Udhëheqja parlamentare



E mërkurë, 28 mars 2012

TAKIMI I KRYETARIT VELJANOSKI ME DELEGACIONIN E PARLAMENTIT TË KROACISË TË UDHËHEQUR NGA KRYETARI BORIS SHPREM 

Pas diskutimeve të sotme ndërmjet të dy delegacioneve parlamentare, z.Veljanoski, kryetar i Kuvendit të RM-së dhe z.Boris Shprem, kryetar i Kuvendit të Kroacisë vlerësuan se ndërmjet Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Kroacisë nuk ka çështje të hapura, ndërsa marrëdhëniet bilaterale në të gjitha sferat në njëzet vitet e kaluara vazhdimisht janë duke përparuar.

Në takimin, kryetari Veljanoski, duke shprehur përgëzimet e tij për finalizimin e negociatave për anëtarësimin e Kroacisë në BE, potencoi se integrimet euroatlantike ishin qëndrime të pandryshueshme për të dy shtetet. 

"Bashkërisht e kaluam rrugën e anëtarësimit në NATO, por në Samitin në Bukuresht, për disa shkaqe të njohura u bllokua rruga e anëtarësimit të Maqedonisë në NATO nga ana e fqinjit jugor. Gjithashtu jemi të bllokuar edhe në aspekt të fillimit të negociatave me BE-në, edhe pse që tre vite me radhë marrim rekomandim për fillimin e negociatave nga Komisioni Evropian. Edhe atëherë edhe tani, ne e përshëndetëm anëtarësimin e Kroacisë në NATO, meqë me këtë Maqedonia fiton edhe një mik (përkrahës), ndërsa kjo njëkohësisht është shumë e rëndësishme për gjithë rajonin.  Tani, pas aktgjykimit të Gjykatës ndërkombëtare në Hagë, presim që të gjithë shtetet anëtare të NATO-s dhe BE-së t'i respektojnë dispozitat e aktgjykimit", theksoi kryetari Veljanoski. 

Gjatë diskutimit për bashkëpunimin ndërmjet të dy parlamenteve, kryetari Veljanoski nënvizoi se ky bashkëpunim zhvillohet mirë në të gjitha nivelet,

"Ne nuk kontribuojmë vetëm në marrëdhëniet bilaterale, por krijojmë kushte për një bashkëpunim më cilësor rajonal, me çka kontribuojmë për stabilitetin e rajonit dhe perspektivën e saj euroatlantike", shtoi kryetari Veljanoski.  

Ai gjithashtu përmendi edhe pozitën e minoriteteve kroate në Maqedoni dhe minoriteteve maqedonase në Kroaci, duke theksuar se të dy shtetet marrin masa konkrete për ruajtjen dhe zhvillimin e identitetit të tyre etnik, gjuhësor dhe kulturor, ndërsa ajo që duhet potencuar është se Komuniteti kroat në RM edhe ai maqedonas në Kroaci u qëndrojnë besnikë shteteve në të cilat banojnë. 

Kryetari i Parlamentit të Kroacisë, z. Boris Shprem, theksoi se Republika e Maqedonisë që moti meriton të jetë anëtare e NATO-s, si dhe t'i fillojë negociatat me BE-në.

Kroacia do të vazhdojë edhe në të ardhmen ta përkrahë plotësisht integrimin euroatlantik të Republikës së Maqedonisë, i cili sot është faktor i rëndësishëm për stabilitetin e rajonit. 

Duke diskutuar për bashkëpunimin parlamentar, kryetari i Parlamentit të Kroacisë, ushqeu shpresë se ky bashkëpunim do të vazhdojë, para se gjithash, në drejtim të integrimeve euroatlantike 

"Momentalisht, jemi duke punuar në rikonstruktimin funksional të Parlamentit, para se gjithash lidhur me institucionet e BE-së, e në veçanti me Parlamentin Evropian", theksoi z. Shprem. 

Ai gjithashtu, e vlerësoi pozitivisht rolin e pakicës maqedonase në Kroaci, e cila së bashku me pakicën kroate në Maqedoni, është njëra nga urat e bashkëpunimit të plotë bilateral ndërmjet të dy shteteve dhe popujve.

Click