Pratenichki sostav
 
LEGJISLATURA E DEPUTETËVE


E premte, 11dhjetor 2009

KRYETARI I KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË MAQEDONISË, TRAJKO VELJANOSKI SOT U TAKUA ME KRYETARIN E DHOMËS PËRFAQËSUESE TË AUSTRALISË, HERI XHENKINS I CILI ËSHTË NË NJË VIZITË ZYRTARE NË MAQEDONI 

Me të vërtetë është kënaqësi e madhe kur vjen në vizitë miku i vërtetë, ndërsa Ju z. Xhenkins jeni miku i vërtetë i Maqedonisë, theksoi në fillim Kryetari i Kuvendit z. Veljanoski. Edhe pse Maqedonia dhe Australia gjenden shumë larg, të dy vendet kanë marrëdhënie të mira bilaterale, e në këto korniza vendin dhe kontributin e vet duhet ta japin edhe të dy parlamentet. Më gëzon fakti që edhe në Dhomën Përfaqësuese të Australisë u krijua Grupi i miqësisë me Republikën e Maqedonisë. Këto marrëdhënie duhet t’i zhvillojmë edhe për faktin se në Australi jeton diaspora e madhe maqedonase, ndërsa në Maqedoni u pranua shumë pozitivisht marrëveshja bilaterale mbi të drejtat sociale të maqedonasve e nënshkruar para do kohësh gjatë vizitës së kryeministrit të Republikës së Maqedonisë, z. Nikolla Gruevskit në vendin tuaj, theksoi Kryetari i Parlamentit Trajko Veljanoski. Siç e dini Republika e Maqedonisë është përcaktuar për integrim euroatlantik. Në këto korniza para do kohësh për qytetarët tanë BE hoqi regjimin e vizave. Mendoj se një marrëveshje të këtillë duhet të arrijmë edhe me Australinë, duke i pasur parasysh pikërisht marrëdhëniet me bashkatdhetarët tanë, të cilët jetojnë në Australi, tha Veljanoski.

Gjithashtu, Kryetari Veljanoski e informoi mysafirin e lartë me ndryshimet e Kodit zgjedhor me të cilat jepet mundësi që edhe diaspora të ketë përfaqësues të vet në Kuvend. Kështu nga Australia në përbërjen e ardhshme parlamentare do të kemi një deputet. Në vazhdim Kryetari i Kuvendit Trajko Veljanoski u ndal në pjesëmarrjen e pjesëtarëve të Armatës së Maqedonisë në misionet paqësore  në mbarë botën. Ne edhe pse për shkaq të njohura dhe absurde nuk u bëmë anëtare e plotfuqishme të NATO-së, por edhe më tutje do të marrim pjesë në misionet paqësore, sepse duam ta plotësojmë detyrimin tonë në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit botëror. E dini, ne maqedonasit jemi të njohur për nga këmbëngulja dhe puna, prandaj besoj se do t’i tejkalojmë të gjitha pengesat për anëtarësim të plotë në NATO dhe UE, theksoi Kryetari i Kuvendit Trajko Veljanoski.

Kryetari i Dhomës  Përfaqësuese të Australisë Heri Xhenkins duke u  falënderuar për ftesën theksoi se ai prej momentit të parë ndjehet se është ndër miqtë e vërtetë. E dini se atje ku jetoj dhe ku jam zgjedhur deputet jetojnë mbi 11 mijë maqedonas. Nga ata mësova shumë për Maqedoninë, për historinë e saj dhe luftërat e popullit maqedonas për shtet të pavarur.  Maqedonasit në Australi janë qytetarë lojalë të atdheut të tyre të dytë, ndërsa maksimalisht lojalë ndaj Maqedonisë. Sot kur flasim për gjeneratën dytë dhe të tretë të maqedonasve doemos duhet të theksoj se ata janë etabluar shumë mirë në shoqërinë australiane dhe japin kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e përgjithshëm të Australisë, prandaj edhe më gëzon fakti se në të ardhmen në Parlamentin tuaj do të ulet një deputet nga vendi im. 

Sa i përket përcaktimit tuaj për eurointegrimet ne, edhe pse nuk kemi ndonjë fuqi më të madhe politike në këtë pjesë të botës, ju japim përkrahje të plotë. Për mua me të vërtetë është ironike kur ushtarët maqedonas marrin pjesë në operacionet paqësore në gjithë botën, p.sh tash Afganistani, ku edhe ne kemi ushtarë tanë, nuk jeni anëtare e NATO-s edhe pse i plotësoni kushtet. Me pjesëmarrjen tuaj në proceset paqësore ju e tregoni përgjegjësin dhe kontributin tuaj për paqen dhe sigurinë në botë, theksoi kryetari i Dhomës Përfaqësuese të Australisë z. Heri Xhenkins. Në fund të bisedimeve kryetari Xhenkins Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë Trajko Veljanoskit, i dorëzoi edhe ftesë oficiale që ta vizitoj Australinë, e cila nga ana e kryetarit të Kuvendit u pranua me kënaqësi. 

 
a

Na ndiqni në: