E martë, 15 shtator 2009
SHËNIMI I DITËS NDËRKOMBËTARE TË DEMOKRACISË
Në suaza të shënimit të Ditës ndërkombëtare të demokracisë më 15 shtator, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, z. Trajko Veljanoski, në kabinetin e tij ka pranuar qytetarët të cilët e vizituan Kuvendin.
Me këtë, Kryetari i Kuvendit e vazhdoi praktikën e dyerve të hapura, përkatësisht afrimin e Parlamentit te qytetarët.
Në takimet, çështjet e parashtruara nga qytetarët më shpesh kanë qenë të lidhura me rolin dhe detyrat e Kryetarit të Kuvendit.
Ndër vizituesit e sotëm ka pasur edhe nxënës nga më shumë shkolla, të cilët u interesuan për mënyrën e funksionimit të Kuvendit. Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë Trajko Veljanoski në mënyrë të thjeshtë ua shpjegoi punën e Kuvendit.
A duhet që vazhdimisht të mësoni që të bëheni Kryetar i Kuvendit, ka qenë njëra ndër pyetjet e qytetarëve tanë të rinj. Për dallim nga ju, që keni mësime për të mësuar unë nuk kam, por vazhdimisht duhet të lexoj ligje të cilat i miratojmë, si dhe shumë akte të tjera dhe dokumente të cilët janë pjesë përbërëse e punës së Kuvendit, theksoi kryetari i Kuvendit Trajko Veljanoski.
Por, duhet të theksoj se sot mësimi nuk mbaron vetëm me përfundimin e shkollimit. Përkundrazi, edhe ju nesër kur do ta mbaroni shkollimin tuaj dhe kur do të filloni të punoni, e ndoshta ndonjëri prej jush do të bëhet deputet, gjithashtu duhet që vazhdimisht të përsoseni me njohuri të reja, theksoi Kryetari i Kuvendit.