E premte, 18 shtator 2009
REFERIMI I KRYETARIT TË KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË MAQEDONISË NË KONFERENCË NË HUNGARI
Zonja dhe zotërinj,
Të nderuar kolegë,
Në fillim do të doja ta shpreh falënderimin për nikoqirin tonë z. Bela Katona, kryetar i Parlamentit Hungarez.
Me këtë, Hungaria si anëtare me të drejtë të plotë e Unionit Evropian, por edhe si fqinj i parë i rajonit të Ballkanit Perëndimor, edhe njëherë e vërteton politikën e vet parimore kur bëhet fjalë për zgjerimin e Unionit Evropian me shtetet e rajonit.
Zonja dhe zotërinj,
Republika e Maqedonisë para dhjetë ditësh e shënoi 18 vjetorin e mëvetësisë së vet, të shprehem figurativisht, u bëmë shtet i moshës madhore. Më lejoni t’ju përkujtoj disa fakte të cilat janë të lidhura ngusht me mëvetësinë e Republikës së Maqedonisë. Menjëherë pas mëvetësimit, Republika e Maqedonisë si shtet i pavarur dhe sovran, si qëllim të vet strtegjik e përcaktoi integrimin në Unionin Evropian dhe në NATO. Pas mëvetësimit të Maqedonisë, përkatësisht desolucionit të RSFJ-së mëparshme më 15 shkurt 1992, Unioni Evropian formoi komision të veçantë të udhëhequr nga kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Francës, z. Robert Badinter. Komisioni atëherë miratoi konkluzion se Republika e Maqedonisë i plotëson të gjitha kushtet për pranimin e saj ndërkombëtar dhe se emri nuk paraqet kërcënim territorial ose çfarëdo lloj kërcënimi tjetër për cilindo shtet. Për shkak të kundërshtimit të Greqisë si anëtare e UE-së dhe imponimit të kontestit për emrin tonë kushtetues, që paraqet precedencë në marrëdhëniet ndërkombëtare, vendosja e marrëdhënieve të plota diplomatike me UE-në erdhi në vitin 1995 kur është hapur misioni i UE-së në Maqedoni.
Në vitin 1999, Komisioni Evropian vendos kornizë të re në të cilën u zhvillua bashkëpunimi i UE-së me vendet e të ashtuquajturit Ballkan Perëndimor , përkatësisht Republikën e Maqedonisë, Shqipërisë, Kroacisë, Serbisë, Malit të Zi dhe Bosnje e Hercegovinës.
Korniza me të cilën është vendosur procesi i stabilizimit dhe asocimit, ndërsa qëllimi përfundimtar është anëtarësimi në Unionionin Evropian. Në vitin 2001, Maqedonia si shtet i parë i rajonit të Ballkanit Perëndimor, e nënshkroi marrëveshjen për asocim dhe stabilizim, në vitin 2004 aplikuam për hyrje në Unionin Evropian, ndërsa në dhjetor të vitit 2005 Këshilli Evropian vendosi që Maqedonia ta marrë statusin e shtetit kandidat. Prej atëherë, në fund të çdo viti Komisioni Evropian paraqet raport për përparimin e vendit.
Këtë retrospektivë të vogël historike e bëra me qëllim që edhe një herë edhe para këtij takimi eminent ta nënvizoj kontinuitetin shumë të qartë, të pëcaktimit të Republikës së Maqedonisë për anëtarësim të plotë në UE dhe NATO.
Përcktimi në politikën tonë të jashtme për të cilën gjatë gjithë këtyre 18 viteve kemi konsenzus të plotë politik, por ajo që është më e rëndësishme është fakti që gjatë gjithë këtyre viteve kemi edhe mbështetje të madhe nga qytetarët e Republikës së Maqedonisë, e cila është mbi 90%. Këtë mbështetje të madhe të qytetarëve, ne që merremi me politikë dhe e udhëheqim shtetin, e kuptojmë para së gjithash si obligim për punë më intensive dhe zbatim të reformave të nevojshme të cilat na çojnë në Unionin Evropian.
