Udhëheqja parlamentare

Е shtunë, 23 shtator 2017, Prishtinë

Fjalimi i Kryetarit z. Xhaferi në konferencë  me temën: "Kultura dhe paqja në Ballkan - Roli i deputetëve"

I nderuar z. Kadri Veseli, kryetar i Parlamentit të Kosovës, 
Të nderuar përfaqësues të lartë të Federatës Universale për Paqe për Evroazi, Internacionale dhe Evropë, 
Të nderuar Presidentë të mëparshëm të Shqipërisë. Kroacisë dhe Kosovës,  
E nderuara z-nja Hatixhe Hoxha, kryetare e Federatës Universale për paqe - Kosovë, 
Shkëlqesi, 
Kolegë të nderuar parlamentarë, 
Zonja dhe zotëri,

Paqja është një nga vlerat më të mëdha të civilizimit njerëzor. Ajo është vlerë e pandashme dhe universale e cila në të njëjtën kohë, për shkak të sjelljes së njerëzve është edhe shumë e brishtë. Ne që jetojmë në Ballkan, atë brishtësi e ndjemë në historinë më të re, më saktë, prej shpërbërjes së Jugosllavisë së mëparshme ndërsa çmimi ishte i lartë, me mijëra jetë të humbura, shtëpi të rrënuara, resurse të shkatërruara. Por, mendoj se me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare kuptuam se gjithçka, bile edhe çështjet dhe dallimet më të vështira, në fund zgjidhen me dialog. Domethënë, zgjidhja për çdo konflikt duhet të kërkohet ekskluzivisht vetëm nëpërmjet dialogut. 

Të gjithë ne nga Ballkani Perëndimor, e kemi definuar anëtarësimin në organizatat Euroatlantike si përcaktimin tonë strategjik. Ky është përcaktim i cili na bën edhe më të përgjegjshëm për arsye se, në njërën anë punojmë në shtëpi për të krijuar kushte për stabilitet dhe zhvillim të brendshëm ndërsa në të njëjtën kohë, kemi p0ërgjegjësi të punojmë edhe për stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit. Nuk ka nevojë t'ju rikujtoj se këto janë principe dhe standarde që janë të domosdoshëm për tu bë anëtar i organizatave Euroatlantike. 

Në anën tjetër, jemi të vetëdijshëm dhe real se në marrëdhëniet bilaterale ndërmjet shteteve, akoma ka çështje të hapura dhe probleme. Do e përmend kontestin rreth emrit që e ka Republika e Maqedonisë me Greqinë. Kjo çështje e hapur është arsyeja që Republika e Maqedonisë ngec në procesin e integrimit në BE dhe NATO. Më tutje, raportet ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë në një mënyrë gjithashtu i ngarkojnë të dy shtetet në proceset integruese dhe kjo ndikon mbi stabilitetin e përgjithshëm në rajon. Dhe, të jemi të sinqertë, për arsye se ne jemi parlamentarë ndërsa diplomacia parlamentare, për dallim nga diplomacia klasike, është shumë më e hapur dhe më elastike, çështjet e pazgjidhura bilaterale mundet për momentin me të vërtetë drejtpërdrejt nuk e rrezikojnë paqen por, përsëri, krijojnë një imazh më pak pozitiv për çdo shtet veçmas, si edhe për tërë rajonin. 

Zonja dhe zotëri, 

Në ndërtimin e kushteve për dialog dhe zgjidhjen e çështjeve të hapura, si në nivel të marrëdhënieve bilaterale ashtu edhe multilaterale, roli i diplomacisë së ashtuquajtur parlamentare bëhet gjithnjë më i dobishëm. Kjo nuk do të thotë fund për diplomacinë shtetërore klasike por e kundërta, të dyja janë komplementare për një qëllim të përbashkët, për tejkalim sa më të shpejtë të çështjeve të hapura të cilat në një mënyrë do të mund ta rrezikonin paqen. Në periudhën e kaluar, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë kishte bashkëpunim mjaft aktiv në fushën rajonale dhe ndërkombëtare. I njëjti zhvillohej nëpërmjet formave dhe mjeteve që i ka në dispozicion çdo parlament. Këto janë grupet parlamentare për bashkëpunim me grupet e miqësisë në shtetet individuale, pjesëmarrja aktive e delegacioneve tona në organizatat dhe asociacionet ndërkombëtare siç ajanë për shembull Këshilli i Evropës, Asambleja Parlamentare e OSBE-së dhe të tjera. Do e përmend edhe këmbimin dhe trajnimet e administratës parlamentare. Përveç kësaj. Këtu bëjnë pjesë edhe takimet në[ nivel të kryetarëve të parlamenteve. Për shembull, javën e kaluar isha mikpritës i kolegut tim slloven, zotëri Millan Bërglezh. Në bisedën tonë të ndërsjellë, u pajtuam se bashkëpunimi parlamentar në rajon luan rol të madh dhe pozitiv në marrëdhëniet bilaterale dhe multilaterale mirëpo, edhe në përforcimin mëtutjeshëm të stabilitetit dhe perspektivës Euroatlantike të rajonit. Kjo është sidomos me rëndësi nëse merren parasysh sfidat reale të cilat mund të paraqesin kanosje për paqen, jo vetëm në rajon por edhe më gjerë. Shembull për një sfidë të atillë ishte kriza migrante. Krizë në të cilën shtetet e rajonit treguan se me bashkëpunim të ndërsjellë dhe besim, mund ti përgjigjen me sukses edhe sfidave të atilla të mëdha. 

