Udhëheqja parlamentare

E premte, 14 korrik 2017

FJALIMI I KRYETARIT XHAFERI PARA KOMISIONIT PËR ÇËSHTJE EVROPIANE

Të nderuara zonja dhe zotëri, 
i nderuar Kryetar i Qeverisë, Z. Zoran Zaev,
i nderuar Zëvendëskryeministër për Çështje Evropiane, Z. Bujar Osmani, 
të nderuar anëtarë të Qeverisë 
Të nderuar kolegë deputetë, 
Shkëlqesi, 
Të nderuar të pranishëm, 

Integrimet Euro-atlantike paraqesin përcaktim strategjik për Republikën e Maqedonisë, përcaktim rreth të cilit gjatë gjithë këtyre viteve të pavarësisë, ka konsensus të përgjithshëm politik nga ana e subjekteve politike, respektivisht partive. Edhe më i rëndësishëm është fakti që ky përcaktim strategjik ka përkrahje të madhe nga ana e qytetarëve. Përkrahje e cila edhe sipas hulumtimit të fundit të IRI-t, është në një nivel shumë të lartë dhe kjo është diçka që të gjithë ne që e udhëheqim, gjegjësisht jemi pjesë e proceseve të udhëheqjes së shtetit dhe institucioneve, na bën edhe më të përgjegjshëm në drejtim të realizimit të këtyre pritjeve të qytetarëve. Të gjithë e dimë këtë dhe këtë edhe e ndjejmë se, për shkak të kontestit me emrin e shtetit tonë, në proceset e integrimit tonë në BE dhe NATO, kemi një bllokim të vërtetë. Megjithatë, unë sot nuk do të flas për këtë. Dua të theksoj se sërish, sinjalet që vijnë nga BE dhe NATO dhe këtu mendoj për disa samitet e njëpasnjëshme a gjithsesi edhe ky i fundit në Trieste, qartë tregojnë një politikë të re dhe një qasje  të re, shumë më proaktive të Brukselit në drejtim të integrimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor, a me këtë edhe të Republikës së Maqedonisë. Politikë e cila është e përkrahur edhe me mjete solide financiare, mjete të duhura për shumë projekte të përbashkëta por edhe të veçanta. Mendoj se gjendemi para një sfide me të vërtetë të madhe por edhe një përgjegjësie të madhe historike, si para gjeneratave të tashme, ashtu edhe para gjeneratave të ardhshme, për realizimin e përcaktimit tonë strategjik, a unë kisha thënë edhe historik, dhe ky është integrimi në NATO dhe në BE. Prandaj, për ne është me rëndësi të madhe nëse pa paragjykime dhe pa kalkulime të imta partiake, i kthehemi asaj se sa kemi bërë në periudhën e kaluar në pjesën e pranimit dhe implementimit të standardeve dhe parimeve evropiane, edhe atë në të gjitha fushat. Prej të drejtave dhe lirive njerëzore, si individuale ashtu edhe kolektive, përmes sundimit të të drejtës dhe të shtetit juridik, funksionimit të demokracisë parlamentare, deri në nëse doni ekologjinë, kulturën, sektorin joqeveritar e tutje. 

Të nderuar, 

Kaluam më shumë se dy vite në një krizë politike serioze, krizë e cila ishte rezultat pikërisht e mosrespektimit të atyre parimeve dhe standardeve evropiane. Me ndihmën e miqve tanë nga bashkësia ndërkombëtare, para së gjithash miqve tanë nga Brukseli dhe Uashingtoni, arritëm të fillojmë me tejkalimin e asaj krize edhe atë jo në rrugë, jo me protesta dhe dhunë, por në institucionet, sipas parimeve të demokracisë parlamentare dhe praktikave pozitive në shtetet anëtare të BE-së. Pikërisht në këtë drejtim e shoh edhe seancën e sotme të Komisionit parlamentar për Çështje Evropiane, ku Kryeministri Zoran Zaev dhe përfaqësuesit tjerë qeveritarë, do na e prezantojnë më hollësishëm "Planin e ashtuquajtur 3-6-9", ku janë theksuar prioritetet dhe dinamika e reformave të duhura. Program i cili do na kthejë sërish në rrugën e integrimit Euro-atlantik në të cilën do të ecim shëndoshë, mbi të dy këmbët, edhe si shoqëri, edhe si shtet. 

