Udhëheqja parlamentare

E diell, 6 gusht 2017 

Deklarata e Kryetarit Xhaferi me rastin e shpalljes së Zgjedhjeve lokale

Qytetarë të nderuar të Republikës së Maqedonisë,
Të nderuar gazetarë,
Publik i nderuar 

Sot e nënshkrova Aktvendimin për shpalljen e Zgjedhjeve lokale për anëtarë të këshillave të komunave dhe këshillit të Qytetit të Shkupit dhe për kryetarë të komunave dhe për kryetar komune të Qytetit të Shkupit. Këtë e bëra në përputhje me obligimin ligjor që e kam  si Kryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë dhe në përputhje me afatet e përcaktuara në Kodin zgjedhor. Sipas dispozitave ligjore, zgjedhjet lokale do të mbahen më 15 tetor (e diel), viti 2017. 

Aktvendimi për shpalljen e zgjedhjeve do të dërgohet te organi për zbatimin e zgjedhjeve, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve i Republikës së Maqedonisë. Apeloj te të gjithë pjesëmarrësit në procesin zgjedhor, në periudhën para ditës së zgjedhjeve dhe në vetë ditën e zgjedhjeve, të sillen në përputhje me Kushtetutën dhe dispozitat ligjore, ndërsa institucionet kompetente të sigurojnë që i gjithë procesi zgjedhor dhe vetë dita e zgjedhjeve të rrjedhë në atmosferë të qetë, korrekte dhe demokratike, ashtu siç meritojnë qytetarët e nderuar të Republikës së Maqedonisë. 

Për shkak se fushata zgjedhore fillon njëzet ditë para ditës së mbajtjes së zgjedhjeve, dëshiroj t’ju informoj se Kuvendi i Republikës së Maqedonisë në atë periudhë do të punojë por nuk do të mbajë seanca plenare. Kjo është kështu me qëllim që deputetët të kenë mundësi ti përkushtohen tërësisht fushatës zgjedhore ndërsa në të njëjtën kohë mos krijohet hapësirë që seancat plenare të shndërrohen në fushatë parazgjedhore.

Ju faleminderit. 




Click