Kolegë të nderuar, 

Për shkak se kanosjet reale ndaj paqes janë akoma të mundshme, kjo konferencë është edhe si e mirëpritur. Gjegjësisht, të gjithë ne që si përfaqësues të parlamenteve nacionale a gjithsesi edhe partnerët dhe miqtë tanë ndërkombëtarë, bartim me vete përvojë të caktuar kur vjen fjala për diplomacinë parlamentare në funksion të përforcimit të paqes në rajon. Ato përvoja mund të ndahen pikërisht këtu në konferenca të këtilla për arsye se unë jam i bindur se çdoherë mund të mësohet diçka e re prej tjetrit, nëse asgjë tjetër, së paku mos përsëriten gabimet që i ka bërë dikush tjetër. Përvojat e reja që do i ndajmë këtu dhe mësimet që do i nxjerrim, do të dimë në të ardhmen se si ti aplikojmë edhe në skenën politike vendore. Njohuritë nga kjo konferencë, në cilësi të deputetëve do i transferojmë te elektorati ynë, te organizatat joqeveritare dhe institucionet shtetërore. Mos harrojmë se sot, parlamentet janë më të përgjegjshmit për respektimin konsekuent të të drejtave dhe lirive njerëzore, për sundimin e të drejtës dhe të shtetit juridik. Këto janë standarde dhe principe pa të cilat nuk mund të ndërtohet paqja dhe stabiliteti, si në nivel të shtetit, ashtu edhe në nivel rajonal. Paqja dhe dialogu janë themeli mbi të cilin ndërtohet opinioni i përgjithshëm publik dhe kultura politike. Besoj se në rajon, gjithnjë e më shumë mbisundojnë politikanët e përgjegjshëm, si ndër atyre që janë në pushtet, ashtu edhe ndër ato që janë në opozitë. Politikanë të cilët sinqerisht besojnë se paqja dhe dialogu janë mjeti themelor për ruajtjen e paqes. Mua personalisht, e gjithë kjo më bën optimist se perceptimi për "Ballkanin si fuçi baruti", përfundon. Respektivisht, nëse deri dje si shtete dhe si rajon ishim vetëm konsumues të paqes tani, bëhemi kreatorë aktiv të paqes në kuadër të Evropës a edhe më gjerë. 

Kuvendi i Republikës së Maqedonisë, edhe në këtë periudhë të mandatit do të vazhdojë me aktivitetin e vet ndërkombëtar në të gjitha nivelet. Unë si kryetar, në emër të të gjithë njëqindenjëzet deputetëve,  dëshiroj të theksoj se mbesim edhe të hapur, edhe të gatshëm që të inkuadrohemi në mënyrë aktive në realizimin e cilësdo iniciative ose propozimi që do të çojë kah përforcimi i stabilitetit në rajon dhe perspektivës së tij Euroatlantike. Në fund, kisha dashur tu falënderohem organizatorëve të kësaj konference ndërkombëtare e cila vjen në kohën e qëlluar. Besoj se të gjithë ne së bashku do të punojmë në drejtim të vazhdimit të mëtutjeshëm të kësaj praktike e cila do e përforcojë rolin dhe përgjegjësinë e parlamenteve në përforcimin e mëtutjeshëm të paqes dhe stabilitetit në rajon. Ky është obligimi ynë ndaj qytetarëve që na kanë zgjedhur dhe detyra jonë historike ndaj gjeneratave të ardhshme. 

Ju faleminderit për vëmendjen.

  • Në konferencën në Prishtinë, kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë ju nda pllaketë Ambasador për paqe nga ana e Federatës për Paqe Universale.  
Click