Udhëheqja parlamentare



E hënë, 22 prill 2013, Nikozi, Republika e Qipros

FJALIMI I KRYETARIT VELJANOSKI NË KONFERENCËN E KRYETARËVE TË PARLAMENTEVE NGA VENDET E BE-SË, ME TEMË "SJELLJA E QYTETARËVE MË AFËR BE-SË"       

Të nderuar kolegë,

Transparenca dhe objektiviteti i parlamenteve janë instrumente të rëndësishme në zbatimin e demokracisë. Parlamentet vetë duhet të kujdesen t'i shfrytëzojnë mundësitë të cilat i kanë në dispozicion në mënyrë që të jenë transparentë para opinionit dhe qytetarëve. Konkretisht mund të theksoj se aktivitetet në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë janë plotësisht transparente, me ç'rast çdo seancë plenare, çdo mbledhje e komisionit, çdo debat publik dhe mbikëqyrës, si dhe të gjitha aktivitetet tjera parlamentare transmetohen në Kanalin Televiziv Parlamentar.  

Në këtë kontekst, është veçanërisht e rëndësishme që aktivitetet parlamentare lidhur me proceset eurointegruese e tërheqin vëmendjen e opinionit dhe qytetarëve.  

Prapëseprapë, në shoqëritë tranzicionale dhe postranzicionale, siç është shoqëria maqedonase, parlamenteve u nevojitet përkrahje më e madhe nga ana e opinionit dhe mediave dhe respekt më të madh nga ana e subjekteve tjera politike në mënyrë që të mund ta arrijnë rolin e tyre kryesor në jetën demokratike. 

Por, kur shteti është në proces të integrimit më të gjerë, përkrahja ndaj parlamenteve duhet të jetë e padyshimtë edhe nga ana e subjekteve ndërkombëtare. 

Beteja për parlament të respektuar si institucion demokratik qendror zhvillohet në më shumë shtete, dhe në këtë aspekt bashkëpunimi ndërmjet parlamenteve nacionale është më se e nevojshme. Përkrahja reciproke mund të bëhet faktor i rëndësishëm në përforcimin e çdo parlamenti.

Që nga viti 2005 e këndej, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë organizon Ditë të Kuvendit, përkatësisht Parlament të hapur, ku në atë ditë i bëjnë vizitë Parlamentit grupe të organizuara të fëmijëve nga çerdhet, grupe nxënësish nga shkollat fillore dhe të mesme, studentë dhe të gjithë personat tjerë të interesuar, të cilat përmes kësaj vizite informohen drejtpërdrejtë për punën e Parlamentit. 

Përmes shënimit jubilar të Ditës së Evropës - 9 maj, qytetarët informohen për aktivitetet e Parlamentit tonë, në procesin e përgjithshëm të eurointegrimit të vendit, si dhe për rolin e Kuvendit në atë proces. 

Me Projektin IPA për Kuvendin 2011-2012, si një prej komponentëve të tij themelore, përveç realizimit të serisë së seminareve edukative për deputetët dhe nëpunësit, ishte edhe ndërtimi i katit të BE-së në Kuvendin, i cili u hap vitin e kaluar. 

BE qendra në Kuvendin është vendosur në hapësirat në të cilat është planifikuar hyrja e qytetarëve të jetë e lirë dhe ku të gjithë qytetarët e interesuar, përmes broshurave, librave, revistave dhe botimeve tjera, si dhe përmes kërkimeve në internet, do të kenë mundësi të informohen për funksionimin e institucioneve të Bashkimit Evropian, për miratimin e vendimeve, implementimin e tyre, si dhe për të gjitha çështjet tjera. 

Pritet që pas përfundimit të punës së rikonstruktimit mbi ndërtesën e Kuvendit, kjo Qendër të fillojë me realizimin e aktiviteteve të parapara sipas shembullit të BE qendrave të tilla parlamentare. 

Ueb faqja e Kuvendit është vegël e shkëlqyeshme përmes së cilës qytetarët marrin informata transparente dhe të përditësuara për punën e Kuvendit. 

Ueb faqja disponon me numër të madh informatash për punën e Këshillit Nacional për Eurointegrime, trup parlamentar i cili ka rol aktiv në proceset eurointegruese dhe i cili bashkon përfaqësues, jo vetëm nga pushteti legjislativ dhe ekzekutiv, por edhe nga shoqëria civile, komunitetet fetare, ASHAM-i, shoqata e gazetarëve dhe vetadministrimit lokal. Këshilli, në kuadër të kompetencave të tij, organizon debate publike ku janë të ftuar ekspertë dhe përfaqësues nga sektori civil, të cilët marrin pjesë në punën me propozime të tyre. 

Qytetarët janë gjerësisht të informuar edhe për punën dhe aktivitetet e Komitetit të Përzier Parlamentar - Republika e Maqedonisë dhe Bashkimi Evropian, trup parlamentar kompetent për komunikim të drejtpërdrejt me Parlamentin Evropian, të themeluar në pajtim me Marrëveshjen për Stabilizim dhe Asociim të Republikës së Maqedonisë me Bashkimin Evropian.  

Përveç dokumenteve, materialeve lidhur me mbledhjet e këtij trupi të cilat mbahen dy herë në vjet, Delegacioni ynë në Komitetin e Përzier Parlamentar, çdo muaj, në gjuhën angleze, publikon Buletin për Kuvendin dhe BE-në, i cili përfshin të gjitha aktivitetet parlamentare eurointegruese. 

Buletini publikohet në ueb faqen, dhe në formë elektronike i dorëzohet një diapazoni të gjerë të pranuesve në vend dhe në të gjitha vendet tjera anëtare. 

Komiteti i Përzier organizon edhe debate publike tematike, në të cilat ftohen përfaqësues të shoqërisë civile.  

Kontaktet e drejtpërdrejta të qytetarëve me deputetët luajnë rol në sjelljen e qytetarëve më afër BE-së. Këto kontakte realizohen përmes postës elektronike të deputetëve, si dhe në zyrat për kontakte në njësitë zgjedhore të deputetëve. Përmes kësaj mënyre të komunikimit, qytetarët kanë mundësi të informohen për të gjitha çështjet që i interesojnë, përfshirë edhe çështjet lidhur me Bashkimin Evropian.  Aktivitete përkatëse për komunikim të hapur me qytetarët janë paraparë edhe në kuadër të Institutit të sapothemeluar parlamentar.

Në Republikën e Maqedonisë, qytetarët vazhdimisht e përkrahin integrimin tonë në Bashkimin Evropian. Atë e tregojnë të gjithë hulumtimet e mendimit publik, nga pavarësimi i shtetit e gjer më sot. 

Prapëseprapë, prolongimi i vazhdueshëm i fillimit të negociatave me Bashkimin Evropian, mund ta dobësojë përkrahjen e madhe nga qytetarët. Ngarkesat plotësuese dhe presionet e paekuilibruara, mund vetëm ta zvogëlojnë entuziazmin dhe përgatitjen për reforma. 

Puna e realizuar në rrugën e eurointegrimeve duhet të respektohet dhe vlerësohet.  Veçanërisht, duhet të respektohet parlamenti dhe të vlerësohet kontributi i tij për këtë proces.  

Procesi i integrimit tonë duhet doemos të lëvizë përpara, të hidhet hapi i nevojshëm dhe përfundimisht të fillojnë negociatat për anëtarësim.

Ju faleminderit për vëmendjen.

Click