Zonja dhe Zotëri, 

Në "Planin 3-6-9" , i cili në esencë rrjedh nga Marrëveshja e njohur e Përzhinës, si edhe nga Programi Qeveritar 2017-2020, ka edhe një pjesë konkrete me masa konkrete të cilat kanë të bëjnë me punën e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Ndër to, ka disa masa me të cilat përforcohet roli mbikëqyrës i Kuvendit mbi Qeverinë, respektivisht mbi pushtetin ekzekutiv. Më tutje, atë që dua veçanërisht ta potencoj është inkuadrimi i Kuvendit nëpërmjet komisionet përkatëse në reformimin e Drejtorisë së Sigurisë dhe Kundërzbulimit, të Agjencisë për Zbulim si edhe kthimi i rolit thelbësor mbikëqyrës të komisioneve përkatëse parlamentare mbi këto institucione, gjegjësisht mbi ministritë e ashtuquajtura represive. Ndërsa ajo që sipas mendimit tim është shumë e rëndësishme është fakti se në përgjithësi reformat e strukturave të sigurisë doemos duhet të realizohen nëpërmjet një diskutimi gjithëpërfshirës në Kuvend, nëpërmjet të cilit do të kristalizohet modeli i reformimit të sistemit të sigurisë, dhe me këtë edhe i agjencive dhe drejtorive që janë të përfshira në po atë sistem të njëjtë. Ai debat i gjerë, gjithëpërfshirës i cili nënkupton inkuadrim edhe të opinionit ekspert dhe akademik, si edhe të sektorit joqeveritar, jam i bindur se do të shndërrohet në veglën themelore edhe atëherë kur do të jenë në radhë edhe reformat tjera, respektivisht do e vendosim në funksionimin e demokracisë parlamentare, veçanërisht në procesin e nxjerrjes së ligjeve. Atë që dua veçanërisht ta theksoj është riaktivizimi i Klubit të grave deputete prej ku besoj se do të vijnë shumë ide, mendime dhe propozime të freskëta. Zaten, nuk kanë thënë më kotë pleqtë se "tre shtyllat e shtëpisë i mban gruaja" 

Të nderuar, 

Unë nuk pretendoj se historia fillon me pushtetin aktual dhe me shumicën aktuale parlamentare, kur është fjala për proceset integruese. Ajo në të cilën unë besoj është para së gjithash, përcaktimi i sinqertë i Qeverisë dhe i kësaj shumice parlamentare që këto reforma, si edhe të gjitha reformat tjera, i bëjmë vetëm në favor të qytetarëve dhe shoqërisë në tërësi. Gjithsesi, përgjegjësinë më të madhe për të gjitha këto procese e ka shumica parlamentare dhe Qeveria aktuale. Mirëpo, në demokracinë parlamentare  pjesë të përgjegjësisë mban edhe opozita. Si Kryetar i Parlamentit, gjithmonë do të bëj gjithçka që lejon Rregullorja, Ligji për Kuvendin dhe Kushtetuta, me qëllim që opozita të mundet në mënyrë transparente ti shpalosë interesat e veta politike dhe programore, propozimet, argumentet dhe kritikat. Mirëpo, njëkohësisht, prej opozitës pres edhe sjellje të përgjegjshme në procesin e përgjithshëm legjislativ, gjegjësisht funksionim efikas të Parlamentit. Sipas mendimit tim, disa veprime të opozitës të cilat ditëve të fundit i sheh opinioni i përgjithshëm maqedonas por edhe miqtë dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, nuk i ndihmojnë as demokracisë parlamentare, as reformave të duhura dhe proceseve integruese në BE dhe NATO. Si i pari ndër të njëjtët, unë nuk dua të gjykoj por, përsëri si Kryetar i Parlamentit, kam obligim që të siguroj funksionim normal të shtëpisë ligjvënëse. Për këtë shkak, shpresoj se Plani i propozuar qeveritar i njohur si "3-6-9", si edhe Programi qeveritar 2017-2020, janë një bazë e mirë për krijimin e inkluzionit të vërtetë ndërmjet të gjitha subjekteve politike parlamentare. Inkluzion ku vendin e vetë doemos duhet ta kenë opinioni ekspertë dhe akademik, a sidomos edhe njëherë dua ta ritheksoj rolin dhe përfshirjen e sektorit joqeveritar. Vetëm kështu, siç thashë, do të mundemi në mënyrë të shëndoshë, mbi të dy këmbët të ecim me sukses në rrugën tonë Euro-atlantike. 

Ju faleminderit 

Click