Udhëheqja parlamentare

E mërkurë, 18 tetor 2017

Promovimi i plurazmit kulturor dhe paqes nëpërmjet dialogut inter-fetar dhe inter-etnik

I nderuar kryesues,
Të nderuar kolegë, 
Zonja dhe zotëri,

Planeti ynë Toka mbijeton dhe është e bukur para së gjithash, për shkak të biodiversitetit natyror. Unë personalisht besoj se po aq i rëndësishëm për mbijetesën e planetit Tokë është diversiteti etnik, kulturor, gjuhësor dhe religjioz, respektivisht diversitetet që e krijojnë dhe e lëvizin civilizimin njerëzor. Është fakt se, zhvillimi i sotëm civilizues në të gjitha sferat, prej teknologjisë deri te arti, bazohet pikërisht mbi atë laramani kulturore, etnike dhe gjuhësore. Kjo është me rëndësi veçanërisht sot, kur jemi dëshmitarë të proceseve të globalizimit ku më shumë se kurdoherë shihet ndërlidhja e ndërsjellë por, edhe varësia e kulturave, etnikumeve dhe religjioneve më të ndryshme. Kjo është ndërlidhje e cila manifestohet nëpërmjet formave të ndryshme. Megjithatë, për fat të keq, këtu ballafaqohemi edhe me kundërvënie të caktuar. Në njërën anë, respektimi i atij dallimi kulturor, etnik, gjuhësor dhe religjioz, dhe përfshirja e tyre e tërësishme çon kah zhvillimi dhe mirëqenia e çdo shoqërie, shteti, rajoni dhe kah zhvillimi në nivel global. Në anën tjetër, jemi dëshmitarë se pikërisht ai dallim kulturor, etnik, gjuhësor dhe religjioz, shkakton jotolerancë, ksenofobi dhe forma më të ndryshme të ekstremizmit të orientuar kah tjerët, kah të ndryshmit. A nuk duhet veçanërisht të theksoj se e gjithë kjo e rrezikon paqen, që është kategori e pandashme. Besoj se arsyeja për përplasjet ndërmjet civilizimeve të ndryshme nuk duhet ti kërkojmë te diferencat kulturore, etnike, gjuhësore ose po religjioze, por në mungesën e dialogut ndërmjet tyre. Respektimi i larmisë etnike, kulturore, gjuhësore dhe religjioze dhe krijimi i kushteve për zhvillimin e tyre, sot janë pjesë e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, respektivisht, principe dhe standarde të ngulitura në shumë akte dhe dokumente ndërkombëtare, duke filluar prej Kartës së KB, mandej Konventa universale për të drejtat dhe liritë e njeriut, do e përmend Deklaratën universale për diversitetin kulturor të UNESKO-s dhe të tjera. Me aktin e ratifikimit të këtyre dokumenteve ndërkombëtare, ato bëhen pjesë e sistemit juridik nacional të shteteve anëtare të KB. Pikërisht për këtë edhe asociacioni jonë më shumë herë ka debatuar në këtë temë, a janë nxjerrë edhe më shumë dokumente dhe deklarata që kanë të bëjnë me këtë çështje. Ndër to është Deklarata e miratuar në seancën e Asamblesë së UIP në vitin 2012 , që u mbajt në Kebek. Në të gjitha këto dokumente që i përmenda, vegla kryesore për tejkalimin e mosmarrëveshjeve të mundshme ose po paraqitjen e jotolerancës, ksenofobisë dhe ekstremizmit duhet të jetë dialogu, ndërsa vendi ku duhet të zgjidhen problemet është para së gjithash parlamenti, duke i pasur parasysh tre funksionet e tij themelore, atë ligjvënëse, përfaqësuese dhe mbikëqyrëse.

Miq të nderuar, 

Shteti im, Republika e Maqedonisë, sot ndërton shoqëri të vërtetë multikulturore, multietnike dhe multikonfesionale, në të cilën nëpërmjet përfshirjes së diversiteteve, krijojmë kushte për zhvillim ekonomik, social dhe kulturor të çdo individi dhe të çdo bashkësie etnike. Në vitin 2001 ishim në pragun e luftës së vërtetë civile ndërmjet dy bashkësive më të mëdha etnike, por përsëri, me ndihmën e miqve tanë ndërkombëtarë dhe nëpërmjet dialogut, arritëm të evitojmë përplasje më të mëdha ushtarake të cilat do të kishin pasoja tragjike për të gjithë qytetarët. Mos harrojmë se në rajonin tonë të njohur si Ballkani Perëndimor, pikërisht ajo jotolerancë dhe përpjekjet për imponimin e ekskluzivitetit të një bashkësie mbi tjetrën, të një kulture mbi tjetrën, si edhe përhapja e jotolerancës fetare, sollën deri te konfliktet e mëdha ushtarake pas shpërbërjes së Jugosllavisë së mëparshme, me plagë që akoma shkaktojnë dhimbje edhe sot e kësaj dite. Dhe, të qartësoj, ai ekskluzivitet dhe ajo, thënë butë, jotolerancë ndaj tjetrit, ndaj të ndryshmit, nuk ndërlidhej me bashkësi të caktuar etnike por për elita politike konkrete. Megjithatë, jam i bindur se të gjithë ne, në kuadër të shteteve tona a edhe në nivel të rajonit, mësuam se diversiteti kulturor, etnik, gjuhësor ose fetar, duhet të respektohet dhe nevojitet përfshirje e tërësishme në rast se duam të sigurojmë stabilitet dhe zhvillim të çdo shteti veçmas dhe të rajonit në tërësi. Pikërisht për këtë qëllim, Maqedonia, në dekadën e fundit ishte organizatore e disa konferencave ndërkombëtare të përkushtuara për dialogun ndërmjet religjioneve dhe civilizimeve, me çka kontribuojmë në mënyrë aktive në stabilitetin e rajonit dhe më gjerë.

Zonja dhe zotëri,

Kjo nuk do të thotë se e kemi përfunduar punën. Gjegjësisht, kriza migrante e shkaktuar nga konfliktet ushtarake në Lindjen e Afërme dhe veprimi i të ashtuquajturit Shtet Islamik, paraqesin sfida tejet serioze të cilat e ushqejnë jotolerancën, ksenofobinë dhe paraqitjen e ekstremizmit. Tani është momenti kur na nevojitet më shumë se çdoherë dialogu, dhe bashkëpunimi, që të mundemi të ballafaqohemi m sukses me këto sfida. Në atë dialog dhe bashkëpunim, duhet të përfshihen të gjitha institucionet nacionale dhe ndërkombëtare, si edhe sektori joqeveritar, në rast se me të vërtetë dëshirojmë të ballafaqohemi me sukses me këto sfida dhe gjatë kësaj, ti respektojmë principet dhe standardet e të drejtave dhe lirive të njeriut.

Miq të nderuar, mos harrojmë se ne u takojmë religjioneve më të ndryshme, se ne kemi ngjyrë të ndryshme të lëkurës, flasim gjuhë të ndryshme dhe kemi kulturë të ndryshme por, në esencë, të gjithë ne i takojmë racës së vetme - racës njerëzore. 

We may have different religions, different languages, different color of skin, but we are all belong to one human race.

Ju faleminderit! 

Click