PROCEDURA LIGJVËNËSE

Kuvendi i Republikës së Maqedonisë është bartës i pushtetit ligjvënës në Republikë. Kuvendi ligjet i miraton në seanca, ndërkaq shumica e nevojshme për miratimin e ligjeve është përcaktuar me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë.

Të drejtë që të propozojë miratimin e një ligji ka çdo deputet, Qeveria e Republikës së Maqedonisë dhe së paku 10 000 zgjedhës (propozues të autorizuar).

Iniciativë për miratimin e ligjit, propozuesit të autorizuar mund t’i propozojë çdo qytetar, grup qytetarësh, institucione dhe shoqata. 

Procedura e miratimit të ligjeve është e rregulluar me Rregulloren e punës të Kuvendit. Në përputhje me Rregulloren  propozuesit e autorizuar propozim-ligjin ia dërgojnë Kryetarit të Kuvendit i cili menjëherë ose më së voni brenda tre ditëve  të punës nga paraqitja ua shpërndan deputetëve në formë të shkruar ose elektronike, me çka fillon procedura ligjvënëse.

Në përputhje me Rregulloren, procedura ligjvënëse zhvillohet me tre lexime.

Leximi i parë fillon me shqyrtim të propozim-ligjt në trupat punues, me ç'rast Kuvendi, trupi punues amë dhe Komisioni Juridik-Ligjvënës në lexim të parë mbajnë diskutim të përgjithshëm për propozim-ligjin. Para se të shqyrtohet propozimi në seancë të Kuvendit, propozimin e shqyrtojnë trupi punues amë dhe Komisioni Juridiko-Ligjvënës. Komisionet vlerësojnë për atë nëse Propozimi është i pranueshëm dhe se a duhet të kalojë në lexim të mëtutjeshëm. Në leximin e parë, pas diskutimit të zhvilluar të përgjithshëm Kuvendi vendos për atë se a është i pranueshëm Propozim-ligj dhe a mund të kalojë në lexim të mëtutjeshëm.

Nëse Kuvendi vendos se propozim-ligji është i pranueshëm dhe mund të jepet në lexim të mëtutjeshëm vazhdon procedura legjislative, në Lexim të dytë të propozimit. 

Leximi i dytë fillon në trupin punues amë dhe në Komisionin Juridiko-Ligjvënës brenda afatit prej shtatë ditëve të punës pas seancës së mbajtur të Kuvendit për Leximin e parë për atë propozim. Në Leximin e dytë Propozimit i parashtrohen amendamente. Amendament mund të paraqesë çdo deputet, grup deputetësh dhe trupi punues. Amendamentet i paraqiten Kryetarit të Kuvendit, më së voni dy ditë para mbajtjes së mbledhjes të trupit punues amë ose Komisionit Juridiko-Ligjvënës. Trupi punues amë dhe Komisioni Juridiko-Ligjvënës për çdo amendament zhvillojnë diskutim dhe votojnë ndaras. Trupi punues amë dhe Komisioni Juridiko-Ligjvënës pas përfundimit të diskutimit në afat prej pesë ditësh hartojnë propozim-ligj të plotësuar në të cilin i inkorporojnë amendamentet e miratuara dhe të njëjtin ia dërgojnë Kryetarit të Kuvendit.

Në Leximin e dytë në seancën e Kuvendit shqyrtohen vetëm ato nene që kanë pësuar ndryshime përmes amendamenteve dhe vetëm për ato nene mund të paraqiten amendamente.  Amendament mund të paraqesë grupi i deputetëve, çdo deputet dhe propozuesi, më së voni në afat prej tre ditësh para ditës së caktuar për mbajtjen e seancës së Kuvendit.  Nëse në leximin e dytë të seancës së Kuvendit  janë miratuar amendamente në më pak se një të tretën e neneve të propozim-ligjit të ndryshuar, Kuvendi mund të vendosë që leximi i tretë i propozim-ligjit të mbahet në seancën e njëjtë. Nëse Kuvendi në leximin e dytë nuk miraton asnjë amendament ndaj propozim-ligjit të plotësuar atëherë kalohet në votim në po atë seancë. Nëse janë miratuar amendamente në më shumë se një të tretën e neneve të propozim-ligjit të plotësuar, pas leximit të përfunduar të dytë teksti i propozim-ligjit hartohet dhe përgatitet teknikisht e juridikisht për leximin e tretë.

