Udhëheqja parlamentare



E mërkurë, 7 prill 2010

FJALIM I KRYETARIT VELJANOSKI NË DISKUTIMIN PUBLIK “DREJT INTEGRIMIT TË SHPEJTË DHE PËRFSHIRJES SË ROMËVE NË REPUBLIKËN E MAQEDONISË”

Zonja dhe zotërinj,
Shkëlqesi,
të nderuar miq,

Më lejoni në fillim të gjithë bashkëqytetarëve tanë, pjesëtarë të bashkësisë etnike rome t'ua uroj Ditën ndërkombëtare të romëve, e cila nga viti 1971, më 8 Prill shënohet në mbarë botën.
Sot jemi këtu jo vetëm që solemnisht ta shënojmë Ditën ndërkombëtare të romëve, por edhe të shohim çka kemi bërë dhe çka duhet të bëjmë për integrim të plotë të bashkëqytetarëve tanë në të gjitha poret e shoqërisë.

Të nderuar miq,
Nëse shikojmë nga ana kushtetuese-juridike bashkësia etnike rome tek ne është kategori kushtetuese, si edhe të gjitha bashkësitë tjera etnike, përkatësisht i gëzon të gjitha të drejtat individuale dhe kolektive me të cilat sigurohet ruajtja dhe zhvillimi i identitetit të tyre nacional, kulturor dhe gjuhësor. Në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë që nga përbërja e parë parlamentare e deri më sot, romët kanë përfaqësuesit e tyre, në përbërjen  e mandatit aktual, ky është kolegu Amdi Bajram. Përveç në Kuvend, përfaqësues nga bashkësia etnike rome  ka edhe në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë, në ministri, si dhe në institucionet tjera shtetërore. Më tej kur flasim për pjesëmarrjen e tyre në pushtet, veçanërisht do ta theksoja praninë në vetadministrimin lokal, dhe nëse nuk gaboj, Republika e Maqedonisë është shteti i vetëm në Evropë në të cilin ka kryetar komune rom. Konsideroj se jemi një nga shtetet e rralla në të cilat është siguruar shkollim fillor në gjuhën rome, kurse me vendosjen e arsimit të mesëm të detyrueshëm, pjesëtarët e rinj të bashkësisë rome kanë mundësi shumë më lehtë të inkuadrohen në të gjitha sferat e jetës shoqërore, përkatësisht të munden për vete të sigurojnë ardhmëri më të mirë. 

Jemi dëshmitarë se në vitet e fundit gjithnjë e më shumë romë regjistrohen dhe kryejnë shkollim të lartë, duke i falënderuar shtetit dhe donacioneve të huaja.
Gjithsesi, shteti e ka përgjegjësinë më të madhe në integrimin e romëve, por ky proces nuk mund të ndodhë brenda natës dhe kërkon kapërcim të të gjitha tabuve dhe paragjykimeve të cilët ekzistojnë në shoqëri, në të cilën rol të madh ka secili prej nesh si  individ, por edhe sektori joqeveritar.
Për fat të keq këto paragjykime dhe stereotipe për Romët janë ende të pranishme, jemi dëshmitarë që në disa shtete evropiane ka edhe paraqitje të jotolerancës së hapur ndaj romëve. T'ju rikujtoj për gjendjen e romëve në Evropë u diskutua, edhe në Këshillin Evropian, edhe në Parlamentin Evropian, ndërsa njëherit në nivel evropian është shpallur e ashtuquajtura Dekada e romëve. Tek ne dukuri të tilla nuk ka, gjë që është mirë dhe në mënyrë të veçantë e vërteton tolerancën ndaj njëri-tjetrit, besoj që do të pajtoheni, është tradita jonë shekullore. Kjo nuk do të thotë që si shtet, si politikanë dhe si qytetarë bashkë me sektorin joqeveritar, nuk duhet të vazhdojmë ta afirmojmë tolerancën dhe bashkëjetesën. Ta afirmojmë solidaritetin, pasi kur i ndihmojmë bashkëqytetarit tonë në thelb i ndihmojmë edhe vetvetes.

Zonja dhe zotërinj,
Si shtet kandidat për anëtarësim në Unionin Evropian, kemi miratuar Strategji nacionale për integrim të plotë të romëve, për përmirësimin e statusit të tyre ekonomik dhe social. Bëhet fjalë për programin i cili është ndërmjet resorësh, përkatësisht janë të përfshira më shumë ministri dhe institucione shtetërore. Ne si parlament nga njëra anë nëpërmjet të ashtuquajturave debate mbikëqyrëse mund të organizojmë debate në këtë temë, gjithashtu, nëse është e nevojshme të miratojmë edhe ligje të përshtatshme ose ndryshime të atyre ekzistuese me çka në mënyrë më efikase do të zbatohej ai program. 
Besoj se për këtë më shumë do të dëgjojmë nga pjesëmarrësit tjerë në diskutimin e sotëm publik.

Në fillim e përmenda vetadministrimin lokal. Mendoj se ajo është fusha themelore e veprimit, ku duhet të realizohen interesat e bashkëqytetarëve tanë romë, kur bëhet fjalë për atë çka sot e quajmë politikë publike, përkatësisht realizimin e nevojave themelore për një jetesë normale dhe të denjë. Ligji për vetadministrim lokal këtë mirë e rregullon, por siç thashë është e nevojshme zbatimi konsekuent i dispozitave ligjore. Në çdo rast, mendoj që kemi hapa pozitivë kur flitet për integrimin e romëve në shoqërinë maqedonase. Ndoshta ato hapa nuk janë shumë të mëdhenj dhe ende nuk i plotësojnë në tërësi nevojat e bashkëqytetarëve tanë pjesëtarë të bashkësisë rome.  Për këtë arsye, sot dua t'u apeloj të gjithë institucioneve kompetente shtetërore, vetadministrimit lokal, por edhe sektorit joqeveritar për realizimin më efikas dhe më të shpejt të të gjithë asaj çka e kemi miratuar si Strategji nacionale për romët. 

Të nderuar miq,
Zonja dhe zotërinj,
Rom në gjuhën rome do të thotë: njeri. Nuk e di nëse në të gjithë botën do të gjeni bashkësi tjetër etnike e cila si emër të përkatësisë së vet etnike ka zgjedhur kategori kaq universale, siç është fjala njeri. Me siguri rrënjët e kësaj qëndrojnë në historinë e tyre, por ajo që është më e rëndësishme është fakti se të gjithë njerëzit para ligjeve shtetërore ose të zotit jemi të njëjtë. Për këtë arsye sipas të njëjtave ligje të gjithë atyre njerëzve duhet t'u sigurohen kushte të njëjta për jetesë, për mësim, për punë, për zhvillim.
Ndërsa sot romët në Republikën e Maqedonisë nëpërmjet kulturës së tyre, gjuhës, me identitetin e tyre nacional vetëm e pasurojnë dhe e plotësojnë shoqërinë tonë multikulturore dhe multietnike. Në të njëjtën kohë ata çdoherë janë treguar edhe si qytetarë luajalë dhe të ndërgjegjshëm. Për këtë arsye edhe meritojnë vazhdimisht që si shtet të krijojmë kushte që ta ruajmë identitetin e tyre nacional dhe kulturor dhe integrimin e tyre të plotë dhe të vërtetë në Republikën e Maqedonisë. 

Ju faleminderit.

Click