sektori joqeveritar dhe të gjithë subjektet shoqërorë të cilët besojnë se arritja e përcaktimeve tona strategjike do të kontribuojë në ndërtimin e shoqërisë së vërtetë demokratike me vlera dhe standarde evropiane. 

Zonja dhe zotëri, 

Siç thashë, ky është vetëm një hap i madh i cili na obligon që shumë më seriozisht tu përkushtohemi përcaktimeve dhe qëllimeve tona strategjike, gjegjësisht anëtarësimit në BE dhe paralelisht me këtë, reformat e duhura të brendshme të cilat do të çojnë në transformimin në shtet demokratik bashkëkohor me institucione të pavarura dhe maksimalisht funksionale. Shtet në të cilin do të respektohen maksimalisht të drejtat individuale dhe kolektive, do të kemi sundim të vërtetë të të drejtës dhe në të cilin do të respektohet në tërësi ndarja e pushtetit në atë ekzekutiv, gjyqësor dhe ligjvënës dhe nuk do të ketë ndërmarrje ose përzierje të kompetencave me njëra tjetrën. Në këto procese të cilat nuk mund të ndodhin për një natë, roli i parlamentit është kryesor. 

Besoj se të gjithë pajtohemi se sot, gjendjet te ne nuk janë të njëjta siç ishin në gjysmën e parë të vitit 2017. Kjo është kështu për arsye se që në fillimin e mandatit, përcaktimi ynë i fortë dhe detyra primare ishte ti kthejmë proceset demokratike në shoqëri dhe kthimi i shtetit në rrugën evropiane. Kuvendi, si shtëpia më e lartë përfaqësuese e qytetarëve, dhe tempull i demokracisë, doemos duhet të jetë shembull për institucion vërtetë funksional në shërbim të qytetarëve dhe për të mirën e qytetarëve. Vendi ku nxirren ligjet, mirëpo, edhe vendi ku bëhet mbikëqyrja mbi zbatimin dhe kontributin e atyre zgjidhjeve ligjore në përmirësimin e jetës së përditshme të qytetarëve. Për ta përforcuar këtë komponentë të shtëpisë ligjvënëse, nevojitet administratë lartë e përgatitur dhe gjithsesi, deputetë të cilët do i posedojnë të gjitha informatat, analizat dhe informatat nga terreni, si parakushte që me të drejtë ta meritojnë besimin e legjitimitetit nga ana  e qytetarëve.

Dhe pikërisht punëtoria e sotme është në atë drejtim. Prandaj, në fund dëshiroj që edhe njëherë të shpreh mirënjohje për Qendrën për Studime Evropiane dhe të Sigurisë nga Mbretëria e Holandës, si edhe Ambasadën holandeze te ne dhe të gjithë juve tu uroj punë të mbarë.

Ju faleminderit për vëmendjen!

Click