Aktivitetet



E enjte, 20 janar 2011

MBLEDHJA E PESËDHJETESHTATË E KOMISIONIT PËR ÇËSHTJE EKONOMIKE

Komisioni për Çështje Ekonomike i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, në mbledhjen e sotme, të Pesëdhjeteshtatë, si trup punues amë i shqyrtoi: Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për shoqëritë tregtare (leximi parë) dhe Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për mbrojtje të konsumatorëve (leximi parë).

- Arsyetim për Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për shoqëritë tregtare (leximi parë), dha përfaqësuesi i propozuesit, i autorizuari Aleksandar Popovski, udhëheqës i Sektorit për integrime evropiane në Ministrinë e Ekonomisë.

Ai theksoi se qëllimi i përgjithshëm i ndryshimeve dhe plotësimeve të propozuara është harmonizimi me legjislacionin evropian.

Ndryshimet në dy vitet paraprake përmbajtën Direktiva relevante nga Bashkimi Evropian. U theksua se edhe në këtë rast me ndryshimet dhe plotësimet e propozuara harmonizimi është pjesë përbërëse e Direktivës 2003/58 me të cilën mundësohet parashtrimi  i dokumenteve në Regjistrin Qendror të Republikës së Maqedonisë edhe atë në rrugë elektronike. 

Për dallim nga ndryshimi i fundit i Ligjit për sistem njësportel, ku gjithashtu është lejuar që procedura të mbahet përmes rrugës elektronike të parashtrimit të dokumenteve, në këtë rast intervenimi është nga aspekti juridiko-material, përkatësisht dhënia e bazës juridike e të gjitha dokumenteve të cilat në pajtim me Ligjin për shoqëritë tregtare kërkohet të përgatiten dhe të paraqiten në Regjistrin Qendror të Republikës së Maqedonisë, dhe  të njëjtat do të zbatohen përmes rrugës elektronike. 

Në ndryshimet dhe plotësimet e propozuara, janë bërë edhe ndryshime tjera të rëndësishme, përkatësisht janë futur tre Direktiva të reja të marra me rekomandim nga ana e Komisionit Evropian dhe Sektori i biznesit. 

Në lidhje me politikën ndëshkuese, ndryshimet janë në drejtim të zvogëlimit adekuat në një pjesë të shtrirjes së dënimeve që janë përcaktuar në Ligjin për shoqëritë tregtare.

Pas mbarimit të debatit, Komisioni unanimisht konkludoi se Propozim-ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për shoqëritë tregtare në lexim të parë është i pranueshëm dhe duhet të jepet në lexim të mëtutjeshëm.

- Në lidhje me Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për mbrojtjen e konsumatorëve (leximi i parë), arsyetim dha përfaqësuesi i propozuesit, e autorizuara Neriman Xheladini, udhëheqëse e Sektorit për tregun e brendshëm në Ministrinë e Ekonomisë. 

U theksua se ky Propozim-ligj është miratuar për tre arsye. E para është harmonizimi me Direktivat plotësuese nga ana e Bashkimit Evropian, edhe atë Direktiva 29 e vitit 2005 e Parlamentit Evropian me të cilën rregullohet sjellja e pandershme në treg  nga ana e subjekteve në tregun e brendshëm dhe Direktiva 27 e cila imponon mbrojtjen e interesave të konsumatorëve dhe vendosjen e sistemit të mekanizmave për mbrojtjen kolektive të konsumatorëve para gjykatave kompetente.

Duke u harmonizuar me Direktivat tejet të rëndësishme dhe thelbësore në Ligjin për mbrojtjen e konsumatorëve, arrihet deri te saktësimi plotësues i disa përkufizimeve, e ato janë:  çka nënkupton sjellja tregtare ndaj konsumatorëve nga ana e subjekteve afariste, çrregullimi i konsiderueshëm i sjelljes tregtare, kodeksi i sjelljes, poseduesi i sjelljes, mbrojtja kolektive, ftesa për blerje, ndikimi jashtë masës, vendimi për kryerjen e qarkullimit, profesioni i rregulluar ligjor dhe rregullimi i trupave që janë të autorizuar për ngritjen e procedurës. 

Arsyeja e dytë për ndryshimin dhe plotësimin është harmonizimi i Ligjit për mbrojtjen e konsumatorëve me Ligjin për mbikëqyrje inspektuese.

Arsyeja e tretë janë ndryshimet në rregullimin e politikës ndëshkuese, përkatësisht ulja e një pjese të dënimeve, edhe atë prej 20% deri 50%,  harmonizuar në pajtim me politikën ndëshkuese të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë dhe vendosja e gjobës së vetme, me çka do të vjen deri te veprimi më efikas i mbikëqyrjes inspektuese mbi subjektet në pjesën e tregut të brendshëm që veprojnë në Republikën e Maqedonisë.

Pas përfundimit të debatit, Komisioni për Çështje Ekonomike unanimisht konkludoi se Propozim-ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për mbrojtjen e konsumatorëve në  lexim të parë është i pranueshëm dhe duhet të jepet në lexim të mëtutjeshëm. 

Click