Udhëheqja parlamentare



E hënë, 27 maj 2013, Ohër

HAPJA E KONFERENCËS SË 10-TË NË NIVEL TË KRYETARËVE TË PARLAMENTEVE TË PBEJL DHE FJALIMI HYRËS I KRYETARIT VELJANOSKI NË TË

Të nderuar kolegë, përfaqësues të parlamenteve të vendeve pjesëmarrëse në PBEJL,
Të nderuar mysafirë, përfaqësues të asambleve parlamentare ndërkombëtare,
Ekselenca juaj,
Zonja dhe zotërinj,

Kam nderin që në emër të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, t'ju përshëndes dhe t'ju dëshiroj mirëseardhje dhe qëndrim të këndshëm. 

Me kënaqësi të veçantë e hap mbledhjen e 10-të jubilare -Konferenca e kryetarëve parlamentarë të vendeve pjesëmarrëse në Procesin e bashkëpunimit në Evropën Juglindore. Ajo që para 16 vitesh në Athinë filloi si takim autokton dhe jo aq formal i nivelit më të lartë parlamentar rajonal, kaloi në proces të vazhdueshëm dhe hyri në një periudhë të pjekurisë, që kërkon prej nesh zhvillim plotësues dhe fazë më të lartë të bashkëpunimit të përbashkët.

Më vjen mirë që në këtë Konferencë janë të pranishëm kryetarë dhe përfaqësues të parlamenteve pothuajse të të gjithë vendeve pjesëmarrëse në PBEJL, të përfaqësuara në nivele të ndryshme, gjegjësisht në nivel të kryetarëve dhe nënkryetarëve të parlamenteve dhe në nivel të deputetëve dhe koordinatorëve nacionalë për bashkëpunim parlamentar. Dallimet në nivelin dalin nga shkaqet karakteristike për ne parlamentarët. Disa gjenden në periudhën e zgjedhjeve parlamentare, për to periudhë më e ndjeshme, e disa gjenden para debatit dhe miratimit të vendimeve të rëndësishme që kërkojnë kuorum adekuat.

Interesi dhe përkrahja e përbashkët për të mirën e paqes, sigurisë, stabilitetit, solidaritetit dhe bashkëpunimit të mirë fqinjësor njihet edhe në korniza evropiane.  Atë me praninë e tyre e vërteton edhe kryetari i Asamblesë parlamentare të OSBE-së, z. Vollfgang Grosruk, nënkryetari i Parlamentit Evropian, z. Llasllo Shurjan dhe sekretari i përgjithshëm i Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, z. Goran Svillanoviq, gjë për të cilën u jemi shumë falënderues.

Ju lutem, me konsensus, ta miratojmë Propozimin e rendit të ditës të Konferencës, i cili u harmonizua nga Grupi punues.

Faleminderit.

Më lejoni që si nikoqir i juaji ta filloj debatin tonë dyditor me fjalim hyrës në temat që janë lëndë e Konferencës sonë. 

Fillimisht, të them disa fjalë për temën e dytë, të hapur që në Konferencën e tetë në Antali 2010, në të cilën është arritur pëlqim të formohet Grup punues, me qëllim që të propozohen rregulla dhe modalitete për zhvillim të mëtutjeshëm të dimensionit parlamentar të PBEJL, që do të shpie në formimin e Asamblesë Parlamentare. 

Grupi punues në vitet e kaluara mbajti 10 takime dhe diskutoi për pako të propozim-dokumenteve, që do t'i shqyrtojmë pasdite, ndërsa miratimi i tyre do të bëhet gjatë seancës së nesërme plenare. 

Debati shumëvjeçar doli nga përcaktimi që harmonizimet të realizohen me konsensus, si garanci se ajo që do të dakordohet nuk do të jetë vetëm e karakterit deklarativ, por do të pranohet dhe realizohet nga të gjithë ne.

Seanca e parë plenare u është kushtuar sfidave të reja, të dalë nga kriza ekonomike dhe roli i parlamenteve nacionale në ballafaqimin me problemet dhe sfidat. 

Kriza ekonomike ka ndikim të veçantë edhe në rajonin tonë dhe ajo kërkon realizim të ndryshimeve dhe reformave të gjera dhe gjithëpërfshirëse në plan nacional, rajonal dhe global. Në ballafaqimin me sfidat ekonomike, energjetike dhe klimatike, çdokush prej nesh del me zgjidhje të nevojshme, në pajtim me mundësitë personale. Por ato nuk mund të zgjidhen në mënyrë individuale, por në bazë të përbashkët, ku përveç kontributit ndërkombëtar na nevojitet edhe ai rajonal.
Kriza tregoi se në shoqëri të lidhur globale, ekonomitë reciprokisht të ndërlidhur, e veçanërisht vendet e rajonit të varur në mënyrë reciproke, nuk mund që në mënyrë të pavarur suksesshëm të ballafaqohen me problemet ekonomike dhe financiare.  Praktikisht, pa realizimin e ndryshimeve dhe reformave të nevojshme, vendet nga rajoni do të stagnojnë ekonomikisht. 

