Udhëheqja parlamentare



E mërkurë, 16 tetor 2013

KRYETARI VELJANOSKI E PRANOI RAPORTIN E KOMISIONIT EVROPIAN PËR PROGRESIN E REPUBLIKËS SË MAQEDONISË PËR VITIN 2013

Euroambasadori z. Aivo Orav, Raportin e Komisionit Evropian për progresin e Republikës së Maqedonisë për vitin 2013, zyrtarisht ia dorëzoi kryetarit të Kuvendit, z. Trajko Veljanoski.

Me rastin e pranim-dorëzimit të Raportit, kryetari Veljanoski shprehu kënaqësi për marrjen rekomandimit të pestë për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE dhe shfaqi shpresë se në dhjetor këtij rekomandimi do t'i bashkëlidhet edhe data për fillimin e negociatave. Ai gjithashtu theksoi se në rrugën e eurointegrimit reformat realizohen për t'u përmbushur kriteret e përcaktuara, por ato para së gjithash përmbushen për të mirën e qytetarëve.

Kryetari Veljanoski potencoi se në pajtim me praktikën e vendosur Raporti do të shqyrtohet në mbledhjet e komisioneve dhe në mbledhjen e Komisionit Nacional për Eurointegrime, ndërsa për këtë raport do të diskutohet edhe në seancën plenare, ku pas përfundimit të diskutimit deputetët do të miratojnë konkluzione të përbashkëta.

Kryetari nënvizoi se nevojitet vullnet politik, angazhim i sinqertë dhe punë ekipore të të gjithë faktorëve në Kuvend dhe jashtë tij, për t'u realizuar qëllimet e përcaktuara dhe shprehu bindje se grupi i formuar punues do të vazhdojë me punën e tij dhe se me implementimin e rekomandimeve do të përmirësohet dhe përforcohet funksionimi dhe kapaciteti i Kuvendit. 

Në pranim-dorëzimin e Raportit ishin të ftuar edhe nënkryetarët e Kuvendit, koordinatorët e grupeve parlamentare, kryetari i Komisionit për Politikë të Jashtme, kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane, kryetarja e Komisionit Nacional për Eurointegrime dhe kryetari i Komitetit të Përzier Parlamentar. 

Click