Udhëheqja parlamentare



E premte, 27 prill 2012

FJALIMI I KRYETARIT VELJANOSKI ME RASTIN E 20 VJETORIT NGA PAVARËSIA MONETARE E REPUBLIKËS SË MAQEDONISË

I nderuari guvernator i Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë, z.Dimitar Bogov,
Të nderuar ish-guvernatorë,
Të nderuar kolegë deputetë, ministra, shkëlqesia jua,
Të nderuar zonja dhe zotërinj,

Kam nderin dhe kënaqësinë të marr fjalë me rastin e shënimit të 20 vjetorit nga pavarësia monetare e Maqedonisë. Vitin e kaluar shënuam datat kryesore lidhur me sovranitetin e Maqedonisë së pavarur dhe demokratike, ndërsa këtë vit erdhën në radhë edhe përvjetorët tjerë të rëndësishëm historik, ndër të cilat vend të rëndësishëm zuri shënimi i 20 vjetorit nga pavarësia monetare e shtetit tonë.

Të nderuar të pranishëm,

Gjatë njëzet viteve të kaluara arritëm shumë dhe zgjodhëm shumë çështje, kuptohet, disa u zgjodhën suksesshëm, disa me pak sukses. Kaluam nëpër shumë vështirësi, hasëm në shumë sprova dhe situata kur duhej të bëheshin hapa vendimtare dhe të rëndësishme për ardhmërinë dhe ekzistimin e Maqedonisë së pavarur dhe sovrane. 

Një nga këto hapat kryesore u bë në mbrëmje më 26 prill të vitit 1992, në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, kur kryeministri i atëhershëm Nikolla Kljusev shpalli pavarësinë monetare dhe e promovoi valutën nacionale maqedonase - denarin. 

"Me ligjin për njësinë monetare Maqedonia krijon valutën e saj dhe kam kënaqësinë t'ju tregoj si duket ajo. Urime", u shpreh Nikolla Kljusev në foltoren e Kuvendit kur deputetët miratuan Ligjin për Bankën Popullore të Maqedonisë, Ligjin për njësi monetare dhe vendimet përkatëse në funksion të pavarësisë monetare të Republikës së Maqedonisë. 

Kjo është një nga pasqyrat më mbresëlënëse dhe dëshmi për pavarësinë monetare të Maqedonisë. 

Qeveria e atëhershme e Republikës së Maqedonisë, në krye me akademikun Nikolla Kljusev, në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, bashkë me ligjet dhe vendimet dorëzoi Program kundër inflacionit në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë. 

Të përkujtohemi, ajo është koha kur shkalla mujore e inflacionit ishte 86%. Fuqia e ekonomisë sonë, në periudhën pas shpalljes së pavarësisë, u godit thellë nga lufta në pjesët tjera të ish-federatës jugosllave si dhe u bllokua nga ana e Greqisë e cila ishte jashtë etikës ndërkombëtare. Këto ngjarje dhe bllokada u shoqëruan nga emetimi i fuqishëm dhe i pakontrolluar i dinarit nga ana e Bankës Popullore të Jugosllavisë, me qëllim që shpenzimet e mëdha të luftës dhe shkatërrimi ekonomik të barten në kurriz të qytetarëve në republikat e pavarura. Kjo politikë shpuri deri në shkatërrimin e dinarit të Jugosllavisë dhe në pavlefshmërinë e tij si mjet pagesor legjitim në qarkullim pagesor. Borxhet e ekonomisë maqedonase ndaj vendeve të huaja ishin shumë të larta dhe bashkë me kamatat ishin diku mbi 1 miliardë dollar. Në nivel të njëjtë të lartësisë ishte edhe borxhi lidhur me kursimet e devizave të popullatës.

Të gjitha këto çështjet nuk arritën të zgjidhen në afat të shkurtër dhe ishin të lidhura me suksesionin dhe bilancin e pjesëtueshëm të ish federatës jugosllave. Niveli ynë i atëhershëm i rezervave të devizave ishte mjaft i ulët dhe nuk mund ta luanin rolin e stabilizatorit në tregun maqedonas dhe në përgjithësi në valutën maqedonase. 

Kah fundi i vitit 1991 rezervat e devizave arritën shumën prej 12 milion dollarë, prej të cilave 7 milion dollarë ishin në ar monetar. Kah fundi i muajit prill (përkatësisht në ditën e pavarësisë monetare), rezervat e devizave mezi arritën 16 milion dollarë. 

Të përkujtojmë edhe rrethanat dhe ngjarjet tjera të lidhura drejtpërdrejtë me çastin e pavarësisë monetare. Kah mesi i muajit prill të vitit 1992 armata jugosllave përfundimisht e braktisi territorin e Maqedonisë. Ndërsa, më 27 prill filloi ndërrimi i dinarit jugosllav dhe u zëvendësua me denarin maqedonas në raport një me një dhe përfundoi suksesshëm në afatin e paraparë prej tre ditësh. Në kë mënyrë çastin kritik e kaluam suksesshëm. 