Leximi i tretë sipas rregullës mbahet në seancën e parë të radhës, pas leximit të dytë. Amendamente mund të paraqiten vetëm për  nenet për të cilët janë miratuar amendamente gjatë Leximit të dytë në seancë të Kuvendit, ndërkaq amendament mund të paraqesë propozuesi dhe deputeti më së voni në afat prej dy ditëve të punës para ditës së caktuar për mbajtjen e seancës së Kuvendit. Në këtë fazë trupat punues nuk mbajnë mbledhje. Kuvendi diskuton dhe vendos vetëm për ato nene për të cilët janë paraqitur amendamente ndaj propozim-ligjit të plotësuar për leximin e tretë dhe vendos për propozim-ligjin në tërësi.

Me përjashtim ligji mund të miratohet edhe me procedurë urgjente.

Me procedurë urgjente mund të miratohet ligji kur kjo është e domosdoshme për parandalimin dhe mënjanimin e çrregullimeve më të mëdha në ekonomi, ose kur këtë e kërkojnë interesat e sigurisë dhe mbrojtjes së Republikës të Maqedonisë apo në raste të fatkeqësive më të mëdha natyrore, epidemive si dhe nevojave tjera të jashtëzakonshme dhe të paprolongueshme.Nëse Kuvendi vendos të diskutojë për propozimin, që ligji të miratohet me procedurë urgjente, e obligon trupin punues amë dhe Komisionin Juridiko-Ligjvënës ta shqyrtojnë propozim-ligjin. Për justifikimin e propozimit, që ligji të miratohet me procedurë urgjente, vend Kuvendi pa diskutim. Leximi i dytë dhe i tretë mbahen seancën e njëjtë. Në atë rast fillon procedura e përcaktuar për leximin e dytë, ndërsa amendamentet mund të parashtrohen deri në përfundimin e diskutimit. 

Ligji mund të miratohet edhe me procedurë të shkurtuar.

Propozuesi i propozim-ligjit mund t’i propozojë Kuvendit, që të diskutojë për propozim-ligjin me procedurë të shkurtuar në rastin kur: nuk është në pyetje ligj kompleks dhe vëllimor, shfuqizohet ndonjë ligj ose dispozita të veçanta të ndonjë ligji ose nuk janë në pyetje harmonizime komplekse dhe vëllimore të ligjit me legjislacionin e Bashkimit Evropian.

Kur propozim-ligji shqyrtohet me procedurë të shkurtuar Kuvendi mban diskutim të përgjithshëm.  Leximi i dytë dhe i tretë mbahen në mbledhjen e njëjtë, me ç'rast menjëherë fillon procedura e përcaktuar për lexim të dytë, ndërsa amendamentet mund të parashtrohen deri në fillim të mbledhjes për lexim të dytë.  

Ligjet shpallen me dekret, të cilat i nënshkruan Presidenti i Republikës dhe Kryetari i Kuvendit. Kryetari i Kuvendit, menjëherë pas miratimit, ligjin ia dërgon Presidentit të Republikës për nënshkrim të dekretet për shpalljen e ligjit. 

Presidenti i Republikës mund të vendosë që ta mos e nënshkruajë dekretin për shpallje të ligjit.  Në atë rast, Kuvendi përsëri e shqyrton ligjin në fazë të leximit të tretë, në afat prej 30 ditësh nga dita e miratimit të ligjit dhe nëse e miraton me shumicë votash nga numri i përgjithshëm i deputetëve, Presidenti i Republikës është i detyruar që ta nënshkruajë dekretin.  Presidenti është i detyruar ta nënshkruajë dekretin edhe për shpalljen e ligjeve që janë miratuar me dy të tretën e shumicës.  

Para se të hyjnë në fuqi ligjet botohen në "Gazetën zyrtare të Republikës së Maqedonisë". Ligjet botohen më së voni në afat prej shtatë ditësh nga dita e miratimit të tyre. 

Click