Kriza ekonomike ndiqet edhe me sfidat klimatike edhe me energjetike, prej të cilave varet ardhmëria e gjeneratave të ardhshme. Prandaj nevojitet të identifikohen masa urgjente dhe afatgjate për zbutjen e pasojave nga kriza, veçanërisht mbi grupet vulnerabile. Vendet nga rajoni ballafaqohen me sfidë të madhe për ta siguruar dinamikën e ardhshme ekonomike në kontekst të konkurrencës së zmadhuar për resurset e varfra, përmes stimulimit të ekonomisë së gjelbër, e me qëllim për ballafaqim me ndryshimet klimatike.

Pasojat më evidente nga kriza ekonomike janë prishja e kushteve për biznes, zmadhimi i varfërisë dhe papunësia e lartë, e cila është veçanërisht e pranishme te të rinjtë. Fatmirësisht, në rajon kemi edhe shtete që janë pozitivisht të ranguara në raportet e "Doing Business" të Bankës Botërore, ndërsa disa bëjnë pjesë edhe në ekonomitë me rritje të shpejtë. Kjo hap hapësirë për zbutjen e efekteve negative nga kriza nëpërmjet investimit të zmadhuar nga fqinjësia, si dhe përmes përmirësimit të komunikimeve energjetike, transportuese dhe komunikimeve tjera dhe përmes bashkëpunimit tejkufitar. 

Mjedisi i volitshëm afarist dhe juridik është një nga parakushtet kryesore për rimëkëmbje dhe rritje ekonomike në rajonin. Gjatë krizës së vazhduar ekonomike, parlamentet nga EJL duhet të kenë rol më aktiv në procesin e reformave ekonomike.  Roli legjislativ, mbikëqyrës dhe kontrollues i parlamenteve nga rajoni shpesh është nën ndikimin e pushtetit ekzekutiv, që duhet të tejkalohet përmes përforcimit të vendit, rolit dhe pozitës së parlamenteve, gjë që është veçanërisht e rëndësishme për forcimin e institucioneve demokratike. 

Në mënyrë që të mund plotësisht ta luajnë rolin e institucionit kryesor në sistemin politik, parlamentet duhet realisht të respektohen nga të gjitha subjektet në procesin politik, edhe nga faktorët e vendit dhe nga faktorët e jashtëm. 

Në shoqëritë tranzicionale dhe postranzicionale parlamenteve u nevojitet përkrahje më e madhe nga opinioni dhe mediat dhe respekt më të madh nga partitë politike relevante që të mund ta realizojnë rolin e tyre në mënyrë legjitime në jetën demokratike të vendeve. 

Vetëm parlamenti i fuqishëm dhe i respektuar mund realisht ta ushtrojë funksionin e tij mbi qeverinë dhe në këtë kuptim të ketë reforma ekonomike reale dhe efikase. 

Deputetët, si të zgjedhur nga populli, janë të detyruar të mbajnë kontakte të vazhdueshme me votuesit e tyre dhe kërkesat dhe iniciativat e tyre t'ia përcjellin Qeverisë ose t'i inkorporojnë në zgjidhje ligjore konkrete, veçanërisht në planin ekonomik. 

Padyshim se në BE ekziston konsensus politik se Evropa ka përgjegjësi ndaj rajonit dhe integrimit të tij në BE, por prapëseprapë, zgjerimi nuk është më një "projekt i madh" për BE-në. Zgjerimi është koncept afatgjatë dhe strategjik, i cili nuk mund të matet me rezultate afatshkurtra. Për vendet nga EJL anëtarësimi në BE ende është drejtim i vetëm që do të sigurojë stabilitet dhe prosperitet në të ardhmen, megjithëse mjedisi është nën ndikimin e krizës ekonomike. 

Parlamentet nacionale të vendeve pjesëmarrëse në PBEJL, me përkrahje të Parlamentit Evropian, duhet të bëjnë vazhdimisht përpjekje për mbajtjen e tempit të reformave dhe tempit të zgjerimit. Mbajtja e tempit të reformave dhe zgjerimit paraqesin dy anë të monedhës së njëjtë dhe janë të rëndësishme për tejkalimin e sfidave kryesore të zgjerimit, siç janë respektimi i sundimit të së drejtës, zgjidhja e çështjeve bilaterale dhe ballafaqimi me problemet ekonomike. Qëllimi i fundit i vendeve anëtare, kandidate dhe aspirante, duke mos i përjashtuar edhe vendet anëtare të BE-së, është t'i transformojnë bizneset e tyre në ekonomi të qëndrueshme të tregut, të integruar në tregun e përbashkët. 