Zonja dhe zotërinj,
Që të bëhesh anëtare e Unionit Evropian është e nevojshme që të plotësohen kritere të caktuara të njohura si kritere të Kopenhagës të cilat mund t’i grupojmë në tri grupe.
Politike, të cilat e nënkuptojnë stabilitetin e institucioneve të cilat do ta garantojnë demokracinë, sundimin e së drejtës, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të bashkësive etnike, përkatësisht pakicave kombëtare.
Grupi i dytë, janë kriteret ekonomike të cilat para së gjithash e nënkuptojnë, sundimin e ekonomisë së tregut e cila doemos duhet të ketë mundësi që të ballafaqohet me presionin e tregut dhe rregullat e ekonomisë evropiane dhe grupi i tretë i kritetreve të ashtuquajtura administrative, të cilat urdhërojnë përshtatjen e strukturës administrative nacionale me mekanizmat të cilat funksionojnë në administratën publike të UE-së.
Të gjitha këto kritere në Republikën e Maqedonisë janë pranuar si obligimi ynë, jo pse këtë e kërkon Brukseli, por se në to shohim si kritere dhe standarde të cilat sigurojnë jetë më cilësore për çdo qytetar.
Më besoni që qytetari i Maqedonisë, gjithashtu, dëshiron të jetojë në shtet demokratik në të cilin zotëron e drejta dhe respektohen të drejtat dhe liritë e njeriut, në të cilin respektohen të drejtat e bashkësive etnike, në të cilin funksionon administrata publike profesionale.
Përkatësisht, çdo shtet duhet të jetë i gatshëm që t’i ndërmarrë të gjitha obligimet dhe përgjegjësitë në drejtim të pranimit për plotësimit e qëllimeve të unionit politik, ekonomik dhe monetar.
Kolegë të nderuar,
Në proceset eurointegruese parlamentet nacionale e kanë detyrën kryesore, dhe unë do të thoja, detyrën më me përgjegjësi.
Parlamenti si dhomë ligjvënëse nga njëra anë i miraton ligjet e nevojshme, përkatësisht nëpërmjet Parlamentit kalon tërë procesi i harmonizimit të legjislacionit nacional me atë evropian. Njëkohësisht, parlamenti është ai institucion demokratik në të cilin artikulohen interesat e partive politike , por edhe të subjekteve tjera. Pikërisht në parlament, nëpërmjet dialogut politik ballafaqohen këto interesa të ndryshme, të cilat gjithsesi gjejnë vend në ligjet të cilat i miratojmë. Është fakt se ne kishim probleme të caktuara kur bëhet fjalë për dialogun e ashtuquajtur politik. Kjo u reflektua edhe në dinamikën e miratimit të ligjeve, në përbërjen e kaluar parlamentare. Vitin e kaluar miratuam Rregullore të re, e cila nga ana e Komisionit të Venedikut u vlerësua si shumë i mirë. Në Rregulloren e re është vendosur theks i veçantë në komisionet e kuvendit, ku zhvillohen debatet për propozim-ligjet dhe ku kemi ballafaqim të intresave dhe argumenteve. Gjithashtu sipas Rregullores kemi koordinime të rregullta (çdo të hënë), në të cilat me koordinatorët e grupeve të deputetëve e përcaktojmë rendin e ditës për seancat plenare dhe në përgjithësi për dinamikën e punës së Kuvendit.
Në këto koordinime, rregullisht është i pranishëm edhe përfaqësues i Qeverisë në nivel të zëvendës-kryeministrit, ndërsa më së shpeshti vendimet në koordinime i sjellim me konsenzus. Sipas Rregullores, dita e premte është caktuar si ditë e kontakteve të qytetarëve me deputetët. Për këtë qëllim, pothuajse në të gjitha vendet më të mëdha të banuara kemi hapur zyra të deputetëve, ku qytetarët mund të takohen me deputetët e tyre. Në Parlamentin e Maqedonisë gjithnjë e më tepër i kushtojmë vëmendje edhe kontrollit ndaj pushtetit ekzekutiv, përkatësisht ndaj implementimit të ligjeve.
