Udhëheqja parlamentare

E mërkurë, 21 qershor 2017

Fjalimi i Kryetarit Xhaferi në Tryezën e Rrumbullakët me temë: „Kuvendi dhe organizatat civile“

Të nderuar përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile,
deputetë dhe të punësuar në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë,
Të nderuar mediume, 
Të nderuar të pranishëm,

Më paraqet kënaqësi të veçantë që sot jam i pranishëm në Tryezën e Rrumbullakët me temë: „Kuvendi dhe organizatat civile“.

Si i pari në mesin e të barabartëve, premtova se do të angazhohem për transparencë më të madhe të Kuvendit dhe prezencë të qytetarëve në aktivitetet e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë. Bashkë me deputetët do të angazhohemi për dhomë ligjvënëse inkluzive, të hapur dhe të përgjegjshme, pasi informatat parlamentare u takojnë të gjithë qytetarëve. Plani i ri strategjik do të sigurojë edhe zbatim praktik të angazhimit tonë.

Do të punojmë në drejtim të informimit të drejtpërdrejtë të qytetarëve për rolin e pushtetit ligjvënës në sistemin e rregullimit shtetëror përmes përkrahjes së aktiviteteve edukative për popullsinë e re, por edhe grupeve të cenueshme sociale-ekonomike. Koncepti i ditës së hapur të Kuvendit çdo të premte të fundit është vetëm një pjesë e këtij vizioni. Do të punohet edhe në përmbajtjen programore të Kanalit të Kuvendit, si dhe përsosjen e platformës elektronike me qëllim që e njëjta të bëhet proaktive.

Të nderuar,

E përkrah Institutin Parlamentar në aktivitetet për kodifikim të plotë elektronik dhe indeksim të dokumenteve nga arkivi ligjvënës, me qëllim ato të bëhen të dobishme dhe të kërkueshme, por edhe të ruajtura si memorie institucionale.

Për rritjen e nivelit të debatit parlamentar, deputetët kanë nevojë për informata dhe analiza komparative të bëra nga Instituti Parlamentar dhe gjithsesi në bashkëpunim me organizatat e sektorit civil.

Si pjesë e iniciativës Partneriteti për pushtet të hapur, përpilohet Plani Aksional Nacional në të cilin ne, si pushtet legjislativ, do të këmbëngulim që të inkorporohet një pjesë e veçantë dhe të mund të japim kontributin tonë në arritjen e qëllimit të partneritetit.  

Unë në cilësinë e Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, jam thellë i bindur se shërbimi i Kuvendit, Instituti Parlamentar, asistentët e deputetëve në Kuvend dhe në zyrat për kontakt me qytetarët në komuna, do të jenë dera përmes së cilës do të lehtësohet qasja e publikut në informatat që vijnë në Kuvend dhe sipas procedurës përkatëse të Kuvendit dalin nga ai. Organizatat civile i shoh si partnerë të domosdoshëm dhe të vërtetë për realizimin e këtij vizioni.

Ju faleminderit punë të mbarë!

Faleminderit për vëmendjen.

Click