Udhëheqja parlamentare



E enjte, 15 tetor 2009

DEKLARATA E KRYETARIT VELJANOSKI PAS MARRJES SË RAPORTIT TË KOMISIONIT EVROPIAN PËR PËRPARIMIN E REPUBLIKËS SË MAQEDONISË NGA EUROAMBASADORI FUERE

Të nderuar,
Sot, Ambasadori i BE-së, shkëlqesia e tij Ervan Fuere edhe formalisht ma dorëzoi raportin e Komisionit Evropian për përparimin e Republikës së Maqedonisë. Përmbajtja e raportit tashmë është e njohur.
Ajo që është më e rëndësishmja për të gjithë ne, është fakti se në raport Komisioni Evropian në mënyrë shumë decide e konfirmon përparimin e Republikës së Maqedonisë dhe rekomandon për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian.

Të nderuar bashkëqytetarë,
Për këtë sukses të Republikës së Maqedonisë, sinqerisht mendoj se më të merituarit jeni Ju qytetarët e Republikës së Maqedonisë, të cilët gjatë gjithë këtyre viteve me një shumicë të madhe prej mbi 90 përqind i jepni mbështetje proceseve eurointegruese. Kjo mbështetje e juaj na e lehtëson punën ne politikanëve, por në të njëjtën kohë e shton edhe përgjegjësinë tonë. Gjithashtu, kjo mbështetje tregon se të gjitha reformat të cilat i kryejmë, publiku, përkatësisht ju qytetarët nuk i kuptoni si diçka të imponuar nga jashtë, por si reforma të cilat sigurojnë një të ardhme më të mirë për të gjithë ne.

Duke e pasur parasysh rolin e parlamentit, dua të theksoj se të gjithë deputetët, të gjitha grupet e deputetëve, pa dallim se a janë prej opozitës apo pushtetit, pa dallim të përkatësisë etnike, me shumë përgjegjësi dhe konstruktivitet punuan për realizimin dhe implementimin e përcaktimeve që duhej t’i realizonim. Prandaj e shfrytëzoj këtë rast që të shpreh falënderim për të gjithë kolegët deputetë dhe kontributin e tyre në procesin e integrimit të Republikës së Maqedonisë në Bashkimin Evropian.

Gjithsesi duhet ta theksoj edhe rolin e miqve tanë nga bashkësia ndërkombëtare, sidomos të ambasadave dhe ambasadorëve te ne, të cilët nëpërmjet formave të ndryshme na ndihmojnë që këtë rrugë evropiane ta hapërojmë më shpejt dhe më me sukses.
Të nderuar gazetarë dhe përfaqësues të medieve,

Dua të shpreh edhe falënderim të veçantë për ju, sepse ju dhe mediumet tuaja jeni ajo hallkë në zinxhirin pa të cilën as që mund të parafytyrohen e jo më të zhvillohen proceset demokratike.

Proceset integruese në Evropë nga distanca e sotme historike, e vërtetuan domosdoshmërinë e këtij procesi, të cilin sot askush nuk mund ta ndalojë. Prandaj jam i bindur që Republika e Maqedonisë, Kuvendi, Qeveria dhe të gjitha institucionet tjera, por edhe të gjithë qytetarët, pas raportit të Komisionit Evropian, shumë më intensivisht dhe më me përgjegjësi, do të punojnë për integrimin tonë në Bashkimin Evropian.
Ju faleminderit.

Click