Udhëheqja parlamentare



E mërkurë, 4 prill 2012

TAKIMI I KRYETARIT VELJANOSKI ME KRYETAREN E KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, ZNJ. JOZEFINA ÇOBA TOPALLI

"Marrëdhëniet e mira miqësore janë një nga prioritetet e politikës sonë të jashtme, ndërsa në këtë kornizë është edhe takimi dhe diskutimet tona të sotme", theksoi kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, z. Trajko Veljanoski

"Në veçanti dua ta theksoj bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet parlamenteve tona, që zhvillohet në të gjitha nivelet, duke filluar nga bashkëpunimi i komisioneve përkatëse të Kuvendit e deri në takimet dhe bisedimet e kryetarëve. E gjithë kjo jep ndihmesë të madhe në marrëdhëniet bilaterale, ndërsa njëkohësisht përforcon stabilitetin e rajonit dhe perspektivat e tij euroatlantike", theksoi kryetari Veljanoski. 

Duke përkujtuar se Republika e Maqedonisë dhe Republika e Shqipërisë bashkërisht e kaluan procesin e integrimit në NATO, ndërsa shteti ynë nuk morri ftesë nga disa shkaqe mirë të njohura të imponuara nga fqinji ynë jugor, z.Veljanoski nënvizoi se tani para Samitit në Çikago pret që shtetet-anëtare ta respektojnë aktgjykimin e Gjykatës ndërkombëtare në Hagë, në të cilin është cekur qartë se bllokimi i Republikës së Maqedonisë nga ana e fqinjit jugor është në kundërshtim me parimet dhe marrëveshjet ndërkombëtare. 

"Madje dua të potencoj se Republika e Maqedonisë edhe pas samitit në Çikago do të vazhdojë të merr pjesë aktive në të gjitha misionet e NATO-s dhe komunitetit ndërkombëtar, duke realizuar përgjegjësinë për paqen botërore dhe luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar", theksoi kryetari Veljanoski. 
 
Bashkëpunimi ndërmjet të dy parlamenteve duhet që në të ardhmen gjithnjë e më shumë të fokusohet në integrimin në BE. 

"Si deri tani, ashtu edhe në të ardhmen jemi të përgatitur që me kolegët tanë shqiptarë t'i ndajmë përvojat tona, meqë alternativa e vetme për të gjitha shtetet në rajon është integrimi në BE. Tani ne kemi historinë tonë, nuk duhet ta harrojmë këtë, por përgjegjësia jonë është që të krijojmë kushte për një ardhmëri më të mirë të qytetarëve tanë dhe të rajonit", shtoi kryetari Veljanoski. 

Gjithashtu, në takimin u diskutua edhe për bashkëpunimin ekonomik. Kryetari Veljanoski theksoi nevojën për projekte të përbashkëta në sferën e infrastrukturës dhe energjetikës, si dhe projekte për mbrojtjen e mjedisit njerëzor, para se gjithash mbrojtjen e Liqenit të Ohrit. 

Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, znj. Jozefina Çoba Topalli, duke shprehur falënderim për takimin e sotëm, nënvizoi se Republika e Maqedonisë dhe Republika e Shqipërisë, nuk janë vetëm fqinjë, por edhe miq të mëdhenj që ndajnë shumë qëllime dhe interesa të përbashkëta. 

"Ne gjithmonë e kemi përkrahur dhe do ta përkrahim Republikën e Maqedonisë në integrimin e saj euroatlantik, veçanërisht kur bëhet fjalë për NATO-n. Ne do të vazhdojmë me përkrahjen tonë intensive për anëtarësimin formal të RM-së, meqë ju tani me aktivitetet dhe angazhimet tuaja jeni anëtare e Aleancës. Jam e bindur se bashkëpunimi parlamentar do të vazhdojë në të gjitha nivelet, dhe në të ardhmen duhet të nënvizohet integrimi në BE. Kështu që në këtë sferë, përvojat tuaja janë të mirëseardhura. Ndërsa bashkëpunimi ekonomik duhet të intensifikohet, si në planin bilateral ashtu edhe në kuadër të rajonit dhe më gjerë", theksoi znj.Topalli. 

Click