Aktivitetet



E martë, 29 mars 2011

MBLEDHJA E PESËDHJETENËNTË E KOMISIONIT PËR BUJQËSI, PYLLTARI DHE EKONOMI TË UJËRAVE 

Komisioni për Bujqësi, Pylltari dhe Ekonomi të Ujërave i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, në mbledhjen e pesëdhjetenëntë të  mbajtur mbrëmë, si trup punues amë në lexim të parë i shqyrtoi:

  • Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për verën; 
  • Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Inspektoratin shtetëror për bujqësi.

Në mbledhjen e Komisionit, në cilësi të përfaqësuesit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë mori pjesë, Z. Perica Ivanovski, zëvendësministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave.

- Në lidhje me Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për verën, ai e theksoi nevojën e miratimit të ligjit, qëllimet që do të arrihen dhe zgjidhjet themelore që rregullohen me ligjin.

Në mënyrë të veçantë theksoi se Ministria, duke iu referuar masave për harmonizimin e politikës ndëshkuese dhe përmirësimin e biznes klimës në Republikën e Maqedonisë, iu qas ndryshimit të dispozitave ekzistuese në Ligjin për verën të cilat janë në drejtim të korrigjimit  të lartësisë së gjobave dhe futjes së procedurës për edukim.

Përfaqësuesi i Qeverisë e potencoi nevojën e rregullimit plotësues të çështjeve të caktuara me qëllim që të arrihet efekti i dëshiruar dhe të realizohen në tërësi qëllimet e ligjit, të cilët në mënyrë të veçantë kanë të bëjnë me mbrojtjen e interesave të prodhuesve të rrushit për verë dhe verës dhe konsumatorëve të verës, përmirësimin e kualitetit të verës dhe prodhimeve të tjera të rrushit për verë dhe funksionimin e mirë të tregut të brendshëm dhe të jashtëm të rrushit për verë dhe verës.

Për shkak të nevojës për vlerësimet organoleptike të verës inkorporohet komision për degustim i cili do të përbëhet prej tre anëtarëve dhe zëvendësve të tyre, ndërsa do të emërohet nga ministri.

Në diskutimin për Propozim ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për verën morën pjesë deputetët: Z.  Jovan Ginev, Z. Pance Dameski dhe Z.  Vasko Shutarov.

Në fund Komisioni njëzëri e miratoi këtë Konkluzion:

  • Komisioni për Bujqësi, Pylltari dhe Ekonomi të Ujërave e shqyrtoi Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për verën (leximi parë), nga pikëpamja e nevojës për miratimin e ligjit, parimet mbi të cilët duhet të bazohet ligji, marrëdhëniet themelore që rregullohen me ligjin dhe mënyra në të cilën  propozohet rregullimi i tyre dhe në përputhshmëri me nenin 142, paragrafi 1 i Rregullores së Kuvendit të Republikës së Maqedonisë vlerësoi se Propozim-ligji është i pranueshëm dhe duhet të jepet në lexim të mëtutjeshëm.

- Për Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Inspektoratin shtetëror për bujqësi, Z. Ivanoski theksoi nevojën për miratimin e ligjit, qëllimin që do të arrihet, posaçërisht që ka të bëjë me harmonizimin me Ligjin për mbikëqyrje inspektuese, aktet për organizimin e brendshëm dhe aktet për sistematizimin e vendeve të punës dhe miratimin e akteve nënligjore, si dhe harmonizimin e politikës ndëshkuese tek personat fizikë dhe juridik dhe zgjidhjet bazë themelore që rregullohen me ligjin. 

Përfaqësuesi i Qeverisë theksoi se Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave e ka observuar gjendjen ekzistuese dhe Qeverisë i propozon në afat sa më të shkurtër të ekipohet Inspektorati shtetëror për bujqësi me qëllimin e vetëm që të kënaqen nevojat që dalin nga obligimi i Ministrisë i përcaktuar me dispozitat pozitive ligjore.

Në diskutimin për këtë Propozim-ligj morën pjesë: Z.  Zhivko Pejkovski dhe Z.  Pance Dameski.

Në fund Komisioni njëzëri e miratoi këtë Konkluzion:

  • Komisioni për Bujqësi, Pylltari dhe Ekonomi të Ujërave e shqyrtoi Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Inspektoratin shtetëror për bujqësi (leximi parë), nga pikëpamja e nevojës për miratimin e ligjit, parimet mbi të cilët duhet të bazohet ligji, marrëdhëniet themelore që rregullohen me ligjin dhe mënyra në të cilën  propozohet rregullimi i tyre dhe në përputhshmëri me nenin 142, paragrafi 1 i Rregullores së Kuvendit të Republikës së Maqedonisë vlerësoi se Propozim-ligji është i pranueshëm dhe duhet të jepet në lexim të mëtutjeshëm.
Click