E martë, 10 janar 2012
TAKIMI I KRYETARIT VELJANOSKI ME KRYETARIN E KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS, Z. JAKUP KRASNIQI
Delegacioni i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë i kryesuar nga kryetari z. Trajko Veljanoski, në të cilin janë edhe nënkryetari z. Jani Makraduli dhe deputetët z. Talat Xhaferi dhe znj. Svetllana Karapetrova, sot është në vizitë zyrtare në Kosovë.
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, z. Trajko Veljanoski, në takimin me kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Jakup Krasniqi, theksoi se marrëdhëniet e plota bilaterale ndërmjet të dy shteteve janë të mira, me interes të ndërsjellë të cilat kontribuojnë në stabilitetin e plotë në rajon.
Duke përkujtuar se Republika e Maqedonisë është një ndër shtetet e para që e pranoi pavarësinë e Republikës së Kosovës, kryetari Veljanoski theksoi se qëndrimi konstant i Maqedonisë në politikën e jashtme është zhvillimi i marrëdhënieve fqinjësore. "Ky është princip evropian, dhe ne të gjithë u përcaktuam për integrimet euroatlantike, kështu që Kosova ka përkrahjen tonë të plotë, duke i respektuar të drejtat individuale dhe kolektive", theksoi kryetari Veljanoski.
Duke pasur parasysh se ky është takimi i parë i kryetarëve të parlamenteve, kryetari Veljanoski theksoi se ky takim do të jetë një stimul pozitiv për zhvillimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve të plota, veçanërisht për bashkëpunimin ndërmjet të dy parlamenteve. Kuvendi Maqedonas është i përgatitur që me kolegët nga Kuvendi i Kosovës t'i ndajë të gjitha përvojat në procesin eurointegrues dhe në ndërtimin e institucioneve efikase dhe funksionale.
Kryetari i Kuvendit, z. Trajko Veljanoski, potencoi edhe pozitën e pakicës maqedonase që jeton në rajonin Gora në Republikën e Kosovës, duke përkujtuar se këto janë të pranuar edhe nga faktori ndërkombëtar si bashkësi e veçantë etnike, gjuha amtare e së cilës është maqedonishtja.
Kryetari Veljanoski ushqeu shpresë se statusi i kësaj pakice do të zgjidhet sipas principeve evropiane me çka do t'u mundësohet që ta ruajnë dhe zhvillojnë identitetin e tyre etnik, gjuhësor dhe kulturor.
Lidhur me bashkëpunimin ekonomik, kryetari Veljanoski gjithashtu përmendi se Kosova është partner i rëndësishëm tregtar për Maqedoninë. Ky bashkëpunim në të ardhmen duhet të zhvillohet më tepër, në aspekt të investimeve të dyanshme, si dhe në segmente tjera të ekonomisë, veçanërisht në sferën e energjetikës dhe transportit.
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Jakup Krasniqi, shprehu kënaqësi për takimin e sotëm, dhe nënvizoi marrëdhëniet e zhvilluara politike dhe ekonomike.
Kryetari Krasniqi gjithashtu potencoi se Maqedonia ka eksperiencë në procesin e eurointegrimeve dhe Kosova me kënaqësi e pranon propozimin për këmbimin e përvojave me Republikën e Maqedonisë në këto procese, meqë kjo është e rëndësishme për gjithë rajonin.
Ai shtoi se së shpejti në Kuvendin e Kosovës do të formohet grup parlamentar për bashkëpunim me Kuvendin e Republikës së Maqedonisë i cili gjithsesi do të jetë nxitje për marrëdhëniet e ndërsjella.