Republika e Maqedonisë, si vend në tranzicion, që nga pavarësimi i saj, e veçanërisht pas shpërthimit të krizës ekonomike botërore, morri seri masash për zbutjen e pasojave dhe për përmirësimin e gjendjes sociale-ekonomike. 

Lidhur me përmirësimin e klimës afariste dhe tërheqjen e investimeve të huaja, Maqedonia bëri reforma themelore që e vendosi në vendin e 6-të sipas kriterit për hapjen e bizneseve sipas "Doing Bussines", duke e shpallur si lider në rajonin e EJL sipas kushteve për udhëheqjen e biznesit.  

Misioni i fundit i FMN-së e vlerësoi Republikën e Maqedonisë si vend me ekonomi stabile dhe performanca makroekonomike, megjithëse gjendet në kushte të vështira.

Modeli ekonomik të cilin Republika e Maqedonisë e realizon arrin t'i amortizojë efektet negative me të cilat ballafaqohet ekonomia jone, si rezultat i krizës ekonomike. 

Indikatorët ekonomikë dhe monetarë për këtë periudhë nga viti 2013, janë me parashenjë pozitive, ndërsa veçanërisht pritet përmirësimi i gjendjeve në gjysmë vjetorin e dytë të këtij viti. Këtë e parasheh edhe komuniteti i biznesit. 

Konkluzion i përgjithshëm është se sektori financiar në Maqedoni është stabil edhe krahas të gjitha jostabiliteteve dhe pasigurive që sundojnë në ekonominë botërore dhe në tregjet financiare botërore. Nuk ka rreziqe sistematike. Bankat dhe segmentet tjera të tregut financiar arrijnë të ballafaqohen me sfidat aktuale që i sjell kriza evropiane dhe botërore. 

Për Republikën e Maqedonisë si prioritete mbeten zmadhimi i rritjes ekonomike dhe konkurrencës në bazë të përhershme, rritja e standardit të jetesës dhe cilësisë së jetës, zvogëlimi i shkallës së papunësisë dhe ngjashëm. 

Kjo është e planifikuar të realizohet përmes: përmirësimit të klimës së biznesit dhe krijimit të mundësive të barabarta për rritje dhe zhvillim ekonomik të të gjithë pjesëmarrësve në biznesin; ruajtjes së stabilitetit makroekonomik; zbatimit të politikave fiskale për përkrahjen e rritjes ekonomike, zmadhimit të investimeve të huaja dhe të vendit, zbatimit të politikave aktive për punësim me të cilat veprohet mbi diturinë dhe kualifikimet e ofertës për fuqi pune, furnizimit të sigurt dhe cilësor të konsumatorëve me energji, shfrytëzimit të burimeve rigjeneruese dhe zmadhimit të efikasitetit energjetik.

Në programet qeveritare për periudhën e ardhshme janë paraparë mjaft iniciativa dhe projekte për zhvillimin e ardhshëm të tregut funksional, klimës së volitshme dhe atraktive të biznesit, për nxitjen e konkurrencës të bazuar në dituri dhe inovacione, si dhe krijimin e kushteve ekonomike për realizimin e reformave të nevojshme për integrimin e vendit në BE dhe NATO.

Në drejtim të përmirësimit të klimës afariste, masat qeveritare politike janë fokusuar në vazhdimin e reformave rregullatore për thjeshtimin e procedurave për biznes, përforcimin e dialogut me komunitetin e biznesit dhe zvogëlimin e shpenzimeve dhe procedurave. 

Në të gjithë këto procese, parlamentet nacionale kanë rol të rëndësishëm. Ato duhet të jenë kontrollorë aktivë të konsekuencës qeveritare në ndjekjen e rrugës së reformave për dalje nga kriza, si në zbatimin e politikave të përgjithshme ashtu edhe në zbatimin e masave, por edhe faktorë legjislativë aktivë në plotësimin e këtij procesi.  Njëkohësisht, bashkëpunim i ndërsjellë ndërmjet parlamenteve nacionale në tejkalimin e të gjitha sfidave globale dhe rajonale, duke marrë parasysh karakterin e tyre të lidhshmërisë, mund vetëm të vërtetoj se është më se i nevojshëm dhe i mirëseardhur. 

Ju faleminderit për vëmendjen. 

Click