Edhe këtu, rol të veçantë kanë komisionet e kuvendit. Rol të veçantë në përforcimin e dialogut politik, ka Këshilli nacional për eurointegrime. Ky trup i kuvendit të cilin çdo herë e udhëheq përfaqësues i opozitës, në përbërjen e vet krahas deputetëve ka edhe anëtarë të jashtëm përfaqësues të pushtetit ekzekutiv, pastaj përfaqësues nga vetadministrimi lokal, odat ekonomike, bashkësitë fetare, shoqatat e gazetarëve, sindikati dhe përfaqësues të sektorit joqeveritar. E kemi formuar edhe Këshillin e Buxhetit, i cili ka rol të rëndësishëm në planifikimin e buxhetit të kuvendit, përkatësisht sigurimin e pavarësisë financiare.
Dua të theksoj se pak më parë e miratuam edhe Ligjin për Kuvendin, me të cilin forcohet mëvetësia e dhomës ligjvënëse kundruall pushteti ekzekutiv, por edhe forcohet profesionalizmi dhe kapaciteti administrativ i administratës së Kuvendit. Në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, vëmendje e veçantë i kushtohet edhe transparencës në punë. Të gjitha seancat plenare, si dhe seancat e komisioneve të Kuvendit, transmetohen në Kanalin televiziv të kuvendit. Gjithashtu, seancat e Kuvendit mund të përcillen në internet , ndërsa nëpërmjet ueb-faqes sonë, publikut i ofrohen të gjitha materialet, propozim-ligjet, amendamentet e ligjeve, përkatësisht të gjitha aktivitetet të cilat ndodhin në kuvend si dhe tërë procesi i miratimit të ligjeve. Vetëm të theksoj, se ueb-faqja jonë azhurnohet në katër gjuhë, maqedonisht, shqip, anglisht dhe frëngjisht dhe sipas numrit të vizituesve po bëhet mjet i rëndësishëm komunikimi, nëpërmjet të cilit sigurojmë transparencë në punën e Kuvendit. Në rrjedhë është edhe implementimi i I-parlamentit, përkatësisht tërë procesi ligjvënës zhvillohet në formë elektronike.
Republika e Maqedonisë eshtë shtet unitar por gjithashtu është edhe shoqëri multietnike, multikulturore dhe multikonfesionale. Prandaj, vëmendje të veçantë i kushtojmë mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut , ndërsa në këto suaza mbrojtjes së të drejtave të bashkësive etnike. Duke u nisur nga Marrëveshja korrnizë e Ohrit dhe amendamentet kushtetuese që dolën nga ajo, në Parlamentin e Maqedonisë si trup i përhershëm punues, punon Komiteti për marrëdhënie ndërmjet bashkësive. Në Komitet i cili përbëhet sipas parimit të paritetit, ulen përfaqësues nga të gjitha bashkësitë etnike dhe nëpërmjet tij kalojnë të gjitha ligjet, të cilat në një mënyrë ose tjetër janë të lidhura me të drejtat e bashkësive etnike. Që të miratohen këto ligje, në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë është futur edhe parimi i votimit i ashtuquajtur parimi i Badinterit, përkatësisht votimi i dyfishtë. Kjo do të thotë se për këto ligje duhet të sigurohet edhe shumica e deputetëve të cilët u takojnë bashkësive tjera etnike, përkatësisht që nuk janë pjesëtarë të popullit maqedonas. Deputetët të cilët janë përfaqësues të bashkësive etnike të cilat janë mbi 20% e popullatës, kanë të drejtë që ta shfrytëzojnë gjuhën e tyre amtare në seancat plenare si dhe në seancat e trupave të Kuvendit, ndërsa të gjitha materialet të cilat hyjnë në procedurën e Kuvendit, përkthehen në gjuhën të cilën e flasin këta deputetë.
