Aktivitetet

E premte, 19 korrik 2019 

TAKIM I KRYETARIT XHAFERI ME POL FUFER, PËRFAQËSUES I LARTË I ZYRËS PËR EVROPËN JUGORE DHE QENDRORE NË STEJT DEPARTMENT

Në kuadër të Forumit për partneritet demokratik të Dhomës Përfaqësuese të SHBA-ve, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut Talat Xhaferi, bashkë me nënkryetaren e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Frosina Tashevska Remenski dhe koordinatorin e Grupit parlamentar të VMRO DPMNE-së, Nikola Micevski, realizuan takim edhe me Pol Fufer, përfaqësues i lartë i Zyrës për Evropën Jugore dhe Qendrore në Stejt Department. 

Në takim, Kryetari Xhaferi konstatoi se Republika e Maqedonisë së Veriut dhe SHBA-të janë vende që kultivojnë marrëdhënie miqësore të shkëlqyera dhe të forta të bazuara në  partneritetin strategjik, ndërsa konfirmim për këtë është dialogu aktiv politik dhe vizitat zyrtare në të gjitha nivelet. Gjithashtu, ai shprehu kënaqësi për bashkëpunimin intensiv parlamentar, i cili zhvillohet me sukses dhe në vazhdimësi, me këmbim të konsiderueshëm të delegacioneve parlamentare në të dy vendet. 

Kryetari Xhaferi i konfirmoi përpjekjet që i bën Republika e Maqedonisë së Veriut në rrugën e vet euroatlantike, duke punuar me përkushtim në implementimin e reformave në pjesën e sundimit të të drejtës, luftës kundër korrupsionit, reformave në shërbimet e sigurisë, administratës publike dhe ndërtimin e një shoqërie për të gjithë. Do të vazhdojmë me aktivitetet me të cilat do e arsyetojmë mbështetjen e miqve tanë ndërkombëtarë, që ta fitojmë edhe datën shumë të pritur për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE në tetor këtë vit, theksoi Xhaferi. 

Në drejtim të integrimit të vendit në NATO, Kryetari Xhaferi nënvizoi se shpejtësia e ratifikimit të Protokollit aderues për anëtarësim të vendit në Aleancë në parlamentet nacionale të vendeve anëtare, më saktë procesi i përfunduar i ratifikimit në parlamentet e 21 vendeve anëtare dhe fakti se ratifikimi është në procedurë parlamentare edhe në 4 vende anëtare, për ne paraqet mbështetje të madhe dhe tregues për korrektësinë e hapave të ndërmarra nga ana e Qeverisë dhe shumicës aktuale parlamentare në Republikën e Maqedonisë së Veriut në vitet e kaluara. 

Z. Fufer i përshëndeti hapat vendimtarë që i bëri Republika e Maqedonisë së Veriut me nënshkrimin e Marrëveshjes së Prespës, si edhe me nënshkrimin e Marrëveshjes me Bullgarinë, si indikator i guximit dhe mençurisë së madhe. Për këtë arsye, vendi meriton të shpërblehet për përpjekjet e veta dhe ti fillojë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, për çka sugjeroi se edhe pse SHBA nuk janë pjesë e Unionit, e jep mbështetjen e vet të plotë për anëtarësimin sa më të shpejtë të Republikës së Maqedonisë së Veriut në BE. Në kontekst të NATO-s, z. Fufer po ashtu përfundoi se dinamika e procesit të ratifikimit shënon intensitet me të vërtetë mbresëlënës, duke sugjeruar se procedura në SHBA do të përfundohet së shpejti, me shpresë se deri në Samitin e NATO-s në fund të këtij viti, Republika e Maqedonisë së Veriut do të bëhet anëtare e 30-të e Aleancës. 

Gjatë vizitës delegacioni po ashtu realizoi takim edhe me përfaqësuesin e lartë të Komisionit për Punë të Jashtme të SHBA-së, z. Damjan Marfi. 

Click