Udhëheqja parlamentare



E martë, 23 prill 2013, Nikozi, Republika e Qipros

FJALIMI I KRYETARIT VELJANOSKI NË KONFERENCËN E KRYETARËVE TË VENDEVE ANËTARE TË BE-SË DHE VENDEVE KANDIDATE PËR ANËTARËSIM, ME TEMË "KOHEZIONI SOCIAL NË KUSHTE TË KUFIZIMIT: ÇFARË MUND TË BËJNË PARLAMENTET NACIONALE"

Kolegë të nderuar,

Që nga fillimi i shekullit 20, njerëzimi ballafaqohet me ndryshime të mëdha demografike. Këto ndryshime demografike janë rezultat i shkallës së natalitetit, jetëgjatësisë dhe shpërnguljeve të popullatës. Në Evropë, ky fenomen ka marrë emrin si "shoqëri që plaken". Statistikat tregojnë numra brengosëse. Gjendja e popullatës nuk do pësojë ndryshime thelbësore në vitin 2060, por do të mbizotërojë popullata më e vjetër, mbi 65 vjetësh.

Krizat ekonomike e tronditën botën, përfshirë edhe kontinentin e Evropës. Këto kriza imponuan marrje të vendimeve të përgjegjshme nga ana e politikanëve evropianë dhe solidaritet më të madh ndërmjet qytetarëve për gjetjen e zgjidhjes për zhvillim të qëndrueshëm, konkurrencë dhe kohezion social në nivel global. Problemi i papunësisë, i cili ishte i pranishëm edhe para krizës financiare me shpërndarje të pabarabartë në vendet-anëtare, u keqësua shumë në ato vende të cilat ishin të goditur nga kriza ekonomike, por ky problem nuk i anashkaloi as ato vende të cilat ishin shembull në BE. Ende më brengosës është fakti që kjo papunësi është në rritje dhe më së shumti i godet të rinjtë në moshë nën 30 vjetësh.

Shumë të rinj e braktisin herët arsimin dhe kanë vështirësi në gjetjen e punës për shkak të kualifikimeve joadekuate. Si pasojë e gjendjes së vështirë ekonomike një pjesë e tyre detyrohen ta braktisin shtetin e tyre dhe të kërkojnë punë në vend tjetër.

Pasojat e krizës ekonomike seriozisht u reflektuan në ekonomitë në të gjitha vendet anëtare të BE-së dhe në vendet kandidate për anëtarësim në BE, gjë që flet se kriza nuk njeh kufij, komb, popull, racë, fe, gjini dhe përkatësi. Miratimi i Marrëveshjes së Lisbonit vendosi bazë të mirë për kohezion social, duke paraparë zhvillim të qëndrueshëm të bazuar në rritje të balancuar ekonomike dhe stabilitet të çmimeve, në konkurrencë të ekonomisë sociale dhe të tregut, punësim dhe progres social dhe luftë kundër përjashtimit social. Pesë prioritetet kryesore nga Strategjia Evropa 2020 janë sfidë për të gjithë vendet anëtare, por edhe për të gjitha vendet që aspirojnë të bëhen anëtare të BE-së.

Republika e Maqedonisë ndërmori një seri masash dhe aktivitetesh për zbutjen e pasojave nga kriza ekonomike. Qeveria ndërmori aktivitete për punësimin e të rinjve përmes programeve të ndryshme për vetëpunësim, përmes ndihmave financiare, kreditimit dhe subvencionimit. Me realizimin e reformave në sferën e ekonomisë dhe arsimit dhe në politikat për punësim, Qeveria insiston që sistematikisht të vendosë mekanizma afatgjate për ballafaqim me papunësinë, për zmadhimin e mundësisë që të rinjtë, personat e papunësuar gjatë kohë dhe veçanërisht gratë e papunësuar të gjejnë punë dhe/ose të përfitojnë shkathtësi dhe njohuri.

Me qëllim zmadhimin e frymës së sipërmarrjes, veçanërisht te të rinjtë dhe te personat e papunësuar, janë ndërmarrë një seri aktivitetesh për nxitjen dhe fillimin e bizneseve personale përmes ndihmave financiare. Kjo drejtpërdrejtë kontribuoi për krijimin e vendeve të reja të punës veçanërisht për të rinjtë. U miratua rregullorja e nevojshme për rrogën minimale, ndërsa hapa të konsiderueshme janë marrë në subvencionimin e punësimit, përkrahjen financiare dhe zhvillimin e shkathtësive të grupeve vulnerabile, grupeve të margjinalizuara dhe personave me nevoja të veçanta. Nevojat imponojnë që të vazhdohet edhe me përkrahjen buxhetore për arsimimin e të rriturve dhe për trajnim për profesionet të cilët nevojiten në treg. Një pjesë e konsiderueshme e këtyre reformave u realizuan me ndihmë financiare të Bashkimit Evropian, në kuadër të Instrumentit për ndihmë paraaderuese (IPA).

Problemi me zvogëlimin e natalitetit dhe plakjen e popullatës është problem edhe në Republikën e Maqedonisë. Numri i vogël i familjeve me shumë fëmijë dhe numri i vogël i martesave janë si rezultat i dinamikës së përshpejtuar të jetës, si rezultat i papunësisë dhe varfërisë. Qeveria e Republikës së Maqedonisë filloi projekt kapital për përkrahje të përjetshme financiare të grave me tre ose me më shumë fëmijë, duke dëshiruar në atë mënyrë ta lehtësojë pozitën e gruas në shoqëri dhe në familje.

Maqedonia bëri reforma thelbësore lidhur me përmirësimin e klimës afariste dhe tërheqjen e investimeve, ku edhe u vendos në vendin e 6-të sipas kriterit për hapje të bizneseve sipas Doing Biznesit, duke e shpallur atë si lider në rajon.

Misioni i fundit i FMN-së e vlerësoi Republikën e Maqedonisë si vend me ekonomi të qëndrueshme dhe me performanca makroekonomike, megjithëse gjendet në kushte të vështira ekonomike, dhe e cila parashikon rritje të mundshme prej 2% deri në fund të këtij viti, gjë që është për t'u përshëndetur ky fakt, veçanërisht për një shtet kandidat, meqë jo të gjithë shtetet e BE-së kanë prognoza të tilla.

Ku janë parlamentet dhe cili është roli i tyre në atë plan? Kuvendi i Republikës së Maqedonisë ka punuar mjaft në këtë aspekt, përmes organizimit të debateve publike nga ana e Komisionit për Mundësi të Barabarta të Grave dhe Burrave dhe Këshilli Nacional për Eurointegrime, ku deputetët i dëgjojnë mendimet e shoqërisë civile dhe mendimet e ekspertëve nga kjo sferë dhe i marrin parasysh para miratimit final të legjislacionit.

Shkathtësia e një shoqërie është që të sigurojë mirëqenie të të gjithë qytetarëve, t'i minimizojë dallimet dhe ta shmangë margjinalizimin dhe në atë mënyrë të sigurojë kohezion social. Politika është arti i të mundshmes. Detyra jonë e përbashkët është që të mundshmen ta bëjmë realitet për qytetarët.

Ju faleminderit për vëmendjen.

Click