Zonja dhe zotërinj,
Bashkëpunimi rajonal si parim evropian është, gjithashtu dimension i rëndësishëm në procesin e integrimit në UE. Republika e Maqedonisë i kushton vëmendje të veçantë kësaj dhe me kënaqësi mund të theksoj se sot me të gjitha shtetet në rajon, kemi marrëdhënie shumë të zhvilluara në të gjitha fushat nga ato ekonomoke, politike dhe kulturore e deri te marrëdhëniet e përditshme njerëzore. Edhe diçka, në këtë bashkëpunim rajonal parlamentet nacionale ose diplomacia parlamentare, kishte dhe ende ka rol të rëndësishm, nëpërmjet bashkëpunimit parlamentar intensiv në të gjitha nivelet.
Kufijtë të cilët kufizojnë janë restriktiv, i ngushtojnë mendjet tona dhe i kufizojnë aksionet tona. Në vend të kufizimeve dhe kufijve, a do të mundemi ne evropianët që të mendonjmë në drejtim të kufijve të ardhshëm, ky është citat nga libri i eurokomisarit Oli Ren “ Kufijtë e ardhshëm të Evropës”. Unionit Evropian gjithsesi i nevojiten dy procese paralele, thellimi i cili për momentin ka ngecur për shkak të shkaqeve të njohura rreth ratifikimit të marrëveshjes së Lisbonës. Procesi i dytë është zgjerimi dhe pikërisht për këtë u shërbeva me mendimin e eurokomisarit Ren, i ngarkuar për zgjerimin e Unionit Evropian.
Miq të nderuar,
Republika e Maqedonisë nga mëvetësimi i saj e deri sot jo vetëm deklarativisht, por edhe me punë thelbësore për plotësimin e të gjitha kritereve dhe standardeve mbi të cilat sot themelohet Unioni Evropian përkatësisht çdo anëtare e saj. Besoj se në këtë drejtim shkojnë edhe shtetet tjera të rajonit. Atë që e presim nga Brukseli, është që përparimin tonë ta vlerësojë para së gjithash në mënyrë individuale për çdo shtet, dhe pikërisht mbi ato kritere dhe parime që janë miratuar në Kopenhagë.
Para ca kohësh edhe kryetari i Komisionit Evropian z. Baroso duke e paraqitur programin e vet, theksoi qartë se problemet bilaterale janë bilaterale dhe ato nuk mund të jenë probleme të institucioneve evropiane. Por kur çështjet e hapura bilaterale madje edhe ato absurdet siç është çështja me emrin kushtetues të Republikës së Maqedonisë, janë shkak përse për shembull nuk u bëmë anëtare e NATO-s, edhe pse i plotësuam të gjitha kushtet, atëherë këto çështje bilaterale marrin dimension tjetër do të thoja multilateral, përkatësisht dimension evropian. Me atë që e bëri Maqedonia deri tani, i plotëson kriteret për marrjen e datës për bisedime me UE-në. Gjithsesi, këtë e tha publikisht para dy javësh edhe komisari Oli Ren. Prandaj, me të drejtë presim që Komisioni Evropian në raportin e saj të rekomandojë për marrjen e dates, dhe për këtë me të drejtë presim që në Këshillin e ministrave ky rekomandim të pranohet. Ne besojmë në standardet demokratike të institucioneve evropiane, ne besojmë se parimi i solidaritetit në të cilin është ndërtuar Evropa, për të cilin u angazhuan etërit e UE-së, Shuman, Mone, Gaspari e të tjerë, edhe sot është po aq i nevojshëm si edhe para 60 vitesh. Sot Ballkani nuk është më fuçi baruti. Prandaj integrimi i tij vetëm do ta pasurojë dhe do ta forcojë Evropën e bashkuar.
Ju faleminderit për vëmendjen.