Udhëheqja parlamentare



E premte, 9 tetor 2009

DELEGACIONI I KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË MAQEDONISË I UDHËHEQUR NGA KRYETARI I KUVENDIT Z. TRAJKO VELJANOSKI REALIZOI TAKIME ME UDHËHEQËSINË SHTETËRORE TË KROACISË

Delegacioni i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë i udhëhequr nga Kryetari i Kuvendit z. Trajko Veljanoski, në të cilin janë edhe deputetët Bllagorodna Dulliq, Vullnet Ameti dhe Tome Çingoski, i cili prej dje është në vizitë zyrtare të Republikës së Kroacisë, sot realizoi takime të ndara me udhëheqësinë shtetërore të Kroacisë. 

Në takimin me Kryetarin e Kuvendit të Kroacisë Lluka Bebiq, të dyja delegacionet i theksuan marrëdhëniet miqësore të zhvilluara në nivel të lartë mes dy shteteve, e në këto suaza edhe takimet e rregullta dhe bashkëpunimin mes dy dhomave ligjvënëse. Kryetari i Kuvendit Trajko Veljanoski e përshëndeti marrëveshjen e paradokohshme ndërmjet Kroacisë dhe Sllovenisë, me të cilën Kroacisë i mundësohet që t’i vazhdojë negociatat me BE-në. Me këtë, që të dyja palët dëshmuan se jo vetëm deklarativisht, por edhe faktikisht i respektojnë standardet evropiane, e njëkohësisht edhe përgjegjësinë për ardhmëri në BE. Republika e Maqedonisë pret që në bazë të rezultateve të arritura në raportin e KE-së i cili duhet të publikohet së shpejti, të marrë rekomandim për datën e fillimit të negociatave, theksoi Veljanoski.  

Kryetari i Kuvendit të Kroacisë Lluka Bebiq, nënvizoi se kontestet bilaterale nuk mund të jenë pengesë për integrimet euroatlantike. Duke e përshëndetur rekomandimin e paradokohshëm për heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e Republikës së Maqedonisë, pres që tani Maqedonia të marrë edhe rekomandim për datën e fillimit të negociatave. Pikërisht këtu mund ta intensifikojmë edhe bashkëpunimin ndërmjet dy dhomave ligjvënëse, nënvizoi Kryetari i Kuvendit të Kroacisë, Lluka Bebiq.

Në takim me Presidentin Stepjan Mesiq, Kryetari i Kuvendit Trajko Veljanoski duke i theksuar marrëdhëniet e zhvilluara në nivel të lartë mes dy shteteve, veçanërisht e nënvizoi bashkëpunimin mes dy parlamenteve. Kjo është veçanërisht e rëndësishme, meqë të dyja shtetet janë përcaktuar për anëtarësim në BE. Ky bashkëpunim parlamentar e përforcon stabilitetin në Ballkan, ndërkaq e tregon edhe përcaktimin tonë të mirëfilltë evropian, por edhe përkatësinë historike dhe kulturore. Në kuadër të marrëdhënieve bilaterale, Kryetari i Kuvendit Trajko Veljanoski, e theksoi edhe rolin e bashkësisë etnike maqedonase në Kroaci dhe të bashkësisë etnike kroate në Republikën e Maqedonisë, që jep kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e përgjithshëm të Republikës së Maqedonisë. Presidenti i Republikës së Kroacisë Stjepan Mesiq, duke e theksuar tendencën e përhershme të marrëdhënieve bilaterale të zhvilluara në nivel të lartë, ndërmjet Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Kroacisë, potencoi se të dyja shtetet japin kontribut të madh për stabilitetin e rajonit dhe ardhmërisë së tij evropiane. Pres që së shpejti Republika e Maqedonisë ta tejkalojë kontestin e tanishëm dhe ta zë vendin e merituar si anëtare me të drejta të plota në NATO, e gjithashtu t’i fillojë edhe negociatat me BE-në, theksoi Presidenti kroat Stepjan Mesiq.

Në takim me Kryetaren e Qeverisë kroate Jadranka Kosor, Kryetari i Kuvendit Trajko Veljanoski veçanërisht u përqendrua në bashkëpunimin ekonomik ndërmjet të dyja ekonomive. Jam i bindur se bashkëpunimi ekonomik ndërmjet shteteve tona mund të jetë shumë më i madh dhe me forma më të larta, para se gjithash përmes investimeve, duke e pasur parasysh se Republika e Maqedonisë me legjislacionin e vet por edhe me hapa tjerë, krijon klimë shumë pozitive për investuesit e huaj, e këtë e theksojnë edhe institucionet ndërkombëtare. Kjo është edhe më e rëndësishme tani, kur ballafaqohemi me krizën ekonomike botërore, theksoi kryetari i Kuvendit Trajko Veljanoski. 

Kryetarja e Qeverisë koate Jadranka Kosor, gjithashtu nënvizoi se bashkëpunimi ekonomik është shumë i rëndësishëm si në marrëdhëniet bilaterale, ashtu edhe më gjerë. Dalja nga kriza ekonomike është proces që imponon qasje serioze, e në këtë kuadër unë jam e bindur se qeveritë e të dyja shteteve, por edhe institucionet tjera ndërmarrin masa shumë serioze për tejkalimin e saj. Prandaj, pres që para se gjithash që nga subjektet ekonomike të të dyja shteteve, duke u nisur nga interesat e veta ekonomike, të iniciojnë projekte konkrete për zhvillimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit ekonomik. Lidhur me integrimet euroatlantike të Maqedonisë dhe Kroacisë, ajo beson se Maqedonia do të marrë rekomandim për datën e negociatave.

   

 

Click