E martë 05. maj. 2009
FJALIMI I KRYETARIT TË KUVENDIT, Z. TRAJKO VELJANOSKI NË MBLEDHJEN SOLEMNE ME RASTIN E SHËNIMIT TË 60 VJETORIT TË THEMELIMIT TË KËSHILLIT TË EVROPËS

I nderuari kryetar i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë dhe anëtarë të Qeverisë, Të nderuar kolegë deputetë, shkëlqesi, zonja dhe zotërinj, “Unë i shoh këto 12 yje si përkujtues se bota mund të jetë më e bukur nëse kemi guxim që kohë pas kohe të shikojmë në drejtim të tyre”. Këto fjalë para 19 vjetësh nga foltorja e Kuvendit Parlamentar të Këshillit të Evropës i shqiptoi Vacllav Havel. Sot, miq të nderuar, në Këshillin e Evropës shkëlqejnë 47 yje të cilat i bashkojnë rreth 800 milionë evropianë. Ideja për Evropën e bashkuar dhe formimin e trupit përfaqësues, i cili do të jetë i autorizuar të flasë, përkatësisht të veprojë në emër të gjithë Evropës, rrjedh qysh prej shek. XIX. Pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore u paraqitën një numër i madh i lëvizjeve dhe organizatave, të cilat u përpoqën për bashkimin e Evropës. Në vitin 1947 këto grupe u bashkuan dhe formuan “Komitetin Ndërkombëtar të Lëvizjeve për Bashkimin e Evropës”, qëllimi i të cilit ishte koordinimi i aktiviteteve dhe rritja e efikasitetit të lëvizjeve të ndryshme evropiane. Rezultat i kësaj ishte Kongresi i njohur në Hagë, i mbajtur më 17 maj 1948, i njohur si Kongresi për Evropën.