Udhëheqja parlamentare



E premte, 20 nëntor 2009

FJALA E KRYETARIT TË KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË MAQEDONISË, Z. TRAJKO VELJANOSKI, ME RASTIN E NËNSHKRIMIT TË MARRËVESHJES PËR BASHKËPUNIM DHE PARTNERITET ME PËRFAQËSUESIN E UNICEF-IT NË REPUBLIKËN E MAQEDONISË, Z. SHELLDON JET

Të nderuar kolegë deputetë,
Të nderuar ministra,
Shkëlqesi, zonja dhe zotërinj, të nderuar miq,

Në ditën e sotme para 20 vitesh, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e miratoi Konventën për të drejtat e fëmijëve, dokument ndërkombëtar i cili sot është pjesë përbërëse e legjislacionit nacional të shumë shteteve në botë. Dua të përkujtoj se Republika e Maqedonisë e ratifikoi Konventën më 2 dhjetor 1993.

Të respektuar,
Të gjithë dimë të themi se fëmijët janë pasuria jonë më e madhe, por pyetem se sa kemi bërë në sferën e të drejtave të fëmijëve. Ndërsa fëmijët, me transparencën e tyre janë kategoria më delikate shoqërore, e pikërisht për këtë, të drejtat e tyre cenohen më lehtë, dhe atë në mënyrë dhe formë më të vrazhdë. Të gjithë jemi të tmerruar nga keqpërdorimi i fëmijëve, shfrytëzimi robërues i fëmijëve si fuqi pune ose fëmijë ushtarë. I përmend vetëm shembujt më drastikë, edhe pse cenimi i të drejtave të fëmijëve ka edhe forma  tjera, do të thosha, në shikim të parë më të sofistikuara, të cilat prandaj edhe ndoshta vështirë zbulohen. Si do që të jetë, fjala është për një problem global, por si edhe çdo problem global, ai duhet të zgjidhet duke filluar nga vetvetja.

Nëse e shikojmë legjislacionin maqedonas i cili në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë i mbron të drejtat e fëmijëve, mund të theksojmë se fryma dhe parimet e Konventës janë inkorporuar në legjislacionin vendas. Nga ana tjetër edhe te ne ka shembuj të cenimit të të drejtave të fëmijëve, e për fat të keq ndodhin edhe ato dukuri më të vrazhda siç është keqtrajtimi. Gjithsesi, institucionet, këtu mendoj si të pushtetit ekzekutiv, ashtu edhe të pushtetit gjyqësor, i ndërmarrin masat e nevojshme për zbulimin dhe sanksionimin, por të gjithë e dimë se më shumë efikase është preventiva se sanksionet.

Kuvendi i Republikës së Maqedonisë, krahas miratimit të ligjeve dhe akteve tjera, ka për detyre që ta bëjë edhe mbikëqyrjen e implementimit dhe zbatimit të ligjeve, që është parim i demokracisë parlamentare.
Pikërisht për këtë, sot me Zyrën e UNICEF-it nënshkruajmë Marrëveshje për bashkëpunim dhe partneritet, me qëllim që të promovohet mbrojta e të drejtave të fëmijëve në vendin tonë. 

Përmes këtij bashkëpunimi, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë e forcon rolin e vet në realizimin e të drejtave të fëmijëve. Me këtë rast vëmendje e veçantë do t’u kushtohet analizave të propozimeve relevante dhe ligjeve ekzistuese, pastaj mbikëqyrjes së implementimit të politikave dhe strategjive që miratohen, e deri në miratimin e buxhetit, përkatësisht mjeteve të nevojshme për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.
Aktivitetet kryesore të cilat dalin nga kjo marrëveshje, e përfshijnë  themelimin e  këshillit drejtues parlamentar për të drejtat e fëmijëve, përgjegjësia primare e të cilit do të jetë mbikëqyrja e implementimit të Marrëveshjes për bashkëpunim dhe pjesëmarrja në iniciativat për promovim, të cilat do t’i përkrahin qëllimet e theksuara në marrëveshje.

Gjithashtu, do të themelohet grup punues për të drejtat e fëmijëve në kuadër të Komisionit për Punë dhe Politikë Sociale, i cili përveç se do ta hulumtojë mundësinë që ky trup të transformohet në komisioni të përhershëm për të drejtat e fëmijëve, do ta ketë për detyrë edhe të kujdeset që interesat e  fëmijëve të merren parasysh në ligjet, ndarjet buxhetore dhe sferat tjera të debatit parlamentar, me çfarë sigurohet pajtueshmëria me Konventën e KB-së për të drejtat e fëmijëve.

Marrëveshja parasheh edhe aktivitete tjera, nga shkëmbimi i përvojave me parlamentet e vendeve në Evropë, pastaj debate publike, tryeza të rrumbullakëta dhe konferenca kushtuar çështjeve aktuale lidhur me të drejtat e fëmijëve etj. 

Gjithsesi, me marrëveshjen e sotme, si Parlament e bëjmë një hap kualitativ në mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.

Prandaj, e shfrytëzoj këtë mundësi që t’i falënderohem Zyrës së UNICEF-it dhe përfaqësuesit të saj, z. Shelldon Jet, ndërsa për të gjithë neve dëshiroj realizim konsekuent të detyrave të pranuara.

Click