Udhëheqja parlamentare

E enjte, 23 nëntor 2017, Poreç, Kroaci

Fjalimi i kryetarit Xhaferi me rastin e përurimit të shtatores së Nënë Terezës

Zonja dhe zotëri, 
Eminencë, Kardinali Ernest Simoni Troshani (Ernest Simoni Troshani),
Të nderuar të pranishëm, 

Me të vërtetë më paraqet kënaqësi të madhe që sot jam i pranishëm në zbulimin solemn të përmendores së shenjtores Nënë Terezë, këtu në Poreç.

 

Për ne shqiptarët, pa dallim se ku jetojmë dhe cilës fe i takojmë, a besoj se edhe për çdo njeri human, shenjtorja e bekuar Nënë Tereza është simbol i humanizmit pakufi, i dashurisë dhe kujdesit pikërisht ndaj atyre njerëzve ndaj të cilëve jeta ka qenë e pamëshirshme.

Nënë Tereza ka lindur në Shkup, më 26 gusht të vitit 1910, si Gonxha Agnes Bojaxhiu, në familje të njohur shqiptare. Në moshën e saj 18 vjeçare, largohet nëpërmjet Zagrebit për në Dablin, ku u bashkëngjitet motrave nga Loreto-ja, ndërsa në vitin 1928, shkon në mision misionareje në Kalkutë, ku vepron deri në fund të jetës së vet. Në vitin 1950, në Kalkutë, e themelon rendin e misionareve "Misionare të dashurisë," kurse motrat e atij rendi janë edhe sot të pranishme anembanë botës, a edhe në Maqedoni. Humanizmi i saj, kujdesi i saj për ato që përveç jetës lakuriqe, nuk kanë asgjë tjetër, përhapet shpejt, jo vetëm në Kalkutë, Indi, por nëpër tërë botën. Pikërisht për këtë, në vitin 1979 e pranon Çmimin Nobel për paqe ndërsa në vitin 1980 shpallet qytetare nderi e Shkupit.  

Veçanërisht dua të theksoj se fytyra dhe vepra e Nënë Terezës edhe sot ndihet dhe nderohet fuqishëm, jo vetëm te Shqiptarët por edhe te të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë. Nëse më lejoni, në fund kisha përmendur një deklaratë të saj. Kur e kanë pyetur se çka duhet të bëhet që të ruhet paqja në botë, Nënë Tereza është përgjigjur, "Shkoni në shtëpi dhe doni familjen tuaj". Le të jetë ky mendim i Nënë Terezës udhërrëfyes edhe sot, për shkak se është po ashtu aktuale si në vitin e largët 1979.

Ju faleminderit për vëmendjen!

Click