Prapëseprapë, në periudhën që pasonte, shuma të mëdha parash depërtuan nga jashtë në Maqedoni, duke tentuar ta zhvleftësojnë denarin e Maqedonisë dhe ta pengojnë gjallërimin e valutës së Maqedonisë. Me përforcimin e kontrollit monetar, relativisht shpejt u tejkalua edhe ky aktivitet korruptues. 

Në vitet që vijuan u finalizua procesi i formimit të valutës maqedonase. Me lëshimin në qarkullim të parave të para maqedonase, filloi luftë me hiperinflacionin me zbatimin e politikës monetare restriktive, ndërsa si pasojë e kësaj në periudhën maj-dhjetor të vitit 1992 inflacioni u zvogëlua në nivel mesatar prej 12.7%. 

Kah fundi i vitit 1992 Këshilli i Bankës Popullore i Maqedonisë solli vendim për përpunimin e parave të reja, kështu që denarët e parë maqedonas, që i zëvendësuan bonat, u lëshuan në qarkullim në maj të vitit 1993. Në vitet e ardhshme, Banka Popullore e Republikës së Maqedonisë fut instrumente të orientuara si hyrje për tregun e hapur.

Të nderuar të pranishëm,

Futja e njësisë monetare maqedonase dhe pavarësia monetare ishte përcjellje e logjikshme e hapave për krijimin e shtetit pas Referendumit të suksesshëm dhe pas shpalljes së pavarësisë më 8 shtator të vitit 1991. 

Në këtë periudhë 20 vjeçare, nga pavarësimi ynë deri sot, Republika e Maqedonisë u bë anëtare e të gjitha organizatave të rëndësishme ndërkombëtare me të cilat bashkëpunon në mënyrë të suksesshme dhe aktive. Ajo u bë edhe partner i respektueshëm në bashkëpunim me shumë shtete në botë, prej të cilave me shumicën prej tyre kemi krijuar marrëdhënie të suksesshme diplomatike dhe politike, por edhe lidhje të rëndësishme ekonomike dhe kulturore. 

Banka Popullore e Republikës së Maqedonisë në dy dekadat e kaluara i tejkaloi të gjitha sfidat dhe sot është institucion plotësisht i pjekur dhe i aftësuar për përmbushjen e suksesshme të funksionit të saj kushtetues dhe ligjor.

Banka Popullore e Republikës së Maqedonisë ka mësuar nga përvoja e saj, por edhe nga përvoja e bankave qendrore. Për këtë flasin vetë rezultatet e arritura:

-seria e gjatë e rëndësishme e inflacionit të ulët dhe të qëndrueshëm dhe e sistemit të shëndoshë bankar, që nuk u lëkund as gjatë kohës së recesionit të madh botëror.

Në 20 vitet e kaluara nga pavarësia, arritëm stabilitet financiar, ndërsa prioritet kryesor është rritja e lartë ekonomike për jetë më të mirë të qytetarëve. Interesi ynë është që t'i zbatojmë realisht standardet evropiane dhe t'i finalizojmë reformat.  Prioritet i yni është që ta kualifikojmë ekonominë tonë si ekonomi konkurruese në tregjet evropiane, dhe të sigurojmë gjenerata të reja të arsimuara të cilat do të mund jenë të barabartë me gjeneratat e botës së zhvilluar. Jemi përkushtuar në përmirësimin e standardit jetësor të të gjithë qytetarëve dhe bashkërisht do të japim mund për ta arritur qëllimin tonë kryesor. 

Vitet që vijnë janë koha kur mund të thuhet se ekziston distancë e mjaftueshme historike, liberalizim nga politika aktuale, kur do të mund të japim vlerësim të vërtetë për kompleksitetin e të gjithë arritjeve dhe gabimeve tona. 

Por, që tani mund të konkludojmë se stabiliteti makroekonomik i Republikës së Maqedonisë, pozitivisht ndikoi mbi të gjitha funksionet tjera shtetërore.  

Përveç mbajtjes së stabilitetit makroekonomik si parakusht për zhvillimin e mëtejshëm, angazhimet tona janë fokusuar në politikën e përgjegjshme fiskale, duke mbajtur në nivel mesatar deficitin buxhetor dhe në nivel të qëndrueshëm borxhin publik. Nga ana jonë, tatimet e ulëta, kontributet sociale dhe tatimet tjera ndaj shtetit krijojnë supozime për tërheqjen e investimeve vendore dhe të huaja. 

Duhet vazhdimisht të punohet edhe në përmirësimin e klimës së biznesit edhe në përmirësimin e cilësisë së fuqisë së punës.

Në fund, më lejoni edhe njëherë t'ua uroj 20 vjetorin nga pavarësia monetare e Republikës së Maqedonisë, shpreh falënderim për inkorporimin e faktorëve në këtë proces, njëkohësisht edhe të përkujtoj dhe të nënvizoj meritat e të gjithëve, të cilët fatkeqësisht më nuk janë me ne, ndërsa të cilët ishin themel dhe forcë motorike të këtij procesi kryesor për Republikën e Maqedonisë. 

Ju faleminderit. 

Click