Aktivitetet

E martë, 7 nëntor 2017 

VENDOSJA E RRJETIT RAJONAL TË KOMISIONEVE PËR ÇËSHTJE EVROPIANE 

Sot dhe nesër mbahet punëtori të cilën e organizon Organizata për bashkëpunim ndërkombëtar (GIZ) nga Gjermania, nikoqir i së cilës është Kuvendi i Republikës së Maqedonisë. Në seminarin marrin pjesë përfaqësuesit e Komisioneve për Çështje Evropiane nga Kroacia, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia, Bosnja, Kosova dhe Shqipëria. 

Qëllimi i punëtorisë është që të vendoset një rrjet rajonal i Komisioneve për Çështje Evropiane, që të vazhdojë bashkëpunimi i mëtutjeshëm në mënyrë më të suksesshme dhe më të plotë. 

Në punëtorinë ishin të pranishëm Kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane z. Artan Grubi dhe sekretarja e përgjithshëm e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, znj. Cvetanka Ivanova. 

Kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane, z. Artan Grubi në fjalimin e tij, mes tjerash, theksoi se punëtoritë e tilla janë veçanërisht të rëndësishme duke e pasur parasysh mundësinë që pjesëmarrësit si nëpunës të takohen dhe të diskutojnë nga afër për të gjithë sfidat të cilat i ndajnë, si pjesë e mbështetjes administrative të Komisioneve për Çështje Evropiane. Sipas tij, integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian nuk është një proces i lehtë, ngërthen shumë sfida dhe pengesa të cilat kërkojnë shumë energji për t'i tejkaluar. Nevojitet vullnet politik, por edhe gatishmëri administrative dhe profesionale që të fitohet cilësi për këtë proces. 

"Për një sferë të tillë të gjerë siç është Bashkimi Evropian, doemos duhet të ekzistojnë shërbime në Parlamentin të cilat do të mund ta ndjekin dinamikën e procesit, por t'i ndjekin edhe kërkesat e deputetëve. Nevojiten përgatitje të analizave, anketave dhe dokumenteve të ndryshme, përgatitje të mbledhjeve dhe projekteve tjera. Prandaj ju si nëpunës jeni vegël e rëndësishme e cila doemos duhet të funksionojë bashkë në një bashkëpunim të afërt me deputetët. Ndihma nga organizatat ndërkombëtare dhe organizatat tjera joqeveritare është e mirëseardhur dhe në masë të madhe do ta përforcojnë kapacitetin edhe të shërbimeve, por edhe të deputetëve", theksoi z. Artan Grubi, gjatë hapjes së punëtorisë. 

Sekretarja e përgjithshme, znj. Cvetanka Ivanova, në fjalimin e saj e përshëndeti Projektin e GIZ për përforcimin e kapacitetit administrativ të administratës shtetërore, në kuadër të të cilit është paraparë edhe kjo "Punëtori rajonale për sekretarët e komisioneve për çështje evropiane dhe për nëpunësit e këshillave nacionale për eurointegrim të parlamenteve të vendeve të Ballkanit Perëndimor. 

Sipas saj lloji i tillë i punëtorive është mënyrë e shkëlqyeshme që në një vend të këmbehen përvoja dhe praktika për proceset eurointegruese, por edhe mundësi për t'u dëgjuar ekspertë nga vendet të cilat tashmë janë anëtarë të BE-së, siç është rasti me Kroacinë e cila gjithashtu është pjesë e Ballkanit Perëndimor. 

"Shpresoj se do të keni punë të suksesshëm dhe se ky seminar do të jetë shkas dhe prelud për vendosjen e rrjetit parlamentar për çështje të BE-së në rajon, përmes projektit shumëvjeçar, në organizim të GIZ", u porositi sekretarja e përgjithshme Ivanova pjesëmarrësve në punëtorinë. 

Click