Aktivitetet

E hënë, 24 qershor 2019

Takim i Kryetarit Xhaferi me përfaqësues të Projektit për praktikë parlamentare, Lindje - Perëndim

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut realizoi takim me drejtoreshën e Projektit për praktikë parlamentare Lindje - Perëndim, Xhil Adler, menaxheren e projektit Elena Sabotina dhe Zoran Shapuriq, ministër pa Resor i ngarkuar për rregullativë për përmirësimin e klimës investuese për ndërmarrjet vendore në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Pas përshëndetjeve hyrëse të mirëseardhjes të të dy bashkëbiseduesve, Kryetari Xhaferi dhe z-nja Adler e rikujtuan bashkëpunimin që kjo organizatë e ka pasur me Kuvendin në të kaluarën dhe e cila ka rezultuar me disa projekte të përfunduara me sukses. Misioni i Projektit për praktikë parlamentare Lindje - Perëndim është përforcimi i demokracisë parlamentare, promovimi i transparencës dhe përgjegjësisë në menaxhimin dhe dhënien e mbështetjes së participimit civil në procesin e marrjes së vendimeve. Kryetari Xhaferi e njoftoi z-njën Adler me ngjarjet aktuale parlamentare. Ajo e shprehu mendimin e saj pozitiv për përparimin e shkëlqyer që e ka realizuar Republika e Maqedonisë së Veriut në periudhën e kaluar dhe drejtoi urime për dinamikën e shpejtë të ratifikimit të Protokollit për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO në parlamentet nacionale.

Kryetari Xhaferi e theksoi rëndësinë e diplomacisë dhe bashkëpunimit parlamentar. Gjatë bisedës ai e potencoi bashkëpunimin e suksesshëm me organizatat ndërkombëtare dhe donatorë që e mbështesin përforcimin e kapacitetit, avancimin dhe modernizimin e funksionimit dhe punës së Kuvendit. Me këtë rast, theksoi se në kuadër të Kuvendit, deputetët formojnë grupe të cilat më tutje koncentrohen në çështje të caktuara që e prekin shoqërinë. Po ashtu sugjeroi se Kuvendi është i hapur për bashkëpunim në fushat që janë të rëndësishme për zhvillimin e përgjithshëm shoqëror. Zonja Adler informoi për bashkëpunimin me parlamentet në vendet e rajonit dhe tha se puna e tyre është tematike ndërsa temat që mbulohen momentalisht janë të rinjtë, papunësia e tyre dhe zhvillimi i qëndrueshëm. Të dy bashkëbiseduesit shprehën kënaqësi për takimin e realizuar. 

Click