Aktivitetet

E hënë, 8 qershor 2019

U MIRATUA “DEKLARATA E LUKSEMBURGUT” PËR FUNDIN E SESIONIT VJETOR TË AP OSBE 

Me miratimin e “Deklaratës së Luksemburgut" sot në Luksemburg përfundoi Sesioni vjetor i Asamblesë parlamentare të OSBE-së, ku mori pjesë Delegacioni i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, në përbërje: Vlladimir Gjorçev, shef i Delegacionit; Jagoda Shahpaska dhe Rexhail Ismaili, anëtarë të Delegacionit. 

Në deklaratën është përfshirë spektër i gjerë i rekomandimeve për çështje nga fusha e politikës, ekonomisë, mjedisit jetësor dhe të drejtave të njeriut, që janë dërguar në OSBE dhe qeveritë e vendeve pjesëmarrëse. 

Shefi i Delegacionit, Vlladimir Gjorçev, mori pjesë në debatin për Propozim-rezolutën “Sfidat lidhur me kthimin dhe rilokimin e luftëtarëve të huaj terrorist”.  Ai shprehu shqetësim në lidhje me sulmet terroriste dhe ekstremizmin e dhunshëm në rajonin e OSBE-së dhe vlerësoi se arsimi është faktor kryesor në procesin e deradikalizimit. Duke theksuar se shtetet kanë përgjegjësi primare në parandalimin dhe luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit që shpie në terrorizëm, ai u zotua për thellim të bashkëpunimit ndërkombëtar në këtë plan, me pjesëmarrje aktive të të gjitha vendeve pjesëmarrëse në OSBE dhe organizatave ndërkombëtare dhe rajonale relevante.  Deputetët e AP të OSBE-së, sipas Gjorçev, duhet të vazhdojnë me aktivitetet e tyre ndërkombëtare me qëllim harmonizimin e legjislacionit dhe politikave, si dhe ndarjen e praktikave më të mira për ballafaqim me sfidat që dalin nga kthimi dhe rilokimi i luftëtarëve të huaj terroristë. 
Gjorçev theksoi se fenomeni i luftëtarëve të huaj terroristë nuk e anashkaloi vendin tonë dhe informoi për ndryshimet e fundit ligjor që i miratoi Kuvendi në lidhje me këtë çështje. 

Në kuadër të Sesionit vjetor u mbajt debat i përgjithshëm në temën: “Nxitja e zhvillimit të qëndrueshëm për promovim të sigurisë: roli i parlamenteve”. Në debatin morën pjesë më shumë se 70 deputetë, në mesin e të cilëve edhe deputetja Shahpaska. Në fjalimin e saj, ajo theksoi se Republika e Maqedonisë së Veriut në vitin 2010 miratoi Strategji nacionalе për zhvillim të qëndrueshëm, ndërsa u formua edhe“Këshilli Nacional për Zhvillim të Qëndrueshëm”,si trup këshillimor, në të cilin, mes tjerash, marrin pjesë edhe dy deputetë të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut.  Ajo theksoi se parlamentarët duhet të bëjnë gjithçka që është në fuqinë e tyre që të nxitet zhvillim i qëndrueshëm, përmes kornizës juridike këshillimore dhe mbikëqyrjes së aktiviteteve qeveritare, politikave nacionale dhe globale, me qëllim promovimin e sigurisë. 

Jagoda Shahpaska u fokusua në gjendjen në vend dhe në të dyja marrëveshjet kryesore të cilat Republika e Maqedonisë së Veriut i nënshkroi me Bulgarinë dhe Greqinë, për të cilat vlerësoi se paraqesin kthesë historike në marrëdhëniet bilaterale në Rajon. Në lidhje me integrimet euroatlantike, ajo informoi për dinamikën e ratifikimit të Protokollit për aderim të Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO nga ana e parlamenteve nacionale dhe për pritjet që deri në fund të vitit vendi të bëhet anëtare e 30-të e NATO-s. 

Shahpaska u përqendrua në Raportin e Komisionit Evropian në të cilin është dhënë rekomandim të pakushtëzuar për fillimin e negociatave me BE-në, ku u mor mirënjohje për arritjet dhe vërtetim i qartë për reformat e realizuara. Prandaj qytetarët presin që Republika e Maqedonisë së Veriut sa më shpejtë të marrë datë për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian. Hapja e negociatave për aderim në BE, sipas Shahpaskës, do të paraqesë garanci për ruajtje të stabilitetit vendor dhe për vazhdimin e impulsit reformues në Maqedoninë e Veriut, gjë që do të ketë efekte pozitive për gjithë rajonin. 

Në Sesionin, kryetar i AP të OSBE-së për së dyti herë u zgjodh George Cereteli, deputet nga Geruzia. U zgjodhën edhe tre nënkryetarë të Asamblesë parlamentare, si dhe kryetarë, nënkryetarë dhe referues të të tre komisioneve të përgjithshme. Roberto Montella u rizgjodh sekretar i përgjithshëm i Kuvendit, me mandat prej pesë vitesh. 

Asamblenë parlamentare të OSBE-së e përbëjnë 323 parlamentarë nga 57 vende nga Evropa, Azia Qendrore dhe Amerika Veriore. Kuvendi siguron forum për diplomaci parlamentare, mbikëqyrje të zgjedhjeve dhe përforcim të bashkëpunimit ndërkombëtar për përmbushjen e angazhimeve të OSBE-së në lidhje me çështjet politike, të sigurisë, ekonomike, çështjet për të drejtat e njeriut dhe të mjedisit jetësor. 

Click