Aktivitetet

E enjte, 14 qershor 2018 

VIZITË MBIKËQYRËSE E KOMISIONIT PËR MBIKËQYRJE TË PUNËS SË DREJTORISË PËR SIGURI DHE KUNDËRZBULIM DHE AGJENCISË PËR ZBULIM 

Në kuadër të kompetencave të tyre, kryetari dhe anëtarët e Komisionit për Mbikëqyrje të Punës së Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim dhe Agjencisë për Zbulim, nga 12 deri 14 qershor 2018 realizuan vizitë mbikëqyrëse në selinë e Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim në Ministrinë e Punëve të Brendshme. 

Pas formatit të dakorduar bashkërisht për mënyrën në të cilën do të zhvillohet vizita mbikëqyrëse, u prezantua struktura e Drejtorisë në sistemin e sigurisë të Republikës së Maqedonisë, struktura organizative, kompetenca dhe prioritetet e sigurisë të Drejtorisë dhe u dha një pasqyrë e detajuar e shpenzimeve financiare të cilat në periudhën nga janari i vitit 2018 deri tani Drejtoria i ka realizuar në kuadër të buxhetit të përcaktuar vjetor për vitin 2018.  I përbashkët ishte konstatimi se nevojitet rritje e buxhetit të Drejtorisë, me ç'rast nga ana e kryetarit të Komisionit u potencua se në atë drejtim do të jepet mbështetje e plotë. 

Vizita mbikëqyrëse u karakterizua me diskutime interaktive që dolën nga çështje të formuluara nga ana e kryetarit dhe anëtarëve të Komisionit nga sfera e proceseve reformuese, bashkëpunimit të Drejtorisë me organe dhe institucione tjera të sigurisë nivel kombëtar dhe ndërkombëtar dhe rreziqet aktuale dhe kërcënimet për sigurinë e shtetit. 

Gjatë ditës së dytë të vizitës mbikëqyrëse, të pranishmit u njoftuan me strukturat udhëheqëse të DSK-së deri në nivelin e ndihmësdrejtorëve, u prezantuan kompetencat dhe ekipimi kadrovik i çdo njësie organizative, si dhe metodat dhe format e punës operative të Drejtorisë në pajtim me sfidat aktuale të sigurisë. 

Dita e tretë e vizitës mbikëqyrëse e përfshiu segmentin e kompetencës së Seksionit për teknikë operative, kapacitete teknike aktuale për ndjekje të komunikimeve, procedurat e brendshme për veprim sipas urdhrit gjyqësor për zbatimin e masës së veçantë hetuese të komunikimeve për nevojat e hetimeve penale dhe për nevojat për sigurinë dhe mbrojtjen, si dhe masat dhe aktivitetet të cilat Drejtoria i ndërmerr në drejtim të përforcimit të kontrollit të brendshëm mbi sistemin për ndjekje të komunikimeve. 

Kryetari dhe anëtarët e Komisionit realizuan vizitë edhe në hapësirat e Seksionit për teknikë operative.  I përbashkët ishte konstatimi se deri në hyrjen në fuqi të ligjit të ri për ndjekje të komunikimeve, nevojitet rregullim juridik i pjesës e cila ka të bëje me mbikëqyrjen në urdhrat për zbatim të masave të veçanta hetuese, me qëllim Komisioni të mund të realizojë mbikëqyrje efikase. 

Kryetari dhe anëtarët e Komisionit, si dhe përfaqësuesit e Drejtorisë, e përshëndetën vizitën e tillë mbikëqyrëse dhe u pajtuan se është me rëndësi të përbashkët që këto vizita në të ardhmen të jenë me dinamikë më të madhe me qëllim rritjen e mirëbesimit, me çka Komisioni si korrigjues në pjesën e zbatimit ligjor dhe zbatimit të autorizimeve dhe detyrave të Drejtorisë do të mund ta realizojë në mënyrë efikase funksionin e vet. 

Click