Aktivitetet



E premte, 25 mars 2011

MAQEDONIA TË VAZHDOJË NË RRUGËN E DEMOKRACISË PARLAMENTARE

Kryetari i Grupit parlamentar të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë për bashkëpunim me Parlamentin e Republikës së Turqisë, Z.  Kenan Hasipi dhe anëtarët:  Z.  Cvetko Grozdanov, Z.  Andrej Zhernovski, Z.  Avdija Pepiq dhe Z.  Nazif Bushi, sot realizuan takim me ministrin e Çështjeve Evropiane dhe negociuesin kryesor të Republikës së Turqisë, Z.  Egemen Bagish.

Në përbërje të delegacionit turk ishin edhe:  SH.T. Guroll Sokmensuer, ambasador i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë i Republikës së Turqisë në Republikën e Maqedonisë dhe Z.  Halluk Illiçak, ambasador, sekretar i përgjithshëm për çështje evropiane në BE.

Në takim, Z.  Hasipi e përshëndeti praninë e delegacionit turk, dhe shprehu falënderim të madh që përfaqësuesit e pushtetit ekzekutiv të Turqisë realizojnë takim me Grupin parlamentar për bashkëpunim në Parlamentin e Republikës së Maqedonisë, duke i dhënë me këtë rëndësi më të madhe demokracisë parlamentare. 

Kryetari Hasipi i përmendi marrëdhëniet e mira dhe stabile ndërmjet këtyre dy vendeve mike, të cilat  i karakterizon shkalla e lartë e tolerancës dhe mirëkuptimit.  Njëherazi, ai përkujtoi se Republika e Turqisë e para njohu pavarësinë dhe sovranitetin e Republikës së Maqedonisë dhe u angazhua për përdorimin e emrit të saj kushtetues në të gjitha platformat ndërkombëtare, e para hapi ambasadë në Republikën e Maqedonisë dhe emëroi ambasadorin e saj, ndërsa mbështetja e fortë dhe jovetiake erdhi në shprehje edhe në kohën e Samitit në Bukuresht.  

Ministri për Çështje Evropiane dhe negociuesi kryesor i Republikës së Turqisë, Z.  Egemen Bagish, theksoi se është përgjegjësi e madhe të jetë i pranishëm në vend miqësor dhe vëllazëror si Republika e Maqedonisë, në Parlamentin i cili është shprehje e popullit të Maqedonisë, duke shprehur kënaqësinë e tij personale që në Grupin parlamentar për bashkëpunim janë të qasura të gjitha partitë politike, siç është edhe rasti me Grupin parlamentar për bashkëpunim në Kuvendin e Madh Popullor të Republikës së Turqisë.

Ai shtoi se njohja e pavarësisë dhe hapja e ambasadës, është hap me të cilin krenohet Republika e Turqisë dhe se në të ardhmen do të vazhdojë t’i jep mbështetje të plotë Republikës së Maqedonisë në të gjitha platformat ndërkombëtare, duke i pasur parasysh problemet e njëjta me të cilët ballafaqohen të dy vendet në rrugën drejt integrimit në BE dhe NATO.

Përveç bashkëpunimit politik, këto dy vende i karakterizon edhe bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes, punëve të brendshme, shëndetësisë, sportit, etj.  Republika e Turqisë, gjithashtu, është partner i rëndësishëm tregtar, duke kuotuar lartë midis dhjetë vendeve të para të cilët kanë shkëmbim të lartë tregtar me Maqedoninë, ndërsa numër i madh i përmendoreve në vend janë tregues të lidhjeve të forta kulturore dhe historike ndërmjet dy vendeve dhe ruajtja e tyre është me rëndësi të madhe.  
 
 
 
 
 

Click